Avokatët Antikorrupsion, kallëzim penal për shpërdorim detyre ndaj Lindita Nikollit

623
Sigal

Shoqata e Avokatëve Antikorrupsion, kallëzim penal për ministren e Arsimit

Shoqata e Avokatëve Antikorrupsion, i është drejtuar dje Prokurorit të rrethit gjyqësor të Tiranës, me një kallëzim penal, ku kërkohet procedimi ligjor ndaj ministres së Arsimit dhe Sporteve, Lindita Nikolli, për veprën penale të “Shpërdorimit të Detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Ky kallëzim penal mbështetet mbi bazën ligjore të Nenit 281 pikat 1-4, të Kodit të Procedurës Penale. Për këtë arsye nëpërmjet një kërkese të posaçme, Kryetari i Shoqatës së Avokatëve Antikorrupsion, zoti Ndue Pjetra, i ka kërkuar Prokurorit pranë Gjykatës së rrethit Gjyqësor të Tiranës procedimin penal për ministren e Arsimit, e cila sipas tij, ka shpërdoruar detyrën, me anë të veprimeve dhe mosveprimeve të saj, në lidhje me mbylljen e universiteteve private, duke i përzgjedhur ato sipas dëshirave personale dhe partiake. Në deklaratën ekskluzive të bërë për gazetën “Telegraf”, zoti Pjetra e ka quajtur të kundraligjshëm urdhrin e ministres Nikolla, e cila sipas tij, akoma nuk e ka kuptuar se cilat nene të Kushtetutës ka shkelur. Në fakt, ministrja Nikolla, kohët e fundit ka dhënë shumë deklarata në media, duke e cilësuar mbylljen e universiteteve, si një fitore të qeverisë, Por në thelb, kjo është një fitore si e Pirros”, ose më saktë një fitore imagjinare e qeverisë shqiptare, sepse dëmshpërblimet që do të paguajë shteti shqiptar, kundrejt dëmit të krijuar në këto universitete do të jetë astronomik. Ndërsa ministrja Lindita Nikolla, në humbet gjyqin, rrezikon të dënohet me 4 vjet burg. Më poshtë po citojmë të plotë tekstin e kallëzimit penal të zotit Ndue Pjetra, drejtuar Prokurorit të Tiranës, ndaj ministres së Arsimit, Lindita Nikolli.
Kallëzimi penal
Në kallëzimin penal të Avokatëve Antikorrupsion kërkohet hetim për shkeljet ligjore të ministres Nikolla, lidhur me shpërdorimin e detyrës ndaj urdhër-ndalimit të 17 universiteteve private. Në këtë kallëzim midis të tjerash, flitet konkretisht për të gjitha universitetet private në mënyrë të detajuar, duke bërë krahasime edhe me ato universitete që vazhdojnë punën. Në lidhje me përzgjedhjen e universiteteve që u ndalohet aktiviteti, kjo ministre ka bërë një masakër të vërtetë duke zbatuar preferencat personale dhe ato politike. Sepse në këtë përzgjedhje nuk ka asnjë farë kriteri, por ka vetëm urdhra të verbër. Këto urdhra përbëjnë shkelje të rënda ligjore, prandaj, kjo ministre së shpejti do të përfundojë në burg, njëlloj si Fullani. Duke shkëputur disa rreshta po citojmë se aty thuhet midis të tjerave: “I nderuar z. Prokuror! Shoqata e Avokatëve Antikorrupsion Shqiptar, duke pasur legjitimimin mbështetur në nenet 46, 48, 59, të Kushtetutës, nenit 39-53 të Kodit Civil, nenit 13 të Kodit të Procedurave Administrative, nenit 5 të Ligjit nr.8737, datë 12.02.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë, nenet 4, 5, 6, 7, 8 të Ligjit nr. Nr.9814, datë 4.10.2007 “Për organizatat jofitimprurëse” dhe të Statutit të këtyre universiteteve të miratuar dhe regjistruar në Gjykatën Tiranë, me Vendimin nr. 3635, datë 30.07.2013, si dhe në zbatim të kërkesave të nenit 281 pikat 1-4, të Kodit të Procedurës Penale, kërkon procedimin penal të znj. Lindita Nikolla, me detyrë Ministre Arsimit dhe Sporteve, për veprën penale të “Shpërdorimit të Detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, duke parashtruar arsyet që vijojnë:
Elementët thelbësorë të fakteve
Universitetet private janë ngritur mbi kriteret e përcaktuara nga Ministria e Arsimit, duke pasur si objekt të veprimtarisë tyre edukimin në fushën e Arsimit të Lartë. Ndërsa mbyllja e disave prej tyre është bërë pa asnjë farë kriteri, por mbi inate personale dhe mbi kritere partiake. Këtu më poshtë po rreshtojmë elementët e figurës së krimit të shpërdorimit të detyrës të kryera nga Ministre e Arsimit dhe Sporteve znj.Lindita Nikolla:
