Banorët e Korçës: Qyteti ynë pa vizitorë dhe turistë është i pajetë

871
Sigal

Shqetësimi i të rinjve: Pa punë s’ka as kafene, as ndihmë për familjen

Nga Vepror Hasani

Edhe gjatë ditës së sotme banorët e qytetit të Korçës dolën nga shtëpia me të mbërritur ora 5.00 e mëngjesit. Të gjithë ishin të impenjuar për marrjen e shërbimeve të nevojshme për familjen. Radhë u krijuan te bankat e nivelit të dytë, te zyrat e Postës dhe te Ujësjellësi. Për vendosjen e rregullit, mbajtjen e distancës dhe respektimin e radhës u ofrua ndihma e Policisë së Shtetit Gjithashtu, gjatë ditës së sotme policia nuk lejoi grumbullim të qytetarëve as te Parku Rinia dhe as te kodrat e qytetit. Gjithçka kaloi normalisht. Të shumtë ishin edhe të rinjtë që kishin dalë për t’i shërbyer familjes. Shqetësimi i tyre ishte të mbeturit pa papunë që nga fillimi i marsit. “Pa punë, – pohuan ata, – nuk ka asa kafene dhe as ndihmë për familjen. Çdo pranverë në Korçë, me ardhjen e vizitorëve dhe turistëve, fillonte puna qoftë edhe punësim sezonal, sepse për gjithë vitin gjithnjë ka qenë e vështirë, ndërsa aktualisht Korça duket e paralizuar. Shqetësimi i tyre na kujtoi një thënie të Thomas Carlyle: “Një njeri që dëshiron të punojë e nuk gjen punë është spektakli më i trishtë që pabarazia e fatit mund të ofrojë mbi tokë.

Korça e projektuar për punësim

Korça që në fillesat e saj u projektua për të qenë ndryshe: Pazari me bukurinë e tij karakteristike., numri i madh i haneve dhe bujtinave, arkitektura, hapësirat e gjelbra, rrugët e gjera, rrugicat e lagjeve etj, ishin ftesë mikpritëse për këdo, vendas dhe të huaj, që të mos e humbnin rastin për ta vizituar këtë qytet. Dhe që nga atëherë, 500 vjet më parë e deri më sot, banorët e Korçës dhe drejtuesit e qeverisjes vendore  u kujdesën që Korça të bëhej gjithnjë dhe me e bukur dhe të mos i mungonte punësimi. Brenda hapësirës së saj, gjenden Parku i Shetros dhe birra “Korça”, e cila në ditët e festimit të birrës së saj vijnë njerëz edhe nga vendet më të largëta të botës.  Ardhja e adhuruesve të Korçës nis në ditët e para të pranverës. Muzeu “Mësonjëtorja e Parë Shqipe” pret vizitorët e parë. Parku “Rinia”, më i madhi i qytetit, pranë Universitetit “Fan Noli” është nga më të bukurit në vend, po kaq të bukura mbeten edhe hapësirat përreth Kompleksit Sportiv “Skënderbeu”, kodrat dhe kurora e gjelbër e Moravës, pazari me zanafillë që nga shekulli i XV etj. Pranë saj gjenden edhe vende të mirënjohura turistike dhe arkeologjike si Mborja, Voskopoja, Boboshtica, Dardha, tumat e Kamenicës, parku Kombëtar i Bredhit të Drenovës. Vithkuqi etj. Të gjitha këto krijojnë vende pune.

Festa e birrës, më e madhja

Festa e birrës është një nga ngjarjet më të mëdha të qytetit të Korçës, ku gjatë 5 ditëve e gjithë bota ndodhet aty. Këndohet dhe festohet nga mëngjesi në mbrëmje. Hotelet prenotohen ditë më parë, ata që nuk mundin të akomodohen në qytet, shkojnë fshatrave përreth, edhe ato janë të bukura, edhe atje gjen mikpritje të veçantë, dhe që nga aty mund të vish sërish në Korçë për pak minuta, ku të presin tri orkestra: njëra te kompeksi sportiv “Skënderbeu”, tjetra te Pazari i Korçës dhe e treta te pedonalja e qytetit. Çdo cep i Korçës është i zbukuruar, gjatë 5 netëve pihet birrë shjiohen gatimet tradicionale, këndohet dhe vallëzohet. Të rinjtë e punësuar janë të shumtë.

Ish-zëvëndëskryeministri, Niko Peleshi

Edhe ish-zëvëndëskryeministri, Niko Peleshi, ditët e fundit solli në vëmendjen e banorëve Korçën turistike, pasi për shkak të pandemisë turizmi është sektori më i rrezikuar, dhe Korça ka filluar ta ndjejë këtë gjë. Korça mbetet vendi më i mirë për të kaluar një fundjavë me familjen apo me një rreth te vogël miqsh sepse njësitë akomoduese janë të tipit bujtinë, me kapacitet të vogël, dreka apo darka mund të shijohen në natyrë në rrethinat me ajër të pastër të Voskopojës, Dardhës, Vithkuqit, Boboshticës, Drenovës, Polenës, Linit, Tushemishtit, Prespës, Rehovës së Kolonjës, Zvirinës, në Pyllin e Fazanëve, në Ziçisht, Hoçisht, Arrëzë, Nikolicë, në Bozdovec, Gramoz, Moravë, Malin e Thatë, Gërmenj etj”, – shkruan ndër të tjera Peleshi. Por aktualisht të gjitha janë të heshtura.