37 kandidatë për 18 vende, rihapet gara për drejtuesit e lartë të policisë

185
Sigal

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka rihapur konkursin e gradave. Në Akademinë e Sigurisë u zhvillua provimi për gradën drejtues i parë.

37 efektivë realizuan provimin me shkrim, ku vetëm 18 prej tyre do të përfitojnë gradën e re drejtues i parë. Konkursi është hapur me urdhër të drejtorit të policisë, pas disa vitesh pezullim të këtij procesi.

Provimi me shkrim është faza e parë për përfitimin e gradës drejtues i parë, pasi të mërkurën do të mbahet dhe faza e dytë e provimi me gojë. Konkurrentët që dalin fitues do të trajnohen më pas për gradën e re.

Për përfitimin e gradës drejtues i parë, konkurrentët duhet të përfitojnë të paktën 70 % të totalit të pikëve, duhet të kenë përmbushur vjetërsinë e punës në gradën paraardhëse, apo nuk duhet të kenë hetime disiplinore. Për të konkurruar për gradën drejtues i parë duhen të paktën 3 vite eksperiencë në gradën paraardhëse, që është drejtues.

Grada drejtues i parë është e gjashta në listë nga 8 grada që janë në total. Me pas janë dhe dy gradat e tjera, drejtues i lartë dhe madhor. Megjithatë konkursi për gradën drejtues i parë nuk është e vetmja, pasi në javët në vijim pritet të hapet edhe për gradën drejtues, ku janë 97 konkurrentë për 40 vende të lira.