Ardenica mirëpret bijtë e trevës së Skraparit që banojnë në Lushnje dhe Fier

Nën/Dega e Shoqatës AK ‘Tomorri’ Kolonjë – Lushnje në bashkëpunim dhe nën kujdesin e kreut të Shoqatës Atdhetare Kulturore “Tomorri”  Engjëll Musai, zhvilloi  një takim përbashkues me personalitetet e trevës së Skraparit që jetojnë në zonat e Lushnjes dhe Fierit.

“Vlerësimi dhe nderimi i intelektualëve dhe atyre me kontribut në shoqatë , që nga krijimi i saj përbën edhe pasqyrën më të mirë, se Skrapari dhe qytetarët e saj kudo ku kanë punuar dhe jetuar kanë shpalosur vlerat më të mira profesionale dhe atdhetare.”

NOA

Dita e shtunë e datës 5 Nëntor 2022, ishte një ditë e veçantë për të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e Shoqatës Atdhetare Kulturore “Tomorri” të Nën/Degëve  Kolonjë e Divjakë të Lushnjes, si dhe e të ftuarve nga Dega e Fierit. Pa dyshim që kësaj dite të veçantë nuk i munguan edhe të ftuar special, figura të nderuara të shoqatës Nuri Çuni, Rustem Zyko si dhe Kryetari i Shoqatës Atdhetare Kulturore “Tomorri”, i cili ishte njëkohësisht bashkëorganizator i kësaj feste, që për nga mënyra e organizmit i ngjante një “dasme” të vërtetë,  ku zërat e shkëlqyer të grupit të këngëtarëve të burrave dhe grave ishin qershia mbi tortë. Takimi kishte si qëllim të ribashkonte të gjithë anëtarët e shoqatës, pas një pushimi gati 2 vjeçar për shkak të situatës së Covid-19. Përveç pjesëmarrësve nga nëndegët Kolonjë, Divjakë, dega e Fierit, bukurinë ia shtuan edhe simpatizantë të shoqatës që në gjakun e tyre kishin genin e skraparasit, çka përbën edhe bazën e themeleve mbi të cilën ngrihet kalaja e madhe e Shoqatës Atdhetare Kulturore Tomorri, pjesë e padiskutueshme e identitetit tonë kombëtar.

Aktivitetin sipas traditës e hapi mikpritësi i ‘shtëpisë’ z. Bashkim Sulçe , Kryetar i Nën/Degës Kolonjë, i cili u uroj mirëseardhjen të gjithë të ftuarve duke theksuar se sa më shumë festa të tilla të organizojmë, sa më afër të jemi njëri-tjetrin, aq më e fortë dhe me vlera do jetë shoqata. Mirëkuptimi, bashkimi dhe interesi kombëtar ka qenë edhe amaneti dhe qëllimi mbi të cilën u ngrit kjo shoqatë 116 vite më parë.

Më pas ai i dha fjalën njërit prej nismëtarve të krijimit të Shoqatës Tomorri, pas ardhjes së demokracisë, z.Nuri Çuni si një nga ikonat e shoqatës, studiues, personalitet i shquar dhe krenaria e kësaj shoqate, por edhe e  trevës së Skraparit së bashku me poetin, Xhevahir Spahiu i dekoruar me urdhërin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Gjatë përshëndetjes së tij z.Çuni bëri një historik të shkurtër të shoqatës, burrat e shquar që vendosën organizimin e saj duke theksuar mes të tjerave se: “Shoqata Atdhetare Kulturore  Tomorri është  njëra prej  shoqatave më të vjetra në vend, e themeluar pak vite përpara se Shqipëria të shpallte pavarësinë e saj.  Kjo shoqatë është trashëgimtare e shoqatës kulturore me të njëjtin emër, themeluar në Rumani , në nëntor të vitit 1906 dhe që ka patur veprimtari në shoqëri e klube të ndryshme si në Amerikë,  Greqi, Egjipt, ,Rumani etj. Gjatë viteve 1906,1921-1924, 1931, 1937,1951 themelues të  sajë kanë qënë figura të njohura si : Në Rumani Nikolla Naço, në Egjipt Jani Vruho, në Athinë Mit’hat Frashëri, dhe në Amerikë ka dhënë kontributin e jashtzakonshëm Fan S.Noli”, përfundoi fjalën e tij Nuri Çuni.

