Alarmi: Mësuesit e shkollave, nevojë urgjente për psikologë

729
Sigal


Valë
denoncimesh dhe ankesash në drejtoritë arsimore dhe MAS


 Gazeta Telegraf/

 

Maksim
TUFA


 

Duket se nevoja
për psikolog është më urgjente për mësuesit , dhe jo për nxënësit. Ky konstatim
ndoshta do të duhet të përmbysë opinionin dhe faktin e trajtuar shumë vitet e
fundit sipas të cilit  “psikologu shumë i
nevojshëm në shkolla për nxënësit problematikë”. Por duket se shenja e
barazimit po vendoset edhe për një pjesë mësuesish. Kjo për faktin sepse kohët
e fundit, nga prindër dhe të afërm të nxënësve, në  pothuajse të gjitha shkollat 9 vjeçare, dhe
të mesme po tregohen dhe denoncohen akte dhune psikologjike, apo edhe shfaqje
depresioni nga mësueset e  klasave të 8
dhe 9 dhe ciklit të ulët. Në dy javët e fundit, qindra denoncime dhe ankesa
kanë vajtur në drejtoritë arsimore të rretheve dhe Ministrinë e Arsimit dhe
Sporteve, nga prindër që shfaqin shqetësimin e tyre të ligjshëm ndaj fenomeneve
negative, që kanë konstatuar në shkollat ku fëmijët e tyre mësojnë.
Prindërit  ankohen se “në shkolla ka
mësues  dhe mësuese që  konsumojnë më tepër kohë me celularin se
sa  me shpjegimin e mësimit, më tepër i
stresojnë fëmijët dhe nxënësit se sa i japin atyre dije, më tepër tregojnë
mungesë takti dhe edukate, se sa u përshfaqin fëmijëve shembullin e mirë të
edukatorit, gjë e cila ka sjellë më shumë deformime dhe strese tek nxënësit”.
Nga ana e saj Ministria e Arsimit dhe Sportele po u delegon DAR-eve në rrethe
të gjitha shqetësimet dhe problemet e mbërritura në portalin e atij
institucioni, dhe kërkon nga drejtuesit e rretheve verifikimin,  konstatimin e rasteve dhe marrjen e masave
urgjente . Burime zyrtare thanë se “shqetësimet dhe ankesat më të shumta ishin veçanërisht
nga Tirana, Elbasani, Durrësi, Peshkopia, Fieri,  Berati etj, dhe kryesisht nga mësues të
ciklit  9 -vjeçar.  Shqetësimet e prindërve  nuk kanë munguar të mbërrijnë edhe në
redaksitë e gazetave.

 

 

Një
prind nga Elbasani i deklaroi “Telegraf” këto ditë  se “vajza ime 
pothuajse çdo ditë vjen nga shkolla dhe më tregon me frikë skena të
cilat e kanë shokuar atë dhe nxënësit e tjerë të klasës saj, skena të bëra
pothuajse çdo ditë  demonstrativisht nga
mësuesja, duke nisur nga bisedat e gjata në celular në orarin e mësimit,
sharjet, debatet në prani të nxënësve me telefonuesin
e saj, e
duke përfunduar tek ndonjë gjest i dhunshëm, depresiv me të cilat ajo shoqëron
orët e mësimit”.
Duke vazhduar denoncimin e saj, gruaja nga Elbasani tha se
“ky vit ashtu si edhe vitet e tjera mësueset e shkollës ku mëson vajza ime, ka
nisur sërish me të njëjtat  avaze, forma
dhe metoda stresuese dhe të lodhshme për fëmijët, shpjegimin e mësimit,
komunikimin me nxënësit, ku konstatohet se nuk kanë  takt fare në çdo problem dhe detaj të orëve
të mësimit dhe, më kryesorja mbetet fakti, se kur vajza më vjen në shtëpi më
thotë se “nuk shkoj më tek ajo shkollë, mësuesja vetëm bërtet, zihet me dikë në
telefon, shan, fyen dhe bën gjeste me duar dhe këmbë, kurse ne strukemi poshtë
bankave me njëri-tjetrin”. Këtë fakt tronditës prindi nga Elbasani e ka treguar
edhe tek një inspektor i DAR,  si dhe e
ka bërë prezent edhe tek portali i MAS, ndërkohë që ka nisur verifikimi
problemeve të shfaqura në disa shkolla. Raste të ngjashme janë denoncuar në
redaksi edhe nga qytete të tjera.


