5 arsye *shqetësuese* pse hamë (më) shumë, që duhet t’i dini patjetër!

133
Sigal

Studimet e reja nga fushat e psikologjisë, metabolizmit dhe gjumit ofrojnë të dhëna praktike për enigmën e mbingrënies. Provat klinike dhe studimet laboratorike nga dy dekadat e fundit nxjerrin në pah disa nga shkaqet më të fuqishme të mbingrënies në stilin e jetesës dhe mjediset tona moderne.

Për shumicën e njerëzve që luftojnë me peshën, një nga faktorët e mëposhtëm është me siguri arsyeja. Njohja e këtyre arsyeve është shumë e rëndësishme sepse nëse kuptojmë cili është problemi, mund ta kemi më të lehtë ta zgjidhim dhe të përqendrohemi aty.

Ushqimet shumë-të-procesuara (çokollata, akullore, patate të skuqura, pije me gaz etj)

Konsumoni një dietë të pasur me ushqime shumë-të-përpunuara? Nëse po, studimet tregojnë se po merrni mesatarisht rreth 500 kalori më shumë në ditë sesa do të merrnit, nëse do të hanit të njëjtat ushqime në format e tyre të plota ose të përpunuara minimalisht.

Gjumi

Studimet laboratorike të gjumit tregojnë se konsumimi ditor i energjisë tek njerëzit me gjumë të dobët është rreth 300 kalori më i lartë se tek ata që flenë mirë ose ata me gjumë fillimisht të dobët që përmirësojnë praktikat e tyre të gjumit.

Ndikimi social

A hani shpesh darkë me miqtë, familjen dhe kolegët? Ndërsa kjo është shpërblyese nga pikëpamja sociale, ka një dobësi metabolike: shumica prej nesh ndikohen fuqishëm nga normat sociale dhe sjellja e të ngrënit të të tjerëve, duke rritur ndjeshëm marrjen e ushqimit në këto mjedise. Mbani mend se edhe e kundërta mund të jetë e vërtetë për njerëzit që luftojnë me të ngrënit emocional. Për këta të fundit, ngrënia e izoluar në vend të një ambienti shoqëror mund të jetë një faktor rreziku për të ngrënit e tepërt.

Kur ushqimi është thjesht aty

A është shtëpia apo vendi juaj i punës një fushë e minuar ushqimesh dhe ëmbëlsirash? Studimet tregojnë se komoditeti – faktorë të tillë si dukshmëria e ushqimit, koha dhe përpjekja e nevojshme për të marrë ushqimin – bën një ndryshim çuditërisht të madh në si dhe sa shpesh hamë.

Ngrënia e pavetëdijshme

Ushqimi i ngrënë teksa jeni të shpërqendruar dhe nuk e keni mendjen aty, është një tjetër pengesë moderne për shëndetin metabolik. Shpërqendrimi dëmton kujtesën tonë të ngrënies së mëparshme, duke na bërë të hamë akoma më shumë më vonë.

Nga t’ia filloni nëse doni të përmirësoni zakonet tuaja të të ngrënit?

Nëse jeni të interesuar të përmirësoni shëndetin tuaj metabolik përmes zakoneve më të mira të të ushqyerit, kuptoni këto dy gjëra nga gjithë sa lexuat:

1. Këta faktorë, megjithëse janë të zakonshëm, janë të modifikueshëm. Ne mund të konsumojmë më pak ushqime të përpunuara, të përmirësojmë rutinat tona të gjumit, të bëjmë zgjedhje më të mira të ngrënies në restorante me miqtë dhe të hamë më me kujdes.

Ne gjithashtu mund të marrim parasysh rrethanat tona individuale për të parë se cilët faktorë vlejnë më shumë për ne dhe të fillojmë ndryshimet tona të të ushqyerit atje.

2. Këta faktorë na shtyjnë të hamë tepër në mënyrë të pandërgjegjshme. Edhe pse kaq të rëndësishme, këto efekte janë përgjithësisht të padukshme për ne. Ne thjesht hamë më shumë pa asnjë vetëdije për ndikimin që kjo na sjell.

Për shkak se këta faktorë janë të vështirë për t’u parë dhe ndjerë drejtpërdrejt, ne duhet t’u qasemi atyre si forca të tjera të fuqishme por të padukshme, siç është graviteti. Ju nuk keni nevojë ta shihni gravitetin për të veshur një parashutë kur hidheni nga një lartësi, ashtu siç nuk keni nevojë të ndjeni efektet shkatërruese të mjedisit ushqimor modern për të ndërmarrë veprime korrigjuese.