Paketa e Sigurisë në Shkolla, Balla në Lushnje: Prindërit kërkojnë nga ne të bëjmë diferencën me të kaluarën, për të penguar keqbërësit të arrijnë tek fëmijët

42
Sigal

Ministri i Brendshëm Taulant Balla u takua me stafin arsimor të gjimnazit “Vath Korreshi” në Lushnje me qëllim për t’u njohur nga afër me ecurinë e zbatimit të masave për paketën e sigurisë në shkolla.

Në këto takime ai shoqërohej nga kryetarja e bashkisë Eriselda Sefa dhe zyrtarë të lartë të policisë në qendër e në qark.

Balla u interesua rreth masave të marra, për sigurinë në shkolla duke nënvizuar se fenomenet e shitjes dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike ekzistojnë edhe në Lushnje dhe përbëjnë një rrezik serioz për moshat e reja. Ai kërkoi nga pushteti vendor që të investohet në kamera sigurie që të mund të aksesohen nga policia, sidomos ato që janë brenda perimetrit të sigurisë në shkolla.

“Besoj e dini arsyen pse kam ardhur bashkë me drejtuesit e lartë të Policisë në nivel qendror me z. Jaupi, por dhe me drejtuesit e qarkut dhe Komisariatit të Policisë së Lushnjes.
Paketa e sigurisë në shkolla për mua është një nga gjërat më të rëndësishme, të cilat i kërkoj çdo ditë drejtuesve të policisë që të shpërblejmë besimin që na kanë dhënë qytetarët. Nga momenti që i dërgojnë fëmijët në shkollë, nga ai moment, i kemi ne në përgjegjësi. Ju keni përgjegjësinë e edukimit të cilësisë së arsimit, por ne kemi përgjegjësinë e sigurisë bashkë me Kryetaren e Bashkisë.
Kryetarja e Bashkisë ka pjesën e infrastrukturës.

Ne kemi pjesën që lidhet me rrugën nga shtëpia deri te shkolla. Pastaj ai kontakti i pa përshtatshëm me individë keqbërës që shpërndajnë lëndë narkotike. Një fenomen që si kudo në Shqipëri ekziston dhe në Lushnje, por na duhet dhe bashkëpunimi dhe me ju për të identifikuar keqbërësit, të cilët na komprometojnë të ardhmen e fëmijëve në aspektin shëndetësor, sepse lëndët narkotike shkatërrojnë shëndetin. Kjo nuk ka asnjë diskutim. I heqin fëmijët nga edukimi, nga arsimi dhe prandaj duhet të bëhemi të gjithë bashkë, dhe kjo është arsyeja pse jemi sot këtu”, theksoi Ministri Balla në fjalën e tij.

Ministri i Brendshëm kërkoi nga strukturat që janë të ngarkuara me zbatimin e masave të paketës së sigurisë që të jenë më prezentë në sytë e publikut.

“Duhet të rritim prezencën tonë për të qenë në nivelin e pritshmërive të qytetarëve e prindërve të Lushnjes, të cilët kërkojnë prej nesh që edhe në Lushnje të bëjmë diferencën me të kaluarën për të penguar keqbërësit që të arrijnë te fëmijët duke u shitur e shpërndarë lëndë narkotike. Paketa e sigurisë në shkolla, që lidhet edhe me luftën kundër përdorimit të lëndëve narkotike nga të rinjtë është një prej gjërave kryesore që mirëpres nga DVP së qarkut dhe komisariatet që në këtë pikë të bëjmë diferencë. Duhet të nxisim bashkëpunimin me zyrën arsimore, me oficerët e sigurisë në shkolla, por edhe me komunitetin,” nënvizoi Balla në fjalën e tij.

Ai përmendi gjithashtu faktin e përfshirjes së oksidit të azotit në listën e lëndëve psikotrope, përmes të ashtuquajturave tullumbace me azot.

“Siç jeni në dijeni, po përfshijmë në listën e lëndëve narkotike dhe psikotrope edhe disa lloje të tjera lëndësh të cilat kanë qenë përdorur në masë, sikurse është oksidi i azotit. Nga ana e mësuesve duhet të flitet pak më tepër me fëmijët, mbi efektin negativ që kanë kanabisi dhe lëndët e tjera narkotike si dhe lëndët psikotrope”, tha ministri.

Drejtuesit e pushtetit vendor e informuan ministrin Balla se shkollat janë të monitoruara me kamera. Ndërkohë bashkia ka nisur të vendosë kamera në kopshtet dhe çerdhet e qytetit. Gjithashtu bashkia Lushnje ka përgatitur një kalendar për aktivitetet informuese dhe sensibilizuese me Drejtorinë e Shërbimeve Sociale dhe përveç objektit të shkollës, janë vendosur kamera edhe në tregun pranë shkollës si dhe çdo rreth-rrotullim i qytetit është i pajisur me kamera.

Ministri Balla shpjegoi se do të aplikohet teknologji për identifikimin e targave të mjeteve, çka mundëson informacion në kohë reale për çdo makinë që qarkullon, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale.