Mungesa e rendit brenda  rendit po rrezikon Sigurinë Kombëtare

237
Sigal

Analizë nga Pali Nito, ish-ushtarak i lartë: Nga cilët duhet të mbrohen më parë qytetarët, nga keqbërsit, apo nga policët që janë bërë njësh me me krimin. Kuadro e policisë favorizojnë kalimin e klandestinëve drejt BE-së, inkurajojnë kultivuesit e kanabisit, ndërsa policët speciale kapen me kokainë. Shqipëria “lundron” në drogë, hashashi mbrohet me armë, ndërsa vrasjet, grabitjet dhe përgjakja e rrugëve, po tmerrojnë qytetarët

 

Shpesh herë konstatojmë mungesë të rendit brenda rendit, një dukuri që duhet të na shqetësojë të gjithëve, por veçanërisht drejtuesit e Ministrisë së Brendshme dhe drejtuesit kryesorë të policisë së shtetit.

Të shpeshta dhe recidiviste janë rastet kur mediat e sidomos ajo vizive, rreshton një sërë shkeljesh të natyrave kriminale të ndryshme e të kundërligjshme që kryhen nga oficerë të policies së shtetit, që konsistojnë në përfshirjen e tyre në posedim dhe trafikim droge sikundër ishte rasti i oficerit të “Reneas”, që u kap me 1 kg kokainë pra, me drogë të kategorisë dhe llojit të fortë.

Po kështu, kuadro të policisë, madje edhe drejtues, janë akuzuar dhe ndaluar për ngacmime dhe përndjekje seksuale, përfshi këtu edhe ndaj vajzave të mitura dhe adoleshente. Ka jo pak raste që denoncohen kultivuesit e kanabisit dhe shefat e policisë heshtin dhe nuk i denoncojnë ata por përkundrazi, i mbështesin dhe i inkurajojnë ata.

Në shumë raste kuadro dhe policë të thjeshtë shesin e favorizojnë kalimin e refugjatëve drejt shteteve të Evropës si nëpërmjet kufirit tokësor,detar dhe ajror.

Ka plot raste, fakte e shembuj konkret që disa prej tyre implikohen në veprimtari të ndryshme e të kundraligjshme si mitmarrje, rryshfet apo pranim parash e dhurata madje dhe të shtrenjta. Sikundër shihet të gjitha këto dukuri anormale dhe paradoksale e turpërojnë dhe ia prishin imazhin policisë së shtetit ku determinon pa dyshim ana pozitive por gjithsesi, shembujt negativë që theksuam më sipër, duhen goditur forcërisht dhe të merren masa ligjore, administrative e saksione që t’i parandalojmë rastet, pasi shkaqet dhe arsyet janë të paarsyeshme, sepse na ndodhin këto parregullsi antiligjore. Të gjithë e dimë se arsyeja primare e policisë së shtetit është të sigurojë rendin dhe qetësinë e publikut duke bashkëpunuar fort me qytetarët. Por nëse në radhët e policisë do të lejohen dukuri të tilla aspak normale, atëherë natyrshëm shtrohet pyetja:

Qytetarët, nga cilët duhet të mbrohen më pare, nga keqbërësit, apo nga policët që janë bërë njësh me keqbërësit?!

Është vërtetë anormale, por kur ndonjë polici e sidomos policëve të policisë rrugore, për ndonjë kundravajtje u tregon paranë, ata jo vetëm që nuk të ndëshkojnë por përkundrazi të përshëndesin e të falenderojnë. Jo më kot Hasan Zyko Kamberi thoshte: “Kadiut po i tregove paranë ters evërtit sherjanë, /për para vret edhe t’anë”. Pra paraja tundon dhe shton mëkatarët e të korruptuarit, keqbërësit, vjedhësit dhe çdo kënd tjetër të pamoralshëm që është i mbarsur dhe i pushtuar nga veset e këqia,  sidomos nga korrupsioni që është bërë një gangrenë për shoqërinë tonë e që fatkeqësisht i ka përhapur tentakulat e tij në çdo aspekt të veprimtarisë tonë jetësore. Pra në radhët e policisë së shtetit lipset që të militojnë e të shërbejnë oficerë dhe policë me moral të lartë. Në lidhje me këtë çështje Mahnatma Gandi ka thënë: “Morali është baza e të gjitha gjërave dhe e vërteta është thelbi i gjithë moralit.”

Natyrshëm prej këtej shtrohet detyra ndaj organeve kompetente të Ministrisë së Brendshme dhe Drejtorisë së Policisë së Shtetit, që t’i kushtojnë rëndësi të veçantë aspirantëve që do të shërbejnë në të ardhmen në radhët e Policisë së Shtetit. Prandaj shtrohet si nevojë, domosdoshmëri jetike që kandidatët për kuadro policie duhet të studiohen e të përzgjidhen me kujdes e përgjegjësi të lartë shtetërore dhe institucionale, të kalojnë në filtrin e imët të përzgjedhjes e sidomos përsa i përket anës morale, të jenë të sjellshëm, të ndërgjegjshëm dhe me etikë të lartë qytetare. Personalisht, si ish kuadër i lartë ushtarak, do të sugjeroja që mundësisht kandidatët të jenë bijë ose bija oficerësh që kanë kultivuar disiplinën dhe ndërgjegjen në radhët e fëmijëve të tyre, duke siguruar një sjellje dhe shërbim korrekt e shembullor ndaj qytetarëve e që në të ardhmen të mos kemi më mungesë të rendit brenda rendit.