Ndërsa rrit numrin e kontratave, Agolli rrit dhe vlerën për to. Për të mbuluar gropat e propagandës, FSHZH do të shpenzojë 5 miliardë lekë. Për të dy tenderët, fituesi do të shpallet më datë 24 korrik.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit, që drejtohet nga njëri prej njerëzve më të besuar të kryeministrit Edi Rama menaxhon miliona euro.
Tenderat e dalë nga ky institucion janë kaotik dhe në pjesën më të madhe janë të mjegulluar sa i takon specifikimeve të mënyrës se si mund të bëhen punimet, ose nuk janë të përcaktuara qartë vendet ku kryhen këto investime. Duke u kthyer në një burim të parave publike dhe e vështirë gjurmimi dhe ndjekja e udhës që kanë përshkuar paratë. Por një tjetër veçori e Fondit shqiptar të zhvillimit lidhet me kërkesat e vazhdueshme ndaj qeverisë për të vijuar financimin dhe zgjatje të kohës së punimeve por jo pak, por flasim për miliona euro, të cilat pas miratimit nuk dihet më as Nam as Nishan. Pak ditë më parë qeveria i kaloi një “thes” me euro për disa projekte. Dhe nuk ka vonuar tenderimi i tyre. Madje shpejt e shpejt në këtë verë të nxehtë ku të gjithë vrapojnë drejt plazheve për qetësi dhe freski. Brenda pesë ditëve, “FSHZH”-ja shpalli tenderat duke hapur procedurat e prokurimit për 12 projekte. Dritan Agolli e nisi korrikun dhe valën e tenderave me 500 milionë lekë për ndërhyrje në infrastrukturë rrugore, faza e dytë. Ndërhyrja në blloqet e banimit ka një fond goxha të konsiderueshëm për katër rajone, rreth 1.2 miliard lekë. Mbi një miliard të tjerë edhe për ndërhyrjet në rrugë, shtresat e asfaltit në katër rajonet e vendit. Kjo është faza e tretë. Më pas vjen përmirësimi dhe ndërhyrja tek strukturat mbrojtëse, veprat e artit. Fondi shkon mbi 750 milionë lekë për katër rajonet. 208 milionë lekë për nyjet lidhëse të rrugëve. Dhe në fund janë katër tendera për bashkitë që synon mbështetjen për ujësjellësat, materiale ndërtimi, elektrike dhe mobilim urban. E gjithë faza e dytë e këtij projekti shkon mbi 550 milionë lekë. Fundi i korrikut dhe fillimi i gushtit do të kënaqë shumë oligarkë që po fërkojnë duart kush do të marrë më shumë nga torta e madhe që shkon rreth 5 miliardë lekë. Konkretisht Autoriteti kontraktues Pra FSHZH ka hapur procedurën me tip kontrate shkurt dhe thatë fjalën “Punë” me numër reference. Numri i referencës : -74269-07-04-2023. Procedura do të jetë e hapur ndërsa data e hapjes figuron prej datës 05.07.2023 .