61 mijë fermerë drejt falimentimit, mbeten me sytë nga sateliti i bujqësisë

159
Sigal

Aplikimet për masat direkte mbështetëse në bujqësi korrespondojnë me një fond gati dy herë më të lartë sesa ajo që Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka në dispozicion.Të dhënat e raportuara për zbatimin e buxhetit në 4 mujorin e parë tregojnë se kanë aplikuar për masat mbështetëse direkte mbi 61 mijë fermerë. Kjo nxitje duket se ka ardhur edhe si efekt i rritjes së çmimeve në disa segmente të lidhura direkt me bujqësinë.

“Masat mbështetëse. Nisur nga situata aktuale e rritjes së çmimeve të inputeve, energjisë dhe naftës në tregun ndërkombëtar, për të krijuar kushte lehtësuese për fermerin shqiptar, u alokua një fond prej 3.7 miliard lekë për masat direkte dhe skemën e naftës. U hartuan një sërë skemash me qëllim rritjen e prodhimit, konkurrueshmërinë dhe rritjen e eksporteve, për sektorin e bujqësisë dhe atë të peshkimit. Ka përfunduar procesi i aplikimit, ka filluar puna për vlerësimin e aplikimeve, shqyrtimin dhe disbursimin.

Kanë aplikuar gjithsej 61 654 fermerë me një fond prej 6.5 miliard lekë, pra shumë më të madh se fondi i alokuar. Janë shqyrtuar deri tani 22 412 aplikime, nga të cilat 18 136 për skemën e naftës. Janë paguar deri tani rreth 16 887 përfitues dhe janë shpërndarë rreth 3.5 milion litra naftë” thuhet në raportimin e ministrisë.

Nga aplikimet totale rreth 80%, e zë skema e naftës, e më pas me 11.4% skema e matrikullimit të bagëtive, 5% skema e bletarisë. Mbështetje për fara e fidanë dhe inpute bujqësore, si dhe mbjellja e bimëve aromatiko-mjekësore, vazhdon të ketë kërkesë të lartë.

Ministria raporton gjithashtu mbi ecurinë e mbështetjes nga programet si IPARD II dhe projekte të tjera të cilat vlerëson se kanë pasur një ecuri të mirë.

“Përfitues nga programi IPARD II. Është në fazën e përfundimit të vlerësimit dhe disbursimi të aplikimeve, të thirrjes së dytë dhe të tretë. Aktualisht janë disbursuar 50 kontrata. Është miratuar IPARD III dhe ka filluar puna për akreditimin e masave.

Përfitues nga projektet e tjera të huaja. Ecuria ka qenë kënaqshme në disa prej tyre, sipas planit të aktiviteteve, ndërsa në disa të tjerë nuk ka pasur disbursime por ka vijuar puna” thuhet në relacionin e ministrisë.