‘Kolonia’ shqiptare në Angli/ Mediat Britanike: Shqiptarët të parët, martesa false për marrjen e shtetësisë. Nga prindërit shqiptarë kanë lindur mbi 3 mijë fëmijë duke u renditur në 10 të parët me origjinë të huaj

282

Shqiptarët të parët për martesat false në Angli, shpesh përfshihen bandat kriminale

Sigal

 Qindra njerëz që përdorin martesa false për të qëndruar në Mbretërinë e Bashkuar nuk janë ndjekur penalisht dhe mbeten në vend. Të parët në listën e të huajve që martohen për dokumentat britanike janë pikërisht shqiptarët. BBC News ka publikuar një artikull ku sipas disa shifrave që tregojnë se 365 çifte janë përpjekur të shfrytëzojnë në mënyrë mashtruese një skemë pas Brexit, duke u dhënë qytetarëve të BE-së dhe bashkëshortëve të tyre të drejtën për të qëndruar në MB. Shqipëria kryeson tabelën e vendeve me 146 shqiptarë të përfshirë në martesa të rreme, nga rreth 60 vende të botës, përfshirë dhe ato të BE-së. Askush në një martesë të rreme nuk është hetuar në dy vitet e fundit dhe ndjekja e fundit ishte katër vjet më parë. Zyra e Brendshme- tha se kishte më pak hetime gjatë pandemisë. Dr Ervin Muço, në Shqipëri, i tha BBC News se njerëzit paguanin bandat kriminale për atë që e shihnin si një biletë për një jetë të re. “Këto rrjete dinë të mashtrojnë sistemin dhe po bëjnë para nga njerëzit që janë të përgatitur të paguajnë. Vitet e fundit, shumica e meshkujve shqiptarë që janë larguar nga ky vend kanë shkuar në Itali apo Greqi, por disa prej tyre nuk kanë mundur të marrin nënshtetësinë në këto vende. Kështu që disa përpiqen të gjejnë gra nga vendet evropiane me të cilat mund të martohen. Ata mund të kenë të gjitha përfitimet e të qenit qytetar evropian. Dhe për shkak se Britania ishte anëtare e BE-së, shumë shqiptarë janë tërhequr nga Britania e Madhe”.-tha ai. Ish-shefi i policisë Prof Krenar Ahmeti, në Universitetin e Tiranës, pranon se bandat e krimit janë thelbësore. “Çdokush që aspiron të jetojë në një vend të pasur e di se ka disa dokumente kyçe që u nevojiten nëse do të integrohen në atë shoqëri, por ata gjithashtu shpesh kanë nevojë për një organizatë për t’i ndihmuar ta arrijnë këtë.”-tha ai. Në vitin 2018, Skema e Zgjidhjes së BE-së përcaktoi se si qytetarët e Bashkimit Evropian, bashkëshortët dhe anëtarët e familjes së tyre mund të vazhdonin të jetonin në MB pasi vendi u largua nga BE. Ata duhej të ishin rezident deri në dhjetor 2020 dhe të aplikonin për leje qëndrimi. Bashkëshortët nga çdo vend kishin të drejtë të aplikonin. BBC Neës ka zbuluar se çiftet janë përpjekur të shfrytëzojnë në mënyrë mashtruese skemën duke hyrë në një martesë të rreme, me shtetasin e BE-së që zgjeron të drejtat e tyre të qëndrimit tek partneri i tyre fals jo-BE. Disa individë e bëjnë këtë për para. Shpesh përfshihen bandat e krimit të organizuar. Ndërmjet marsit 2018 dhe fundit të shtatorit 2021, 365 martesa midis një shtetasi të BE-së dhe një shtetasi jo-BE u gjetën të rreme. Ndjekjet e fundit penale kanë qenë në vitin 2018, ku nëntë persona u dënuan dhe katër prej tyre u larguan dhe që nga viti 2020, askujt nuk i është hequr leja e qëndrimit.

Shqiptarët hyjnë në top 10-shen e prindërve me origjinë të huaj, lindën 3000 foshnja vetëm në 2021

Prej ditësh tashmë mediat britanike janë mbushur me lajme që kanë të bëjnë me emigrantët e paligjshëm me origjinë shqiptare që kalojnë La Manshin në kërkim të një jete më të mirë në Britani. Por mes lajmeve jo të mira sot prestigjozja britanike Daily Mail ka bërë publik raportin e Zyrës Kombëtare të Statistikave, që nënvizon se shqiptarët janë në top 10-en e kombësive që lindin më shumë fëmijë në ishull. “Shqiptarët janë ndër prindërit më të zakonshëm, që lindin fëmijë për herë të parë në Britaninë e Madhe. Më shumë se 3,000 foshnja kanë lindur këtu vitin e kaluar me nëna nga vendi ballkanik”, ka zbuluar Zyra Kombëtare e Statistikave (ONS). Por shifrat kanë ngritur pikëpyetje për madhësinë e vërtetë të popullsisë shqiptare në Britaninë e Madhe, e cila sipas regjistrimit zyrtar është më pak se 50,000. Lajmi vjen pasi një raport  tronditës që u publikua disa ditë më parë ku thuhej se katër nga 10 emigrantë që kalonin Kanalin me gomone ishin nga Shqipëria, i cilësuar nga Britania si një komb paqësor në bisedime për t’iu bashkuar Bashkimit Europian, ndryshe nga vendet në luftë si Siria dhe Iraku. Ndër nënat, Shqipëria u bë vendi i dhjetë më i zakonshëm, nga vendi i 41-të që mbante një dekadë më parë, ndërsa për baballarët u bë vendi i tetë më i zakonshëm, nga vendi i 36-të që zinte një dekadë më parë. Ish-ministri i Zyrës së Brendshme Sir John Hayes tha: “Është e çuditshme që duhet të ketë kaq shumë foshnje të lindura këtu nga prindër shqiptarë, duke pasur parasysh statistikat zyrtare për numrin e tyre. Pyetja që shtrohet është, nëse një numër i madh shqiptarësh janë këtu ilegalisht ose nëse atyre u jepen viza me ndonjë mjet tjetër, dhe nëse po pse”.