1.Propozimit dhe mbështetjes, në të gjitha instancat të Vendimi Nr. 539, date 6.8.2014 i Këshillit të Ministrave, të heqjes së licencës të universiteteve private, pa përfillur kërkesat e nenit 48, të Kushtetutës,neneve 15, 20, 37, 44-50, 51-55 e vijues të Kodit të Procedurave Administrative, dhe faktet që janë paraqitur përpara komisionit dhe ky i fundit ishte i detyruar t’i shqyrtonte ato.
2.Në mënyrë të rrufeshme dhe pa asnjë njoftim, të cilat janë detyrim kushtetues e ligjor të Titullares së Ministrisë me urdhrin Nr 153 datë 30.04.2013 “Për ngritjen e nën grupit të punës në zbatim të urdhrit Nr.106 datë 28.03.2014”, ka dërguar kontrollin me një grup specialistësh të dikasterit që drejton.
3.Raporti i Kontrolleve të miratuara nga ministrja, përmban konstatuam të përpiluar në kundërshtim me procedurën që parashikon ligji, me një përmbajtje të pavërtetë, pasi ky kontroll, në shumë pjesë të tij, nuk ishte bazuar në fakte, por në konstatime të pavërteta dhe të pasakta. Nga verifikimi i këtyre raporteve rezultoi qartë se në këto raport, jo vetëm që shumë konstatime nuk ishin të bazuara në fakte, por nga ana tjetër, raporti ishte fokusuar në mënyrë të njëanshme te mospërmbushja e detyrimeve dhe jo tek përmbushja e detyrimeve si dhe nuk parashtronte konkluzione dhe rekomandime ashtu siç kërkohet nga Urdhri Nr.106 datë 28.03.2014.
4.Universitetet nuk ishin dakord me periudhën e shtrirjes së kontrollit nga Grupi i Inspektimit, për shkak se krijonte mbivendosje me kontrolle më të hershme të MASH. Meqenëse situata e ligjshmërisë në IAL nga muaji korrik 2012 dhe më parë, është bërë objekt kontrolli i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës nëpër universitete, siç rezulton nga shkresa të ndryshme, duhej që Grupet e Kontrollit të shtrinin kontrollin për periudhën nga muaji gusht e në vazhdim, gjë, e cila nuk ka ndodhur, pasi kontrolli ka për objekt, periudhën ,duke filluar nga viti 2008, të cilat për më tepër nga grupe kontrolli të mëparshme, ku kanë bërë pjesë edhe punonjës që janë edhe të grupit të fundit të kontrollit, nuk kanë gjetur asnjë shkelje. Atëherë me të drejtë lind pyetja: Si ka mundësi që në një kontroll, i njëjti anëtar, nuk gjen shkelje dhe më pas si pjesë e një tjetër grupi kontrolli, deklaron se ka gjetur shkelje për situata, të cilat nga kontrolli i parafundit te kontrolli i fundit, nuk ka ndodhur asnjë ndryshim?
5.Ministrja në kundërshtim me përmbushjen e detyrës ka lejuar që Komisioni i MAS-it nuk ka zbatuar Urdhrin Nr.153 datë 30.04.2014, pasi ka konstatuar vetëm ato situata që ai i konsideronte si situata negative (edhe pse të pavërteta) dhe jo arritjet dhe përmirësimet që kanë ndodhur që nga kontrollet e fundit siç detyronte urdhri i mësipërm që të veprohej.
6. Gjithashtu, ministrja znj.Lindita Nikolla ka miratuar dhe veprimet e kundërligjshme të drejtueses më të rëndësishme të inspektimit të Arsimit të Lartë në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit Ejona Isufi, me detyrë aktuale Drejtore e Drejtorisë së Inspektimit, Ligjshmërisë dhe Mbikëqyrjes Institucionale në Inspektoratin Shtetëror të Arsimit – ISHA në MAS, ka përdorur diplomën master dhe doktoraturën e saj false për të mbijetuar në këtë ministri.
7.Praktikat e miratuara dhe të udhëruara nga ministrja  e Grupit të Kontrollit nuk ka qenë të drejta, pasi fillimisht komisioni duhet të merrte objeksionet e universiteteve, duke paraqitur më parë një projekt-raport dhe pasi të merrnim këto objeksione të paraqisnin raportin e tyre përfundimtar të kontrollit. Shkelje këto, haptazi të Kushtetutës, Kodit të Procedurës Administrative, të Ligjit organik të vetë ministrisë dhe të akteve nënligjore në zbatim të tyre.
8. Në të gjitha veprimet dhe mosveprimet e Titullares së Ministres, znj. Lindita Nikolla, duken qartë arbitraritete të administratës shtetërore për të hequr licencën e 17 universiteteve private, pa asnjë të drejtë. Duke u nisur nga argumente e sipërpërmendura dhe të mbështetur në nenet 277, 280, 281|4, 283 dhe 287 të Kodit të Procedurës Penale, Kreu i Shoqatës së Avokatëve Anti-korrupsion, Ndue Pjetra, ka kërkuar në emër të kësaj shoqate, fillimin e procedimit penal në ngarkim të znj. Lindita Nikolla, për veprën penale “Shpërdorimi i Detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal”.