Arsimi në fshatin Ramicë pas çlirimit të vendit

1244
Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Rihapet shkolla fillore
Vetëm pas shtatorit të vitit 1944 në Ramicë, erdhën udhëzimet e Konferencës Arsimore të 2 shtatorit 1944, që u mbajt në Gjirokastër dhe të Kongresit të Parë të Arsimtarëve të Shqipërisë që u mbajt në Korçë më 25-27 nëntor 1944. Në këto udhëzime nënvizohej karakteri masiv e popullor i Shkollës së Re Shqipe, dhe filluan përpjekjet e organeve drejtuese të pushtetit vendor, që ishin Këshillat Nacionalçlirimtare për hapjen e shkollave dhe për një punë të organizuar të luftës kundër analfabetizmit. Më 16 tetor të vitit 1944, në saj të një pune serioze të organeve të pushtetit vendor dhe të gatishmërisë të admirueshme të popullit u bë e mundur që të rihapet shkolla fillore në Ramicë me mësues Besim Feim Xhebraj nga Vranishti. Shkollën fillore të Ramicës e frekuentonin 25 nxënës të moshës 8 deri në 12 vjeç. Mësimi zhvillohej në qendër të fshatit në shtëpinë e Reshat Agos, e cila ishte lyer jashtë e brenda me gëlqere të bardhë. Në kushte të vështira, por të lirë, hodhi hapat e parë shkolla fillore e Ramicës, duke mbyllur vitin e parë 1944-1945 në qershor me sukses. Ndërsa në vjeshtën e vitit 1945 filloi mësimi i rregullt për vitin kalendarik me udhëzime, programe e tekste mësimore duke e zhveshur punën mësimore në shkolla nga metodat e shkollimit partizan të zhvilluar gjatë LANÇ-it.
Lufta kundër analfabetizmit
Një nga detyrat e rëndësishme që përcaktonte Reforma Arsimore e vitit 1946 ishte lufta kundër analfabetizmit me qëllim që të gjithë të rinjtë e të rejat nën moshën 40 vjeç të mësonin shkrimin e këndimin e gjuhës shqipe. Duke qenë një problem parësor i shtetit, si kudo në Shqipëri edhe në fshatin Ramicë, u zhvillua fushata kundra analfabetizmit me një përkushtim të paparë, jo vetëm nga organet e Pushtetit Popullor por edhe nga pjesëmarrja dhe dëshira e papërmbajtur e të rinjve dhe të rejave për të mësuar shkrimin e këndimin e gjuhës shqipe. Sipas të dhënave që na ofron studiuesi Fuat Kokallaj në librin “Shkolla e Ramicës” mësojmë se është zhvilluar një punë kolosale, ku qindra të rinj e të reja të moshës jo shkollore mësuan shkrim e këndim dhe kryerjen e disa veprimeve të thjeshta aritmetike në këto kurse. Në të gjithë fshatin Ramicë, (në qendër, në Hysaj, në Verbas dhe në Lumë-Ramicë) zhvilluan mësimin 4 kurse të luftës kundër analfabetizmit, ku mësuan të lexojnë e të shkruajnë mbi 50 vetë, të rinj, të reja, burra dhe gra deri në moshën 40 vjeç. Zbatimi i Reformës Arsimore edhe në fshatin Ramicë u konkretizua, duke filluar me hallkën bazë të sistemit arsimor shkollën fillore. “Programi i Shkollës Fillore” më 1946, teksti i Abetares dhe tekstet e tjera u mirëpritën, jo vetëm nga mësuesit, por edhe nga nxënës e prindër, e të bindur se kjo punë po fillonte mbi bazën e traditës kombëtare të shkollës shqipe. Në shtator të vitit 1947, shtëpia e luftëtarit Feti Liçaj, që është dhe monument kulture u bë shkollë fillore, ku bëhej mësim në katër klasat e ciklit fillor. Gjatë këtyre viteve në shkollë kanë dhënë mësim mësuesit Feti Myftiu, Elisabeta Syko, Nigjare Llupa, Agim Shqerra, Idaji Beqiri dhe Isak Habili.
