Aksidenti tragjik në Elbasan, flet babai i vajzës që ishte në timon: Po shkonin në një ditëlindje

89

Po shkonin të festonin ditëlindjen e Lusinda Garunjës e cila iku nga kjo botë në përvjetorin e saj të lindjes.

Kjo është ajo që tregon babai i Denisa Dibrës, babait të vajzës që drejtonte automjeti tip “Volswagen” ditën e djeshme, në momentin kur u godit nga pas nga një makinë tip “Benz” në dalje të tunelit të Krrabës.

Ai thotë se vajza e tij është përmendur prej orës 05:00 të mëngjesit, ndërsa nuk mban mend asgjë nga aksidenti. Ndërsa shoqja e saj, Nervida Garunja është në gjendje më të rëndë shëndetësore dhe aktualisht ka nevojë për dhurim gjaku.

Familjarët e kësaj të fundit tashmë ndodhen në Shkodër ku kanë hapur dyert e mortit për të përcjellë për në banesën e fundit, motrën e vogël të Nervidës, Lusindën. E vdekur nga përplasja e një dite më parë mbeti edhe Xheneta Qallia.

“Vajzat po ktheheshin nga një gëzim. Vajza ime është jashtë rrezikut për jetën. Po shkonin në Korçë për ditëlindjen e njërës prej tyre. Goca ime është përmendur në orën 05:00 të mëngjesit dhe nuk e mban mend aksidentin.

Shkova te spitali i Traumës dhe aty pashë vajzën. Gjendja e Nervidës është kritike. Vajza ka nevojë për dhurim gjaku. Çdo dhurim është shpëtim për jetën e saj.

Ajo është si vajza ime. Si ajo dhe ato që nuk jetojnë më. Familja e saj ndodhet në Shkodër dhe presin trupin e Lusindës”, u shpreh ai për Abc News.

Behar Pema, shoferi i automjetit tip ” Benz” që goditi nga pas makinën ku udhëtonin katër vajzat ka qenë duke udhëtuar me shpejtësi 160 km në orë. Sipas ekspertëve auto-teknikë ai nuk ka frenuar, pasi gjatë ekspertimit në vendin e ngjarjes nuk ka pasur shenja frenimi.

Nervida Garunja i tha policisë ditën e djeshme se shoferi lëvizte nga një anë në tjetrën para se të ndodhte përplasja. Pema rezultoi i dehur në testin e alkoolit të kryer menjëherë pas ngjarjes dhe u vu në pranga nga uniformat blu.