Aksidenti në Këlcyrë/ Pas shkodranit, identifikohen edhe tre nga viktimat. Arrestohen dy persona

20
Sigal

Detaje të reja janë mësuar në lidhje me aksidentin tragjik në Këlcyrë ku duke i ikur policisë, një mjet me klandestinë doli nga rruga dhe për pasojë humbën jetën drejtuesi shqiptar Edison Bregaj dhe shtatë emigrantë të paligjshëm.

Mësohet se janë identifikuar dhe tre viktimat, të cilët ishin pakistanezë, ndërsa po punohet për identifikimin e të tjerëve.

Ndërkohë pas ngjarjes janë arrestuar dy persona, të cilët dyshohet se janë pjesë e linjës së trafikimit të emigrantëve të paligjshëm nga vendet e treta.

Si ndodhi aksidenti

Një automjet tip “Benz” i marrë me qira, me të cilin Bregaj po transportonte shtatë klandestinë, përfundoi në shtratin lumit Vjosë, ku si pasojë humbën jetën të gjithë personat që gjendeshin në të.

Mjeti u pikas nga një patrullë policie, e cila i ka bërë thirrje të ndalojë, por Bregaj ka refuzuar t’i bindet urdhrit të policisë duke shtuar shpejtësinë.

Efektivët i janë vendosur në ndjekje, por më pas u ka humbur nga sytë. Pas shumë kontrolleve u verifikua rreth orës 04:00 se ‘Benz’-i kishte përfunduar në shtratin e lumit Vjosë.

Drejtuesi i mjetit raportohet se ka qenë duke udhëtuar me mbi 200 km/orë, duke bërë që të humbiste kontrollin dhe të “fluturonte” rreth 300 metër në vijë ajrore nga rruga drejt lumit.

Shpejtësia e lartë e mjetit konfirmohet edhe nga fakti se para momentit fatal ‘Benz’-i që drejtohej nga Edison Brengaj, nuk është përplasur fare me bordurën metalike të rrugës, por ka përfunduar në shtratin e lumit.