AP: Në ditën ndërkombëtare për zhdukjen e varfërisë shumë familje shqiptare jetojnë në varfëri ekstreme

471
Sigal

 Gazeta Telegraf/

AP: Po
punojmë për llogaritjen dhe shpalljen e minimumit jetik së bashku me ekspertë
të pavarur të ekonomisë

Totozani: Shpallja e minimumit
jetik garanton standarde dinjitoze jetese për më të varfërit

 

Avokati i Popullit, z. Igli Totozani, në Ditën
Ndërkombëtare për Zhdukjen e Varfërisë shpreh shqetësimin se shumë familje
shqiptare vazhdojnë të jetojnë në kushte varfërie ekstreme, ndërkohë që nuk ka
asnjë zhvillim për llogaritjen  dhe shpalljen e minimumit jetik nga ana e
strukturave qeveritare, të ngarkuara me këtë detyrim ligjor.  

Në këto kushte, pas insistimit të vazhdueshëm 5-vjeçar pa
rezultate konkrete, Institucioni i Avokatit të Popullit në bashkëpunim me
ekspertë të pavarur të fushës ka nisur punën për shpalljen e këtij minimumi
jetik në Shqipëri. Ky angazhim mbështetet në një studim të thelluar, realizuar
nga ekspertë të ekonomisë, mbi bazë të një metodologjie bashkëhorore dhe të
dhënave të siguruara nga institucionet shtetërore. Shpallja dhe njohja e këtij
minimumi jetik nga ana e strukturave qeveritare përgjegjëse do të ndihmonte
shtresat më të varfra, si dhe të gjitha kategoritë e personave vulnerabël
 për të arritur një standard dinjitoz jetese.  

Sipas të dhënave zyrtare të treguesve të nivelit të
varfërisë rezulton se rreth 14.3% të familjeve jetojnë në varfëri absolute (e
përcaktuar në Shqipëri si numri i personave me konsum mujor real nën 4891 lekë)
si dhe rreth 2.2% jetojnë në varfëri ekstreme (e përcaktuar si numri i
personave që kanë vështirësi në përmbushjen e nevojave bazë ushqimore).

Aktualisht rreth 7.3% e familjeve shqiptare trajtohen me
ndihmë ekonomike. Por, në realitet nuk është ky numri i familjeve që kanë
nevojë për mbështetje nga skema, pasi numri i kërkesave është shumë më i madh.

Në 17 tetor të vitit 1987, mbi 100 mijë persona u mblodhën
në Paris për të nderuar viktimat e varfërisë, dhunës e urisë. Që atëherë 17
tetori rikujtohet për angazhimin që t’i jepet fund varfërisë. 17 tetori u njoh
si ditë zyrtare në 1993 nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, por kjo ditë
përkujtohet që nga viti 1987 në shumë vende.