‘Çështja Beleri, e stisur/ Dendias: Shqipëria duhet të ketë drejtësi të pavarur. Zbardhen skenarët ç’ndodh me mandatin dhe kush do ta drejtojë Himarën

115
Sigal

Fredi Beleri, kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, nën siglën e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, do të qëndrojë në burg. Edhe Gjykata e Posaçme vendosi që ai të mos e lërë qelinë.
I akuzuar për korrupsion në zgjedhje ai rrezikon nga 1 në 5 vjet burg nëse shpallet fajtor.

Neni 328
Korrupsioni aktiv në zgjedhje

Ofrimi ose dhënia e të hollave, të mirave materiale, premtimi për vend pune ose favorizime të tjera në cilëndo formë, për zgjedhësin ose persona të tjerë të lidhur me të, me qëllim marrjen e firmës për paraqitjen e një kandidati në zgjedhje, për të votuar në një mënyrë të caktuar, për të marrë pjesë ose jo në votime, ose për t’u angazhuar në veprimtari të paligjshme për mbështetjen e një kandidati ose partie politike, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga një vit deri në pesë vjet.

Por çfarë do të ndodhë me mandatin e Belerit?

Me çertifikimin e rezultatit, KQZ do të nisë shpërndarjen e mandateve për fituesit në Bashki dhe në Këshillat Bashkiakë. Fredi Beleri do të jetë ndër ata që do ta marrë mandatin edhe pse nuk do ta ushtrojë dot detyrën. Për aq kohë sa gjykata nuk do të marrë vendim të formës së prerë, ai do të njihet ligjërisht si kryetar i Bashkisë së Himarës.

A wshtw i mundur shkarkimi nga Rama?

Një skenar i mundshëm është ai i shkarkimit të Fredi Belerit nga kryeministri Edi Rama. Kreu i qeverisë e ka bërë më parë këtë. Më 7 korrik 2021 ai shkarkoi nga detyra kryetarin e Bashkisë së Lushnjës, Fatos Tushen, (PS) pasi u arrestua nga SPAK për abuzim me detyrën. Shkarkimi erdhi me kërkesë të Ministrit të Brendshëm, Çuçi dhe vendim të kryeministrit, me motivacionin “për shkelje të rënda”.

Më 24 mars 2023 ai shkarkoi kryetarin e Bashkisë së Bulqizës (PS) me të njëjtën mënyrë, pasi Lefter Alla u arrestua nga SPAK.

Dy kryetarët e shkarkuar, të dy të Partisë Socialiste, kishin mundësi ta ankimonin vendimin në Gjykatën Kushtetuese. Derisa kjo gjykatë të shprehej, vendimi i kryeministrit nuk do të kishte asnjë fuqi ligjore. Por ata heshtën dhe e pranuan ndëshkimin nga kreu i qeverisë dhe i partisë së tyre.

Nëse Rama do të veprojë njësoj me Fredi Belerin, dërgimi i çështjes në Kushtetuese nuk është në diskutim, pasi Beleri dhe PBDNJ që e kandidoi atë nën siglën e “BF” e kanë quajtur tërësisht politik arrestimin.

Që Gjykata Kushtetuese të shprehet pro shkarkimit, ajo do të duhet të presë një vendim të formës së prerë të Gjykatës së Posaçme, pasi vetëm një dënim nga kjo gjykatë mund të justifikonte shkarkimin “për shkelje të rënda”, që mund t’i bëjë kryeministri.

Që Rama të realizojë shkarkimin e Belerit pa u shprehur gjykata, do të duhet të ketë bashkëpunimin e presidentit. Vendimi do të duhet të pasohet me zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme dhe data për mbajtjen e tyre duhet të vendoset me dekret të presidentit. A do të mund ta shpallë presidenti Bajram Begaj dekretin pa u shprehur më parë Gjykata Kushtetuese? Ekspertët thonë për Zoom.al se kjo do të ishte një shkelje e hapur e Kushtetutës.

Si do tw drejtohet Bashkia e Himarws?

Gjatë procesit gjyqësor bashkia do të mund të drejtohet nga një prej nënkryetarëve, të cilët emërohen nga kryetari. Në mungesë të kryetarit, kompetencat i delegohen nënkryetarit nga Këshilli Bashkiak.
Një precedent i ngjashëm është ai i Durrësit kur Valbona Sako dha dorëheqjen në dhjetor të vitit 2019 pas tërmetit të nëntorit dhe Këshilli Bashkiak i dha mandatin nënkryetarit Zhyljen Varfaj. Ai e drejtoi bashkinë deri më 6 mars të vitit 2021 kur u zhvilluan zgjedhjet e pjesshme.

Në rastin e Himarës, çështja do të ishte më e komplikuar, pasi Këshilli Bashkiak do të drejtohet në shumicë nga Partia Socialiste, e cila ka marrë 34 këshilltarë. “BF” ka marrë vetëm 15 dhe do të arrinte në 27 këshilltarë nëse do t’i bashkoheshin të gjitha partitë e tjera.

Edi Rama pritet t’i shfrytëzojë të gjitha hapësirat ligjore dhe institucionet, që do të kenë në dorë të vendosin për fatin e Himarës. Pengesa e vetme duket se do të jetë Athina, e cila i nisi paralajmërimet menjëherë pas arrestimit të Belerit.