‘Arrest shtëpie’ për Bardh Spahinë: Gjykata jep masën e sigurisë për ish-deputetin

Gjykata e Shkodrës ka dhënë masën e sigurisë “arrest shtëpie” për ish-deputetin, demokratin Bardh Spahia. Në fjalën e tij para gjykatësve, Spahia mësohet se është shprehur se gjyqi në ngarkim të tij është politik: “Arrestimi im është me prapaskenë politike. Gjykata duhet të vlerësojë dhe të shikojë faktet e vërteta”.

Ish-deputeti u arrestua më 20 qershor për atë që Policia e quajti sulm ndaj KZAZ-ve, në kohën kur po shkonte në debat televiziv në TCH. Më herët qenë arrestuar 5 protestues të tjerë me akuzat: “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, ”Dëmtimi me dashje i materialeve zgjedhore”, “Kundërshtimi i Punonjësit të Rendit publik”, “Goditja për shkak të detyrës”, “Kanosja për shkak të detyrës” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të Punonjësit të Rendit publik”.

NOA

Sipas Policisë, ata në bashkëpunim me njëri- tjetrin kanë kryer veprime aktive, për të djegur me zjarr shkollën “Shejnaze Juka” dhe materialet zgjedhore që ndodheshin në ambientet e kësaj shkolle dhe kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë, të vendosur për të garantuar mos-prekjen e materiale zgjedhore.

Krahas Bardh Spahisë, masat e sigurisë u dhanë edhe për:

Gentian Bytyqi – polic i bashkisë Shkodër – Arrest me burg
Alfred Nikolli- polic i bashkisë Shkodër – Arrest me burg

Adi Garuci – specialist i bujqësisë, bashkia Shkodër – Arrest shtëpie
Aleks Ndoj – polic i bashkisë – Arrest shtëpie

Orlando Thepi – i mitur – Detyrim paraqitjeje