35 emigrantë në hotelin “Kristal” te kodrat e qytetit të Korçës

551
Sigal

15 të tjerë sërish në tokën neutrale, në pritje të zgjidhjes

Nga Vepror Hasani

 Më në fund për emigrantët e bllokuar në tokën neutrale mes Shqipërisë dhe Greqisë u gjet një zgjidhje. 35 emigrantë u sistemuan në hotelin “Kristal”, te kodrat e qytetit të Korçës, nga të cilët fillimisht erdhën 27 vetë dhe me pas 7-8 të tjerë, gjithsej rreth 35 persona, ndërsa 15 të tjerë, rezidentë në shtetin grek, pas kontrollit mjekësor, u lanë sërish në tokën neutrale. Këta të fundit do të qëndrojnë aty deri sa të gjendet një zgjidhje, pasi qeveria shqiptare nuk do të lejojë hyrjen e tyre në atdhe. Ndërkohë një grup tjetër emigrantësh, rezidentë në Shqipëri, u lanë të shkonin në vendbanimet e tyre. Nuk dihet saktësisht numri i tyre dhe  me çfarë mjetesh do të udhtonin, pasi informacioni zyrtar mbi emigrantët shqiptarë ka qenë i pakët.

Emigrantët e hotelit “Kristal”

Pra, 35 emigrantë, mbrëmjen e së martës, të shoqëruar nga forcat policore, u akomoduan në hotelin “Kristal”, i cili ndodhet në një nga vendet më të bukura të Korçës. Mbërritja e tyre në hotel ndodhi pas katër ditësh të mundimshme nën rreshjet e shiut dhe të dëborës, pa ushqim të mjaftueshëm dhe pa veshjet që mund të përballonin ditët dhe netët e ftoha të Kapshticës.  Për shkak të kushteve të motit në të cilat u ndodhen, një pjesë e tyre pati shqetësime shëndetësore, temperaturë të lartë, luhatje tensioni etj. Sfilitjet dhe vuajtet e tyre 4-ditore u ndoqën me shqetësim edhe nga banorët e rajonit Korçë. Tashmë para tyre shtrihet një pamje panoramike të cilën mund ta kundrojnë nga ballkonet e hotelit, pasi për 14 ditë me radhë do të qëndrojnë të vetëkarantinuar, pa mundurë bëjnë asnjë dalje. Për kryerjen e karantinimit të tyre janë marrë të gjitha masat: hoteli do të mbikëqyret nga policia, punonjësit e hotelit do të jenë të pajisur me maska dhe doreza, nuk do të lejohet askush të hyjë në ambinetet e brendshme, madje as të afërmit dhe as mediat. Mes tyre ka patur edhe një të sëmurë me luhatje tensioni, të cilit iu ofrua ndihmë mjekësore nga mjekët e spitalit Korçë. Mundimet e tyre morën fund fal filantropit Lazim Destani nga Tetova, anëtar i Këshillit të Diasporës, babai i aktorit të mirënjohur, Blerim Destani, i cili mori përsipër shpenzimet e hotelit, të cilat do të paguhen nga Këshilli Kordinues i Diasporës. Sqarojmë gjithashtu se 35 emigrantët e cituar më sipër, janë të pajisur ose me vizë ose me leje 90-ditore, gjë që u jep mundësinë që pas përfundimit të karantinës të kthehen pranë familjeve të tyre.

Mbi 15 emigrantë në zonën neutrale

Ndërsa 15 emigrantët e bllokuar në tokën neutrale, mes doganës së Kapshticës dhe Doganës greke, duhet të kthehen sërish në Greqi, pasi ata janë rezidentë në shtetin grek, mirëpo që të ndodhë kjo u duhet të marrin konfirmim nga Konsullata Shqiptare në Greqi ose nga Ambasada Shqiptare atje. Mësohet gjithashtu se nga ana e emigrantëve shqiptarë janë bërë përpjekje për t’u lidhur me Konsullatën apo Ambasadën shqiptare në Greqi, por në asnjë rast nuk kanë mundur të lidhen. Sipas emigrantëve, edhe nëse nga Konsullata do t’u konfirmohej lëvizja drejt Greqisë, përsëri mbërritja në vendet ku banojnë mbetet e pamundur, sepse, siç shpjegojnë emigrantët, ata banojnë në ishuj, ku aktualisht transporti detar, por edhe ai rrugor është i pezulluar. Po kaq i vështirë mbetet edhe akomodimi në qytetet më të afërta me Greqinë, pasi edhe për marrjen me qira të një banese ndiqen disa procedura, ku sëpari duhet të jësh resident në qytetin që merr banesën me qira. Ndërsa mundësia për të hyrë në Shqipëri nuk ekziston, pasi qeveria shqiptare nuk e lejon një gjë të tillë për emigrantët rezidentë në Greqi, me arsyetimin e mospërhapjes së virusit corona, kur shumë më e arsyeshme do të ishte që edhe këta emigrantë të akomodoheshin në hotelet e Korçës dhe pas karantinimit prej 14 ditësh, të shkonin pranë familjeve të tyre.