Një
prind nga Durrësi deklaroi për “Telegraf” se “djalin tim në shkollën e plazhit
e streson çdo ditë mësuesi kujdestar, nuk ka javë që nuk i kërkon lekë për
fletore, për fotokopjet, për perdet, për shkumësat,  aq sa ia ka nxirë jetën gjithë klasës, në DAR
na përcjellin  me premtime dhe fjalë të
bukura”.

Duket se nevoja urgjente për psikologun në shkolla, ka kaluar në vendin e parë
për vetë mësueset, të cilat debatet, problemet dhe të gjitha ngarkesat negative
të bartura nga familja apo rrethi i tyre i ngushtë shoqëror, ja zbrazin  ndoshta pa dashje nxënësve në klasa. Është e
papranueshme të mësosh dhe zbulosh që një mësuese arrin deri aty sa flet me
minuta të tëra, ose gjatë gjithë orës së mësimit me celular, është e
papranueshme të mësosh dhe të dëgjosh nga goja e prindërve të shqetësuar se si,
një mësuese, edukatore e brezit  të ri,
përdor fjalë fyese në klasa si “fyçkë, budallaqe, or debil” dhe të heshtësh
duke mos marrë  asnjë masë. Drejtoritë e
shkollave dhe DAR-et, duhet të atashojnë me urgjencë psikologun në
institucionet e tyre  pikërisht për
mësuesit, pasi duket se ata janë të parët që kanë nevojë për relaksim mendor,
dhe uljen e nivelit të depresionit që i shoqëron qysh herët në mëngjes derisa
mbaron orari mësimit. Nxënësit në shkolla duhet të jenë të qetë, kurse
prindërit duhet të kenë besimin e patundur se, fëmijët e tyre në shkolla
mësojnë dhe formohen nga mësues normalë dhe të aftë  profesionalisht. Denoncimet në “Telegraf”
kanë ardhur nga prindër që fëmijët e tyre i kanë në pothuajse të gjitha
shkollat kryesisht në ato 9 vjeçare, ndërkohë që apelojnë tek MAS dhe DAR-et e
rretheve të tyre  për të verifikuar,
kontrolluar, por edhe për të marrë masa drastike ndaj çdo  mësuesi 
ose mësuese, që problematikat familjare 
e personale i përshfaq  dhunshëm
të shoqëruara me veprime  depresive, në
klasa me nxënësit. Prindërit shprehen të shqetësuar për mbarëvajtjen e fëmijëve
të tyre, dhe shpesh po  kërkojnë
largimin  nga njëra shkollë tek tjetra.
Por kjo nuk është zgjidhja e duhur, pasi në rast se drejtoritë e shkollave nuk
kanë fuqi ligjore,  dhe heshtin për
veprime të tilla të ndonjë mësuesi depresiv, duhet të jenë drejtoritë
arsimore,  që duhet të ndërhyjnë me
forcën e ligjit dhe  rregulloreve të
miratuara nga MAS, për të flakur nga shkollat 
ato mësuese që nuk janë të afta jo vetëm profesionalisht, por edhe  nga ana psikike për të qenë edukatorë të
brezit të ri. Nga ana tjetër MAS, duhet me urgjencë të fusë  kryesisht në shkollat 9 vjeçare, psikologun
për mësuesit, pasi mjaftojnë rastet e denoncuara në media për të mos e vonuar
asnjë ditë të vetme zgjidhjen e kësaj problematike, e cila ka sjellë situata të
rënda në klasa shkollore të vendit, që deri sot kanë qenë mbajtur ndoshta të
fshehura.