Afera me Spitalin e Kamzës/ Si “futën duart” në miliona lekë tendera Beqaj e Manastirliu, prej vitesh qendra mes ndryshkut të pajisjeve e mykut të mureve

110
Sigal

Qendra Shëndetësorë e Kamzës, që duhet të mbulojë nevojat e një komuniteti prej 100 mijë banorësh, sot ndodhet në gjendje të mjerueshme. Kushtet nuk janë aspak normale për të pritur njerëz që kanë nevojë për kurim.

Për herë të fundit në këtë qendër shëndetësore është vënë dorë në vitin 2016, kur në krye të Ministrisë së Shëndetësisë ishte Ilir Beqaj. Në fakt, në atë kohë nisën punimet për rikonstruksionin e godinës. Më datë 20 dhjetor të vitit 2016 ish-ministri hapi punimet për riparimin e spitalit dhe premtoi se kushtet do të jenë të mira. Ai tha se 840 milionë lëvrohen nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve për të rikonstruktuar dhe kompletuar këtë qendër shëndetësore.

“Duke nisur nga muaji maj i vitit të ardhshëm, banorët e Bashkisë së Kamzës do të përfitojnë një shërbim dinjitoz të kujdesit shëndetësor pranë Qendrës Shëndetësore Rreth 640 milionë lekë është fondi për rikonstruksionin e godinës, ndërsa 200 milionë lekë të tjera do të shkojnë për pajisjet mjekësore dhe mobilimin”, -deklaroi Beqaj në dhjetor të vitit 2016.

Por, në vitin 2017 atë e zëvendësoi ministrja Ogerta Manastirliu. Në këtë pikë pati vetëm ndryshim ministrash, por planet për aferat dhe vjedhjet vazhdonin njësoj. Ashtu bëri Manastirliu me fondin 840 milionë lekë të Spitalit të Kamzës.

Në 31 tetor të vitit 2017 ajo sëbashku me kryeministrin Edi Rama inauguruan punimet e qendrës shëndetësore në Kamëz. Duke u mburrur se ky spital është një nga më të mirët dhe ofron të gjitha shërbimet mjekësore 24 orë në 7 ditë të javës për qytetarët.

“Kemi shërbimin 24 orë të urgjencës, që është shumë i rëndësishëm për shërbimet e emergjencës që banorët të mos shkojnë direkt në qendrën spitalore universitare apo në qendra të tjera, por të jenë këtu prapë, të kenë akses në 24 orë në 7 ditë të javës. të gjithë kabinetet përkatëse me 10 mjekë specialistë”, u shpreh ajo.

Por sot pas 5 vjet e gjysmë Qendra Shëndetësore në Kamëz, të cilën Rama e quajti “një model” është kthyer në gjendjen e mëparshme. Prej atij viti ku u vodhën 840 milionë në këtë godinë nuk është vënë më dorë. Maksimumi bëhen tenderë për ilaçe dhe paisje mjekësore. Ndërsa kushtet e spitalit janë aspak të përshtatshme për pacientë e sëmurë.

Këtë na e tregon një video që e ka sjellë në JOQ Albania një qytetar i Kamzës. Sikur shohim në video mbetjet spitalore ndodhën kudo, pasi koshat janë tejmbushur, si pasojë shiringa e kuti serumesh derdhen në tokë.

Gjithashtu, vëmë re se shtretërit nuk janë të pastër, janë të parregullt dhe nuk kanë materialet e nevojshme. Në tualete gjithashtu, mungojnë solucionet e dezinfektimit dhe larjes. Pajisjet janë të ndryshkura dhe rrezikojnë infeksionin e pacientëve.

Më tutje në video vërehet se muret janë me lagështirë dhe të pa lyera, çka tregon se që në vitin 2017 nuk është bërë asnjë ndërhyrje në këtë godinë. Shpresojmë që pas këtij reagimi të paktën të veprojë kryebashkiaku Rakip Suli, duke qenë se qytetarët i besuan dhe i dhanë sërish votën.