Ali Aliu: I krishteri e myslimani janë vëllezër shqiptarë, të pandarë

16

Hafiz Ali Korça (1874-1957) mësues atdhetar, hoxhë dhe intelektual i dalluar i kombit.

Sigal

 

– Në vitin 1893, kur ishte në moshën 20 vjeçare, u internua në Sinop, sepse ndërsa udhëtonte me trenin Sofie-Stamboll, iu kapen librat shqip, atëherë të ndaluar.

-Më 1900, u internua në Anadoll, për aktivitetin në mësonjëtoren e Korçës.

Midis hoxhallarëve të njohur për idetë, pikëpamjet dhe veprimtarinë e tyre fetare e kombëtare shquhet dhe Hafiz Ali Korça. Ai u lind në Korçë, në vitin 1874, në një mjedis të pastër, patriotik, fetar e kulturor. Ai u brumos me bindje dhe parime bazë, që e ngritën lart emrin e tij. Për këto ai, në vitin 1893, kur ishte në moshën 20 vjeçare, u internua në Sinop, sepse ndërsa udhëtonte me trenin Sofie-Stamboll, iu kapen librat shqip, atëherë të ndaluar. Më 1900, u internua në Anadoll, për aktivitetin në mësonjëtoren e Korçës. Pas Kongresit të Dibrës ia shkatërruan shtëpinë. Ka qenë anëtarë në Komisinë Shqip në Shkodër. Më pas, Kabineti i Telat Pashës e dënoi me vdekje, por me ndërhyrje u fal. Më 1924 u përjashtua nga Këshilli i Lartë i Sheriatit. Më 1925 botoi në Tiranë pamfletin “Bolshevizma a shkatërrimi i njerëzimit”. Hafiz Ali Korça zhvilloi një veprimtari intensive në disa drejtime dhe kryesisht në fushën e kulturës, të fesë dhe të publicistikës. Hafiz Ali Korça ka lënë edhe një numër të konsiderueshëm dorëshkrimesh e përkthimesh. Ai ka përkthyer kryeveprat si “Gjylistani”, “Rubairat” si dhe “Jusufi me Zelihanë”, i bëri të flasin shqip poetët e mëdhenj të orientit si Saadiun, Omer Kajamin etj. Ai ka qenë ndër mësuesit e parë të Mësonjëtores së parë shqipe në Korçë dhe bashkëpunoi ngushtë me Pandeli Sotirin, drejtorin e Mësonjëtores së parë shqipe të Korçës. Aty dha pa pagesë edukatë islame. Pas shpalljes së Pavarësisë, iu ngarkuan detyra të rëndësishme. Qe këshilltar i Ministrisë së Arsimit, Drejtor i Përgjithshëm po i kësaj Ministrie, Shef i Fetvasë në Këshillin e  Lartë të Sheriatit në Shqipëri, pedagog në Medresenë e Lartë të Tiranës etj. Gjatë jetës së tij Hafiz Ali Korça bashkëpunoi me një varg figurash që luajtën rol të rëndësishëm në historinë e kohës së re të Shqipërisë, siç janë: Kristo Luarasi, Jusuf Turabi Kërçova, Pandeli Sotiri, Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Mati Logoreci, Sali Nivica etj. Ka qenë mësues në Mësonjëtoren e Parë Shqipe të Korçës. Pjesëmarrës në Kongresin e Dibrës. Këshilltar dhe Drejtor i Përgjithshëm në Qeverinë e përkohshme të Vlorës të kryesuar nga Ismail Qemali (1914). Pjesëmarrës në Komisia Letrare Shqipe në Shkodër (1916-1918). Drejtor i Arsimit për Durrësin, Elbasanin, Dibrën, Matin dhe Pogradecin (1916). Ka vdekur në Kavajë në vitin 1957. Hafiz Ali Korça ka shkruar një varg veprash origjinale në prozë e poezi fetare dhe laike.

Në mesin e veprave të tij shquhen:

Mevludi (1900).

“303 fjalë të Imam Aliut” (Botuar në Korçë më 1910).

“Historia e shenjtë dhe të katër halifetë” (Botuar në Tiranë më 1931, fq. 288).

“Jusufi me Zelihanë” (Botuar në Elbasan më 1923).

“Gjylistani”, përkthim nga Saadiu, (1918).

“Shtatë Ëndrrat e Shqipërisë”, poezi, (Botuar në Tiranë më 1944).

“Tefsiri i Kur’anit”, (mbetur dorëshkrim, me një vëllim prej 2000 faqesh, punuar gjatë viteve 1920-1924.

“Rubaijjati Khajjam”(Hajjam, përkthim nga O. Kajami, 1930- Ribotim 1942 në Tiranë).

Një rëndësi të veçantë kanë gjithashtu edhe tekstet shkollore si :

“Abetare shqip” (1910).

“Fe Rrëfenjësi, morali” (1914).

“Gramatika, Sintaksa shqip—arabisht edhe fjalime”, (1916).

Në krijimtarinë poetike me temë atdhetare, të Hafiz Ali Korçës shquhet poezia  “Vajtimet e Atdheut, e cila iu ka  ushtuar bombardimit të Drenicës nga Serbët në korrik të 1924, me rastin e sulmit të divizioneve të Nikolla Pashiqit kundër çetave heroike të Azem Galicës dhe bashkëluftëtarëve të tij të njohur.

 

“Vajtimet e Atdheut”

Më s’tu nda zjarri, më s’t’u nda flaka.

Më s’t’u nda vrasja, ndjekja, shuplaka.

Më s’t’u nda therja, mbytja grabitja.

Më s’t’u nda shtypja, vojtja, drobitja.

Gra, burra, foshnja për ditë vriten,

nga vendi vet zhveshur po qiten.

Digjen katundet e përvëlohen.

Ah, shpirti më këputet, prej kujt s’ndalohen!

U gërmadhove, u copëtove,

krejt u trondite krejt u shkretove.

Qani, vëllezër, Kosovën, qani!

Për gjëmëzezën ca ditë zi mbani!

Qytetërimi ku asht vallë?

Përse Evropa nuk i sheh hallë?

Si s’po dëgjohet topi i shkretë?

Si s’shihet flaka që del mbi retë?

Si nuk dëgjohet rënkimi i shpirtit?

Pse s’këshillohet kombi gjakpirës?

Në botë, thua, s’ngeli bemires?

Qysh u shurdhua bota e tërë?

S’shohin barbari gjer sot ç’ka bërë

Qani, vëllezër, Kosovën, qani!