Atmosferës herë pas here i jepte fuqi dhe shkëlqim grupi artistik i burave dhe grave më këngët dhe vallet ku ndërthurej profesionalizmi i tyre me ison e anëtarëve të shoqatës , tashmë të bërë si një trup i vetëm, ku flamuri Kuq e Zi, valvitej në sallën, që për disa orë u kthye në strehën e skraparasve, ku malli për viset, shoqërohej me lotët e gëzimit përbashkues.

Një përshëndetje speciale dhe vlerësim për Shoqatën Atdhetare Kulturore “Tomorri” bëri edhe Kryetari i Shoqatës “Labëria” Ago Nezha. Ai vlerësoi arritjet e shoqatës homologe “Tomorri” duke shprehur vlerësimet maksimale, pasi ky takim i radhës, vjen pas asaj të organizuar në Tiranë gjatë muajit tetor 2022, dhe tregon konsolidimin dhe organizimin e shkëlqyer nga ekipi drejtues dhe kryesia e saj.

Aktiviteti  nga organizatorët e nën/degës ishte projektuar deri në detaje dhe radha e diskutimeve të lira, përshëndetjeve dhe këngëve, iu la dhënies së diplomave, të cilat i shpërndanë; Kryetari i Shoqatës Atdhetare Kulturore “Tomorri” Engjëll Musai dhe personalitete të ndryshme të pranishëm në këtë takim. Gjatë përshëndetjes paraprake z.Engjëll Musai falenderoi këtë organizim model, dhe se kujtimi, vlerësimi dhe nderimi i intelektualëve dhe kontribuesve të shoqatës , që nga krijimi i saj përbën edhe pasqyrën më të mirë, se Skrapari dhe qytetarët e saj kudo ku kanë punuar dhe jetuar kanë shpalosur vlerat më të mira profesionale dhe atdhetare. Nuk mund të ecim përpara, pa kthyer kokën pas në historinë dhe rrugën në të cilën kanë kaluar breza të tërë. Në përfundim të përshëndetjes së tij Kreu i Shoqatës Atdhetare Kulturore “Tomorri” theksoi se të gjithë jemi “zero” pa fund dhe se këto “zero” marrin vlerë të jashtëzakonshme kur në krye të saj është Shoqata Atdhetare Kulturore “Tomorri”.

Nga ana e tyre personalitetet e vlerësuara, falenderuan  Shoqatën Atdhetare Kulturore “Tomorri”, me urimin për një vazhdimësi të traditës, duke shprehur gatishmërinë se këto momente tregojnë sot më shumë se kurrë se bashkimi rreth saj është jo vetëm domosdoshmëri, por edhe respekt për amanetin e brezave të skrapalinjve në shekuj.

MIK I SHQUAR I SHOQATËS “TOMORRI”

KOZMA GJINI

Për  kontribute të spikatura gjatë karrierës si intelektual,mësues e drejtues prej mbi 40 vjetësh kontribut në arsim, me rendiment e cilësi në punën mësimore-edukative. Shkrimtar e publicist i shquar në median e shkruar dhe audiovizive. Ka dhënë një ndihmesë të vyer në propagandimin e ngjarjeve historike, të figurave patriotike e intelektuale të Myzeqesë. Ka një bashkëpunim të shkëlqyer në ndërthurjen e vlerave të trevës së Myzeqesë me ato të qytetarëve të ardhur nga qytetet e tjera të Shqipërisë dhe sidomos në bashkëpunimin me Shoqatën Atdhetare Kulturore “Tomorri”.

