Akuzohen se abuzuan me të miturën në Babrru, Apeli lë në fuqi dënimin për rojën e shkollës dhe tre djemtë

158
Sigal

Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Tiranë, e cila ka shpallur fajtor ish-rojen e shkollës në Babrru, Abas Doga, pasi dyshohet abuzoi me një vajzë të mitur.

Kështu, Doga do të vuaj dënimin prej 18 vitesh burg dhe me gjykim të shkurtuar, ai do të bëjë 12 vite burg.

Ish-roja e shkollës do ta kryejë dënimin e tij në një burg të sigurisë së zakonshme. Po ashtu, fajtor për përdhunimin e të miturës është shpallur edhe Klajdi Poçi, i cili me gjykim të shkurtuar do të bëjë shtatë vjet e katër muaj burg.

Fajtor është shpallur edhe i mituri R.O, i cili do të kryejë 3 vjet e 8 muaj burg. Edhe i mituri F.B u shpall fajtor dhe e presin 3 vite e katër muaj burg.

Kujtojmë se Doga, Poçi dhe dy të rinj të tjerë që janë nën moshë, dyshohet se përdhunuan për një kohë të gjatë një 15 vjeçare në zonën e Babrrusë në Tiranë duke e shantazhuar përmes publikimit të videove intime dhe shkrimin e emrit të saj në muret e pallateve të lagjes.

Njoftimi i Gjykatës së Apelit:

Siç është raportuar edhe në media të ndryshme, ngjarja e ndodhur në datën 29.05.2020 në Kamëz Tiranë, mbi kallëzimin e bërë nga shtetasja e mitur me iniciale S.TH, janë akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur të moshës 14-18 vjeç”, shtetasi me iniciale A.B roje shkolle, shtetasi me iniciale K.P, si dhe të miturit në konflikt me ligjin R.O dhe F.B. Referuar interesimit të medias për këtë rast njoftojmë se:

Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, u zhvillua gjykimi lidhur me çështjen penale me të pandehur A.B, K.P, F.B dhe R.O , të akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur të moshës 14-18 vjeç” , e parashikuar nga neni 101/2 i K.Penal.

Lidhur sa më sipër, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin nr. 31 datë 13.01.2021 ka vendosur:

-Deklarimin fajtor të të pandehurit A.B, për kryerjen e veprës penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur të moshës 14-18 vjeç” , e parashikuar nga neni 101/2 i K.Penal dhe dënimin me 12 (dymbëdhjetë) vjet burgim

-Deklarimin fajtor të të pandehurit K.P, për kryerjen e veprës penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur të moshës 14-18 vjeç”, e parashikuar nga neni 101/2 i K.Penal dhe dënimin me 7 (shtatë) vjet burgim.

-Deklarimin fajtor të të pandehurit R.O, për kryerjen e veprës penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur të moshës 14-18 vjeç”,, , e parashikuar nga neni 101/2 i K.Penal dhe dënimin me 3 (tre) vjet e 8 (tetë) muaj burgim.

– Deklarimin fajtor të të pandehurit F.B, për kryerjen e veprës penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur të moshës 14-18 vjeç”,, , e parashikuar nga neni 101/2 i K.Penal dhe dënimin me 3 (tre) vjet e 4 (katër) muaj burgim.

-Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga i pandehuri me iniciale A.B, ku avokati i tij kërkoi ndryshimin e vendimit penal duke i caktuar të pandehurit një masë dënimi më të butë.

– Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga i mituri në konflikt me ligjin shtetasi me iniciale F.B, ku avokati i tij kërkoi ndryshimin e vendimit penal duke u aplikuar nenin 59 K.P.

– Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga i pandehuri me iniciale K.P, ku avokati i tij kërkoi ndryshimin e vendimit penal duke u aplikuar nenin 59 K.P.

– Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga i mituri në konflikt me ligjin shtetasi me iniciale R.O, ku avokati i tij kërkoi ndryshimin e vendimit penal duke u aplikuar nenin 59 K.P.

— Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga viktima e veprës penale me iniciale S.Th, ku avokatia e saj kërkoi ndryshimin e vendimit penal duke caktuar një masë dënimi më të lartë.
Në vijim, Gjykata e Apelit Tiranë me vendimin nr. 521 datë 02.11.2021 vendosi:

– Lënien në fuqi të vendimit nr.31, date 13.01.2021 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, përsa i përket të pandehurit A.D dhe të miturve në konflikt me ligjin F.B dhe R.O, duke e ndryshuar atë vetëm në lidhje me ekzekutimin e dënimit me burgim për të miturit në konflikt me ligjin F.B dhe R.O.

-Ne aplikim të nenit 59 të K.Penal, urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të dënimit me burgim, për pjesën e pavuajtur të tij, për të miturin në konflikt me ligjin F.B, për një afat prove prej 4 vjet, me kusht që të mos kryejë vepër tjetër penale.

-Ne aplikim të nenit 59 të K.Penal, urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të dënimit me burgim, për pjesën e pavuajtur të tij, për të miturin në konflikt me ligjin R.O, për një afat prove prej 4 vjet, me kusht që të mos kryeje vepër tjetër penale.

– Mospranimin e ankimeve të mbrojtësit dhe të të pandehurit K.P si dhe të viktimës S.Th.