Hapat drejt shkollës 7-vjeçare
Në vitin 1951, pranë shkollës fillore në Ramicë, u hap edhe klasa e pestë e shkollës 7-vjeçare, e para në krahinë e cila do të bëhej edhe vatra e parë e përgatitjes së kuadrit arsimor për shkollat fillore që do të hapeshin në vazhdimësi. Shkolla vazhdonte në shtëpinë e Feti Liçaj. Në klasën e pestë, të hapur për herë të parë, u regjistruan 20 nxënës të fshatit dhe të ardhur nga Matogjini, Bashaj, Mesaplik dhe Velça. Drejtor i shkollës ishte Pëllumb Kikino nga qyteti i Vlorës, e më pas Leonidha Polo nga fshati Qeparo i Himarës. Kuadri mësimor në fillim u plotësua me mësues të ardhur, kryesisht nga Vlora, por edhe nga Elbasani si Atlie Çifte, Sabihana Baholli, Robert Deliana, Rudolf Deliana etj. Ndërsa mësuesi i vetëm i krahinës që jepte mësim në këtë shkollë ishte Gani Muço. Ardhja e mësuesve nga qytetet e Vlorës dhe të Elbasanit ndikoi dukshëm jo vetëm në rritjen e nivelit metodik e shkencor të mësimdhënjes, por e ktheu shkollën edhe në një qendër kulturore e argëtimi për nxënësit dhe të gjithë të rinjve të fshatrave përreth. Në vitin 1952, kur këta nxënës merrnin dëftesat e lirimit, klasa e pestë dhe e gjashtë ishin të plotmbushura me nxënës duke siguruar një vijimësi normale të shkollës parë shtatë vjeçare në krahinën e Smokthinës. Drejtor i parë i shkollës shtatëvjeçare Ramicë ishte Pëllumb Kekino i cili ka dhënë një kontribut të vyer në zhvillimin e arsimit në fshatin Ramicë. Ndërsa mësuesit e parë të shkollës shtatëvjeçare ishin Atlie Çifte, Sabihana Baholli, Rrapo Çanaj, Hëna Deromemaj, Ahmet Malo, etj. Shtrirja e arsimit shtatëvjeçar në Ramicë krijoi mundësi që pothuaj të gjithë fëmijët që ishin jo më larg se 3 km të përfshiheshin në arsimin e detyruar shtatëvjeçar duke siguruar tërheqjen e mbi 80 % të nxënësve, në këtë hallkë të sistemit arsimor.
Arsim tetëvjeçar i detyruar
Në vitin 1967 arsimi shtatëvjeçar u bë arsim tetëvjeçar i detyruar. Hapja e shkollës tetëvjeçare, krijuan mundësi që fëmijët e të gjitha fshatrave të Krahinës së Smokthinës të përfshiheshin në arsimin e detyruar tetëvjeçar. Kështu edhe në krahinën e Smokthinës, u realizua një nga objektivat më të rëndësishme të Reformës Arsimore që ishte masivizimi i shkollës mbi kritere ligjore e drejtuar dhe organizuar nga partia shtet. Riorganizimi i përmbajtjes së punës mësimore edukative që do të synonte në lidhjen e shkollës me jetën, të teorisë me praktikën, dhe të forcimit të punës edukative me vendosjen e tre komponentëve mësim, punë prodhuese e kalitje fiziko-ushtarake në radhë të parë do të ishte detyrë e trupës mësimore të këtyre shkollave. Mobilizimi i mësuesve në të gjitha shkollat, edhe pse në kushte shumë të vështira ,veçanërisht për ata mësues që nuk jepnin mësim në shkollat e fshatrave të tyre e detyroheshin të udhëtojnë edhe mbi 2 orë në borë e në shi vetëm për të shkuar pranë shkollës ku jepnin mësim, pa llogaritur kthimin për në shtëpi, që sa herë i zinte nata në rrugë, ata nuk u dorëzuan kurrë para këtyre vështirësive, madje me një përkushtim të jashtëzakonshëm dhe me një sedër e ambicie nxitëse, garonin midis tyre për të arritur rezultate sa më të mira me klasën dhe nxënësit e tyre por dhe me shkollën e tyre. Në fshatrat e krahinës së Smokthinës, si kudo në krahinat malore, ku institucionet e mirëfillta të kulturës mungonin, mësimin e dijeve kulturore dhe zhvillimin e aktiviteteve kulturore e sportive e kanë organizuar, drejtuar dhe kryer mësuesit dhe nxënësit, në bashkëpunim me të rinjtë dhe të rejat e fshatrave, jo vetëm në ambientet shkollore por edhe në fshat e natyrë sipas kushteve që kërkonte kryerja e saj.