                 PERSONALITET I SHQUAR I SHOQATËS “TOMORRI”                    BASHKIM SULÇE

Për veprimtarinë e shquar dhe me kontribute, si patriot i shquar për çështjen kombëtare, studiues i afirmuar dhe pasionant i së drejtës. Është karakterizuar nga disiplina e lartë në profesionin e mësuesit  dhe i palodhur në krijimin e këndeve sportive kudo që punoi. Si aktivist i dalluar shoqëror ka kryer e kryen detyra shoqërore duke mbajtur gjallë traditat dhe vlerat patriotike të trevës së vendlindjes, Skraparit. Drejton Organizatën e Pasardhësve të veteranëve të fshatit Kolonjë. Aktualisht është Kryetar i Shoqatës Atdhetare Kulturore “Tomorri”, Dega Kolonjë-Lushnje. 

PERSONALITET I SHQUAR I SHOQATËS “TOMORRI”

                                               ISUF  LIÇO                                                       

Intelektual me dije të thella shkencore, kulturë të gjerë, me vizion të qartë, me kurajo profesionale për të shkelur në shtigje të vështira. Dalluar për punë me rendiment e cilësi të lartë në drejtimin e shkollave, ku ka punuar në rrethin e Lushnjës. Ka dhënë kontribut të veçantë për edukimin në shkollë, duke ofruar  edhe nxënësit që kishin tendanca për të braktisur shkollën. Dallohet në zhvillimin e veprimtarive shoqërore dhe veçmas në shtimin e radhëve me të rinj të Shoqatës Atdhetare Kulturore “Tomorri”, degën e së cilës drejton në Divjakë.

PERSONALITET I SHQUAR I SHOQATËS “TOMORRI”

  ISTREF  CULLHAJ 

Për kontribut të vyer në edukimin e brezit të ri. Mësues me nivel e cilësi të lartë shkencore e metodik në lëndën e matematikës në shkollën e mesme Kolonjë-Lushnje. Gëzon respektin e kolegëve dhe të nxënësve dhe ka marrëdhënie mjaft të mira me komunitetin e prindërve. Aplikon të rejat shkencore në lëndët e profilit. Dallohet  në kryerjen e detyrave shoqërore në komunë. Promovues i shkëlqyer i vlerave  patriotike të trevës së  Skraparit e sidomos në forcimin e Shoqatës Atdhetare Kulturore “Tomorri” me elementë të rinj.
 

PERSONALITET I SHQUAR I SHOQATËS “TOMORRI”

RESUL  PRISHTA   

Atdhetar dhe patriot në mbrojtje të vlerave demokratike, lirisë dhe të vërtetës. Lindi në Prishtë të Skraparit. Në moshën 7 vjeçare, u vendosën në fshatin Libofshë dhe më vonë në qytetin e Lushnjes, si i përndjekur politik. Ka punuar në  disa vende pune me përkushtim, duke gëzuar respektin e shoqërisë. Gjatë gjithë jetës me veprën e tij, punoi në shërbim të kombit dhe kurrë nuk e humbi  shpresën se  ëndrra  për barazi  një ditë do bëhet realitet. Shoqata Atdhetare Kulturore “Tomorri” mbetet medalje e përjetshme në mendjen dhe zemrën e tij.

PERSONALITET I SHQUAR I SHOQATËS “TOMORRI” 

 Irfan Hajdari

Për kontribute të shquara në arsimin shqiptar në profesionin e mësuesit, në rrethin e Skraparit dhe vizionar në drejtimin e shkollave në qarkun e Fierit. Është karakterizuar nga disiplina e lartë, dhe përvojën si prind dhe edukator i brezit të ri në fushën e mësimdhënies e ka vazhduar edhe në funksione të tjera shtëtërore dhe publike në drejtimin e Postës Shqiptare-dega Fier.  Si aktivist i dalluar shoqëror ka kryer  detyra patriotike si Nën/Kryetar i Shoqatës Atdhetare Kulturore “Tomorri”, dega Fier.