Rritet siguria për festat e fundvitit, Policia e Shtetit publikon planin e masave

36
Sigal

Strukturat e Policisë së Shtetit kanë shtuar vigjilencën dhe gatishmërinë për të garantuar mbarëvajtjen e festave të fundvitit.

Përmes një njoftimi të publikuar në rrjetin social “Facebook”, blutë bëjnë me dije se për garantimin e rendit dhe të sigurisë, parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive, janë të angazhuara Forcat e Sigurisë Kombëtare, drejtoritë vendore të Policisë dhe ato kufitare, Forcat e Posaçme Operacionale dhe Policia Kriminale.

Ndër të tjera theksohet se për netët festive të Krishtlindjes dhe të ndërrimit të viteve, por dhe gjatë gjithë ditëve të fundvitit do të ketë rritje të prezencës policore në shëtitore, pedonale, objekte kulti dhe sheshe publike, në të gjitha bashkitë e vendit, për të garantuar mbarëvajtjen e festimeve.

Njoftimi i plotë:

Policia e Shtetit, gadishmëri të plotë për të garantuar rendin dhe sigurinë, me rastin e festave të fundvitit.  

Masat shtesë, duke filluar nga pikat e kalimit kufitar, në kufirin e gjelbër, në akset rrugore dhe në qendrat e banuara. 

Për garantimin e rendit dhe të sigurisë, parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive, të angazhuara Forcat e Sigurisë Kombëtare, drejtoritë vendore të Policisë dhe ato kufitare, Forcat e Posaçme Operacionale dhe Policia Kriminale.  

Me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë festave të fundvitit, Krishtlindjeve, natës së ndërrimit të viteve dhe ditëve të para të vitit të ri 2024, Policia e Shtetit ka hartuar një plan te detajuar masash, për të siguruar mbarëvajtjen e festave dhe për të parandaluar ngjarjet kriminale dhe ato rrugore, pasi prej dy ditësh ka fluksit të madh në të gjitha pikat e kalimit kufitar, për të hyrë në Shqipëri. 

Masa shtesë janë ndërmarrë edhe për të parandaluar futjen në Shqipëri, të lëndëve piroteknike dhe përdorimin e kundërligjshëm të tyre.

Masat e marra kanë për qëllim rritjen e parametrave të sigurisë në komunitet në të gjithë territorin, duke shtuar prezencën e shërbimeve të Policisë,  parandalimin e ngjarjeve kriminale, nëpërmjet kontrollit të plotë të territorit nga strukturat e Policisë, kontrollin ndaj personave me precedentë kriminalë, automjeteve të tyre dhe të ambienteve që ata frekuentojnë, bazuar në inteligjencën informative,  sigurimin në kohë të informacioneve për parandalimin e ngjarjeve kriminale, si dhe për kapjen e personave të shpallur në kërkim për ngjarje kriminale.

Për të eliminuar radhët e gjata në hyrje, janë marrë masa, janë shtuar sportelet dhe burimet njerëzore në të gjitha pikat e kalimit kufitar. Po bashkëpunohet me homologët në pikat tokësore, me qëllim krijimin e lehtësirave ligjore, shmangien e radhëve të gjata dhe për sigurimin e lëvizjeve të njëtrajtshme, në të dyja anët e kufirit. 

Njëkohësisht është rritur kontrolli si në pikat e kontrollit kufitar, ashtu edhe në kufirin e gjelbër, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare.

Masa janë marrë edhe në drejtim të parandalimit të ngjarjeve rrugore, duke shtuar monitorimet në të gjitha akset rrugore, me makina inteligjente, radarë automatikë dhe me patrulla të lëvizshme, me mjete të pauniformuara, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.

Ndërkohë, vijon kontrolli ndaj subjekteve që tregtojnë fishekzjarrë dhe lëndë të tjera piroteknike, duke bashkëpunuar me PMNZH-në dhe me strukturat e tjera ligjzbatuese.

Për netët festive të Krishtlindjes dhe të ndërrimit të viteve, por dhe gjatë gjithë ditëve të fundvitit do të ketë rritje të prezencës policore në shëtitore, pedonale, objekte kulti dhe sheshe publike, në të gjitha bashkitë e vendit, për të garantuar mbarëvajtjen e festimeve gjatë natës së Krishtlindjes dhe gjatë natës së ndërrimit të viteve, duke bashkëpunuar edhe me policitë bashkiake përkatëse.

Gjithashtu, strukturat e Policisë kanë planifikuar masa për mbajtjen në kontroll të sigurisë dhe rendit, në restorante, lokale dhe qendra tregtare, që kanë frekuentim të lartë qytetarësh.

Për të parandaluar ngjarjet kriminale, janë shtuar shërbimet dhe patrullimet në afërsi të  bankave, zyrave të këmbimit valutor, tregjeve dhe objekteve të tjera, ku administrohen vlera monetare dhe materiale.

Forcat e Sigurisë Kombëtare janë shpërndarë në porte, aeroporte, pika kalimi, në qendra të mëdha urbane dhe në akse rrugre, duke bashkëpunuar me strukturat vendore dhe janë në gadishmëri të plotë për të ndërhyrë në çdo moment, në rast së është e nevojshme. 

Policia e Shtetit uron qytetarët gëzuar festat e fundvitit dhe i siguron ata se është tërësisht e angazhuar për të krijuar një ambient sa më të sigurtë për të gjithë qytetarët, dhe në këtë kuadër i fton ata që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, çdo rast paligjshmërie.