Organizimi i rretheve të ndryshme
Dijet kulturore për nxënësit jepeshin nëpërmjet, organizimit të rretheve të ndryshme që ngriheshin pranë shkollave si rrethet e natyralistëve dhe biologëve, rrethet e mbledhësve të gojëtarisë popullore dhe folklorit, rrethet letrarëve të ri dhe të gjuhëtarëve, rrethet e historianëve e arkeologëve, rrethet sportive etj. Në këto rrethe jo vetëm që jepeshin dije teorike dhe praktike në fushat përkatëse por formonin edhe shprehi loje e interpretimi si në aktivitete sportive, në mësimin për të interpretuar në vegla muzikore, në kërcim vallesh popullore etj. Nga këto rrethe dolën solistë e valltarë që shkëlqyen në aktivitet kulturore e sportive që zhvilloheshin në takime mes shkollash, në festivale e olimpiada por gjallëruan dhe ngritën nivelin e interpretimit edhe në dasma festa e aktivitete të tjera duke krijuar kënaqësi e emocione frymëzuese te shikuesit. Kontributi i drejtuesve dhe mësuesve të këtyre shkollave, vendas dhe të ardhur, për këtë periudhë kohe në zhvillimin e progresit mësimor edukativ, ka qenë i jashtëzakonshëm. Në shkollën tetëvjeçare Ramicë, pas viteve 1960 kanë drejtuar shkollën Dasho Matodashaj, Fuat Kokallaj, Dane Hoxha, Jorgo Meksi, Lefter Malaj, Safet Malaj, Shpendi Curraj, Arsen Kokallaj etj. Kanë dhënë mësim në këtë shkollë, pas vitit 1960, përveç drejtorëve që përmendëm, mësuesit Lefteri Curraj, Bejto Dulaj, Hysen Ruka, Asqeri Malaj, Maliq Sulçaj, Luftie Malaj (Zotaj), Nefize Muçaj (Hoxhaj), Tatjana Zotaj, Fillomena Gjipali, Idajet Sejdiaj, Selim Matohitaj, Milika Lekaj (Kokallaj), Bashkim Fino, Afërdita Islamaj, Afërdita Meçorrapaj, Agim Ruka etj.
Arsimi i mesëm në Ramicë
Klasa e parë e shkollës së mesme, në krahinën e Smokthinës, u hap në vitin mësimor 1985, pranë shkollës 8 vjeçare “Sadik Zotaj” në Ramicë, në degën e Agronomisë. Në vitin e parë u rregjistruan 82 nxënës që vinin edhe nga Velça, Matogjini, Bashaj, Vërmik e Mesaplik. Lëndet e përgjithshme mësimore i jepnin mësuesit e shkollës 8 vjeçare, ndërsa lëndët e specialitetit, që ishte agronomi, i jepnin specialistët e bujqësisë. Nga shkolla e Ramicës në këto 100 vite të mësimit dhe të edukimit të saj kanë përfunduar arsimin e lartë mbi 200, (ku një e treta janë femra), në degët inxhinieri, mësuesi, ekonomi, diplomat, jurist, oficerë, mjek, agronom, zooveteriner, zooteknik, farmacistë, etj., që punojnë në Shqipëri, por dhe në vende të tjera të Evropës dhe në SHBA.
Sigal