AP: Invalidëve iu cënohet minimumi jetik nga përmbarimi

640
Sigal

Avokati i Popullit: Individëve iu cenohet minimumi jetik gjatë procedurave të përmbarimit

 

Ekzekutimi i titujve ekzekutivë nga zyrat e përmbarimit cenon shpesh interesat jetike të individëve, pasi ai që mbetet i paqartë është minimum jetik. Thënë qartë, individëve nuk iu lihen mjaftueshëm para nga të ardhurat e tyre për të përballuar jetesën, ndërkohë që janë duke paguar “borxhin”. Raporti i Avokatit të Popullit për aktivitetin e institucionit, në vitin 2018, ngre një sërë problematikash të hasura te shërbimi përmbarimor privat dhe shtetëror në vend. Konkretisht, gjatë vitit të shkuar, u paraqitën pranë zyrës së Avokatit të Popullit 32 ankesa ndaj Shërbimit të Përmbarimit Gjyqësor Shtetëror dhe 11 ankesa ndaj Shërbimit të Përmbarimit Gjyqësor Privat. Gjatë vitit 2018, numri i ankesave ndaj Shërbimit të Përmbarimit Gjyqësor Shtetëror është tre herë më i lartë se numri i ankesave ndaj Shërbimit të Përmbarimit Gjyqësor Privat.

“Një problematikë e konstatuar edhe në vitet e mëparshme nga Avokati i Popullit, në procesin e ekzekutimit të vendimeve gjyqësore të formës së prerë, me objekt, detyrimin e subjektit debitor privat të paguajë shuma të caktuara në të holla, mbetet mospërcaktimi zyrtar i minimumit jetik të individit. Në këto kushte, në rastin e kryerjes së veprimeve përmbarimore për ekzekutimin e detyrueshëm të titullit ekzekutiv mbi të ardhurat mujore të debitorit, krijohen situata në cenim të interesave jetike të tij”, raporton Avokati i Popullit. Në të njëjtin dokument theksohet se procesi i ekzekutimit të titujve ekzekutivë mbi pasuri të paluajtshme për vjeljen e detyrimit në të holla has pengesë për shkak të mosnxjerrjes nga ana e Këshillit të Ministrave, të vendimit përkatës për përcaktimin e metodologjisë në caktimin e vlerës së sendit të sekuestruar prej Shërbimit të Përmbarimit Gjyqësor.

 

Përcaktimi i normës së strehimit

Një tjetër element që zyra e Avokatit të Popullit sjell në vëmendje ka të bëjë me përcaktimin e normës së strehimit. Pra kur individëve, për shkak të detyrimit, iu merret shtëpia. Sipas raportit kjo pikë ka nevojë që të bëhet objekt shqyrtimi në Kuvend ku duhet të sqarohet përcaktimi i normës së strehimit, si send mbi të cilin nuk mund të vendoset masa e sekuestros në procesin e ekzekutimit të titujve ekzekutivë. “Situata e krijuar, pas zhveshjes së individit debitor nga mundësia e strehimit të tij, me rastin e ekzekutimit të detyrueshëm të titullit ekzekutiv, ka krijuar dhe krijon premisa për uljen në mënyrë të skajshme të standardit të jetesës për individin debitor, kur ai e ka poseduar banesën me familjen e tij. Kategoria e individëve debitorë, familjeve të tyre, të cilëve ju është hequr pronësia mbi pasurinë e vetme të paluajtshme, pra banesën e tyre, si rrjedhojë e ekzekutimit të titujve ekzekutivë kanë qenë dhe janë të ekspozuar ndaj humbjes së standardit minimal për strehim, i synuar për t’u arritur në objektivat socialë të shtetit të parashikuara në nenin 59, të Kushtetutës”,thuhet në raportin e Avokatit.

 

Familjeve të mos iu merret ndihma ekonomike

Avokati i Popullit ka theksuar edhe një element tjetër në raportin e vitit 2018, të lidhur me ndihmën ekonomike dhe caktimin e saj si send mbi të cilin mund të vendoset masa e sekuestros. “Çështja e përcaktimit të ndihmës ekonomike, apo ndihmës për trajtimin shëndetësor të debitorit, si send mbi të cilën nuk mund të vendoset masa e sekuestros në procesin e ekzekutimit të titujve ekzekutivë, mund dhe duhet të jetë objekt shqyrtimi legjislativ nga ana e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Në procesin e shqyrtimit të kësaj çështjeje, institucioni i Avokatit të Popullit ka përgatitur dhe i ka dërguar një rekomandim ministrit të Drejtësisë për amendimin e nenit 529, të K.Pr.C. Edhe pse janë pranuar në parim rekomandimet, marrja e nismës për amendim ende nuk është kryer”, – nënvizohet në raport./ Monitor