Afera e inceneratorit “fantazmë” të Tiranës shfryhet në gjykatë si flluskë sapuni

15
Sigal

Afera e inceneratorit të Tiranës u mbyll si një çështje banale në Gjykatën e Posaçme, ku shtatë nga 12 të pandehurit e dosjes kryesore u shpallën fajtorë për shpërdorim detyre, por morën dënime aq minimale, sa u konsideruan të shuara me kohën e paraburgimit. Ndërkohë, njëri prej të pandehurve u shpall i pafajshëm. I akuzuari kryesor i kësaj dosjeje, ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, u dënua me 3 vjet burgim, dënim i cili u reduktua në 2 vjet falë gjykimit të shkurtuar. Gjyqtarja Elsa Ulliri urdhëroi gjithashtu shuarjen e masës së sigurimit dhe lirimin e Kokës për këtë çështje, lirim i cili pengohet nga dy dënime të mëparshme për kontratat koncesionare të Elbasanit dhe Fierit. E njëjta masë dënimi u dha edhe për të pandehurit Bledar Karoli, Erjon Murataj, Taulant Tusha, Namik Simixhi dhe Valbona Ballgjini, ndërsa Sidita Kopliku u dënua përfundimisht me 80 orë punë me interes publik. Ndërsa Jetmir Llapaj u shpall i pafajshëm me argumentin se fakti nuk përbën vepër penale. Ish-deputeti socialist, Alqi Bllako, u gjykua veçmas për aferën e inceneratorit të Tiranës dhe u dënua me 2 vjet e 8 muaj burgim. Inceneratori i Tiranës është projekti më i madh mes tre projekteve kontroverse të qeverisë së kryeministrit Edi Rama për trajtimin e mbetjeve urbane, por inceneratori nuk u ndërtua asnjëherë, ndërsa dhjetëra milionë euro të taksapaguesve u zhdukën pa asnjë gjurmë. Kompania koncesionare e inceneratorit të Tiranës, ‘Integrated Energy BV SPV’, u sekuestrua në gusht të vitit 2023 nga Prokuroria e Posaçme, pasi u zbulua se pronarët fundorë të saj ishin dy biznesmenët famëkeq, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri. Prokuroria e Posaçme arriti në përfundimin se kompania koncesionare ka qenë në dijeni të rrethanave konkurruese para se të shpallej procedura dhe se u ndihmua nga zyrtarët publikë në përgatitjen e dokumentacionit dhe paraqitjen e ofertës që e shpalli atë fituese. Megjithatë, gjatë konkluzioneve përfundimtare në muajin shkurt, SPAK kërkoi dënime minimale për të pandehurit, dënime që u zbutën më tej edhe në gjykatë.