Artur Metani, kreu i ILD: Standardet e drejtësisë, të shtetit duhen kultivuar nga institucionet e drejtësisë, politika, media e shoqëria civile

37
Sigal

Progresi i reformës në gjyqësor është i lidhur ngushtësisht me progresin e Shqipërisë drejt integrimit në BE. Pushteti gjyqësor dhe reformimi i tij është një nga sfidat më të mëdha që ka Shqipëria.

Dua ta filloj me një falenderim për zotin Shella dhe qendrën Infocip për ftesën dhe organizimin e këtij aktiviteti dhe mbi te gjitha për hartimin e këtij raporti.

Personalisht, e vlerësoj shumë angazhimin e vazhdueshëm të Qendrës tuaj, në lidhje me monitorimin e veprimtarisë së gjykatave, me fokus të veçantë kohëzgjatjen e proceseve gjyqësore apo zhvillimin e gjykimeve brenda fateve të arsyeshme, duke dalë edhe me një produkt real, me sugjerime konkrete dhe profesionale për këto çështje.

Por standardet e drejtësisë, të shtetit dhe të sensit të së drejtës duhen kultivuar nga të gjithë ne, institucionet e drejtësisë, politika, media e shoqëria civile.

Në këtë kuadër e shoh dhe e vlerësoj edhe raportin e përgatitur dhe të paraqitur në këtë tryezë.

Nga ana tjetër efiçenca e sistemit gjyqësor është një çështje delikate dhe e rëndësishme, jo vetëm në planin kombëtar, por edhe në rrugën drejt integrimit në BE. Progresi i reformës në gjyqësor është i lidhur ngushtësisht me progresin e Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Evropian, si një nga prioritetet kyçe të vendit. Shqipëria është në një fazë të rëndësishme të procesit të integrimit në BE, ku përfshirja e të gjithë aktorëve është thelbësore. Pushteti gjyqësor dhe reformimi i tij është një nga sfidat më të mëdha që ka Shqipëria. Në këtë kuadër gjej rastin të falenderoj edhe Ambasadën Hollandeze për mbështetjen që po i jep këtij procesi. Faleminderit Ambasador Vos!

Jo në çdo rast mosrespektimi i afateve të përcaktuara nga ana e legjislacionit procedural dhe në mënyrë të veçantë afatet e parashikuara për të dorëzuar brenda një afati të arsyeshëm vendimet e arsyetuara do të konsiderohen si shkelje të mundshme disiplinore. Që këto shkelje të konsiderohen si të tilla, duhet të ketë një mungesë kujdesi dhe operativiteti, aftësie profesionale apo neglizhencë, të tilla që kalojnë “kufirin e të arsyeshmes”, dhe që një sjellje e tillë nuk mund të justifikohet ana e magjistratit. Vonesa në arsyetimin dhe dorëzimin e vendimeve përbën shkelje disiplinore, kur përbën rast përsëritës, të rëndë, dhe të pajustifikuar, si dhe në të njëjtën kohë, nuk ka ardhur si pasojë e ndonjë situate, që është jashtë kontrollit të magjistratit dhe që mund të lidhet me mosfunksionimin e sistemit gjyqësor.

Ky ka qenë edhe qëndrimi institucional, që ka mbajtur Inspektori i Larte i Drejtësisë në inspektimin tematik, të kryer disa muaj më parë në Tiranë, në dy gjykata të rëndësishme. Dhe me këtë arsyetim, inspektimi tematik ka rezultuar edhe me disa afate konkrete për zbardhjen e vendimeve gjyqësore, si dhe me verifikime apo hetime për magjistratë të caktuar, në këto dy gjykata. Vlen të theksohet se ky inspektim ishte një fotografim i periudhës, në të cilën u krye inspektimi dhe nuk mund të jetë i zbatueshëm në gjykata të tjera të vendit, apo në periudha të tjera kohore. Gjërat ndryshojnë në gjykata të ndryshme të vendit dhe mund të ketë dinamika në periudha të ndryshme kohore. Por e rëndësishme është të theksohet, se Inspektori i Lartë i Drejtësisë, u ka treguar magjistratëve një metodologji, në të cilën do bazohet verifikimi i punës së tyre, për çështjet që kanë të bëjnë me zbardhjen e vendimeve gjyqësore.