Rama: PD e harroi Kavajën në 20 vite, ne po e rilindim në pak muaj

498
Sigal

KAVAJË – Ditën e djeshme, Kryeministri Edi Rama ka inspektuar nga afër punimet për rehabilitimin e qendrës së qytetit të Kavajës, rrugën hyrëse dhe godinën e Bashkisë… Kreu i qeverisë fillimisht theksoi se, Kavaja ka qenë një qytet i lënë në harresë në 8 vite të qeverisjes demokratike, ndërsa me 1 vit që nga ardhja e të Majtës në pushtet, qyteti po ndryshon imazh. “Ne vijmë këtu dhe gjejmë qytetin të transformuar në një kantier, pasi kanë bashkëpunuar ngushtësisht për të bërë projekte të admirueshme dhe për të nxitur që këto projekte të financohen. Askush nuk e kishte parafytyruar që Kavaja, e cila për 20 vjet rresht i besoi votën Partisë Demokratike dhe për 8 vjet rresht në qeverisjen e Partisë Demokratike nuk mori asnjë qindarkë, do të transformohej në kantier ndërtimi, pa u mbushur viti i parë i qeverisjes socialiste. 11 mijë m2 të qendrës së Kavajës, me plus 3200 m2 park dhe rruga 2.5 kilometër, e transformuar në një rrugë europiane, ku standardet do të garantojnë jo vetëm vijueshmërinë e trafikut, por edhe ecjen e këmbësorëve dhe përdorimin e biçikletave, janë vetëm fillimi i një investimi që do të vijojë intensivisht,” – u shpreh Kryeministri”,- pohoi Rama. Kryetari i Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi veçoi sidomos rëndësinë që rruga hyrëse në qytet do të ketë edhe për biznesin. “Kjo është një rrugë që përbën një zhvillim të madh për biznesin e Kavajës, prej 2.5 kilometrash. Është një rrugë e veçantë ndaj të tjerave, sepse ka edhe një korsi për biçikleta, për t’i dhënë prioritet atyre që përdorin biçikletat”, – u shpreh Roshi