Abuzimi me tenderat, pranohet gjykimi i shkurtuar për ish-sekretaren e MSH, ja kur jepet pretenca

43
Sigal

Pranohet gjykimi i shkurtuar për ish-sekretaren e përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë, Joana Duro, e akuzuar për korrupsion.

SPAK do ta japë pretencën me datë 17 tetor. Bashkë me Duron nën akuza është edhe ish-specialistja e nivelit të lartë, Laur Shteto, administratori i kompanisë “Drikons”, Vladimir Topi dhe inxhinieri, Silvi Shehu.

AKUZAT

Sekretarja mori ryshfet shumën prej 330 mijë lekë për të favorizuar kompaninë “Dricons” që garonte për një tender. Sipas SPAK, Joana Duro, shumën e parave e ka marrë si ryshfet nga Vladimir Topi administratori i kompanisë me qëllim për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga tenderi i zhvilluar në Ministrinë e Shëndetësisë e Mbrojtjes Sociale, me objekt “Lot 1 “Supervizim për rikonstruksionin e disa Qendrave Shëndetësore në qarqet Tiranë e Durrës”.

Fituesi i tenderit me fond limit 805 mijë lekë ishte shpallur më datën 1 qershor ndërsa SPAK ndërhyri më datën 2 teksa u dha ryshfeti. Kompania DRICONS është shpallur fituese me ofertën 672 mijë lekë.

Nga hetimet e Prokurorisë së Posaçme janë mbledhur prova dhe dyshohet se Silvi Shehi inxhinieri i kësaj kompanie, shumën prej 330 mijë lekësh e ka marrë në banesën e administratorit Vladimir Topi dhe më pas ia ka dërguar Laura Shetos, me detyrë Specialiste e Nivelit të Lartë në Agjencinë e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara. Shuma e parave të dhëna si ryshfet, u sekuestruan në zyrën e sekretares së përgjithshme të ministrisë.