30 mijë të rinj në Elbasan, pa asnjë perspektivë

621
Ajo që e ka më tepër të vështirë rrugën e jetës, fillimin dhe vazhdimin e saj, duke se është rinia sot kudo në këtë vend. Në Shqipëri rinia mbetet aktualisht forca e gjallë e punës, por sot ajo nuk siguron dot një vend pune, pavarsisht panaireve, pavarësisht statistikave e deklaratave zyrtare, seminarave dhe fjalimeve nga ministra apo edhe kryeministri vendit, sipas të cilëve “janë hapur mijëra vende të reja pune, por ky popull nuk e do punën, dhe nuk ka zanatçinj”. Konkretisht Elbasani është një qytet i madh, dhe numuron sot afro 225 mijë banorë, dhe sipas statistikave zyrtare, mbetet më i varfëri në shkallë vendi. Elbasani mbetet qyteti me mbi 47 mijë të papunë, dhe ku afro 30 mijë të rinj të moshës aktive për punë 18 deri 35 vjeç, enden rrugëve të pashpresë, duke kapur hera-herës, ndonjë punë 2-3 ditëshe dhe kaq.

 Në Elbasan ka një shprehje e cila duket sikur shpesh i ngushëllon të rinjtë e papunë sipas të cilës “dil nga shtëpia mbushe xhepin me dy kaushëm fara luledielli, dhe sillu vërdallë rrugëve dhe bulevardit”. Monotonia dhe rutina e ditës, duket sikur po i plak para kohe shumicën e të rinjve, të cilës edhe pse kanë mbaruar ndonjë shkollë të mesme, apo ka prej tyre që kanë mbaruar edhe ndonjë fakultet, sërish e gjejnë vehten në ushtrinë e madhe të papunësisë, duke u ngrysur dhe duke u gdhirë vetëm me qindarka në xhepat e tyre, të marra nga pensionet e vogla të prindërve. Eshtë e dhimbshme tek shikon të rinj që kanë mbaruar ose jo shkollat, dhe u sulen lokaleve, duke u interesuar për ndonjë vend pune qoftë si kamarier, apo në rolin e furnitorit ambulant , por që shpesh dalin prej andej të zhgënjyer. Tek i pyet, ata duke qëruar farat e lulediellit në xhepin e mbushur plot, të përgjigjen se “gjithmonë që shikojmë njoftime për vende pune në lokale, turremi dhe shkojmë atje, por na thonë se rroga mujore është 120 mijë lekë të vjetra, ose vendi është zënë, dhe na mbetet të vijmë qark e qark Elbasanit duke matur bulevardin me metra, me xhepat bosh”. 

Qyteti më i braktisur

Ky qytet faktikisht mbetet ndër më të braktisurit nga pothuajse të gjitha qeveritë e pas 1992, ku investimet kryesore janë fokusuar në disa rrugë të reja, ndërkohë që tkurrja dhe rritja e taksave nga qeveritë e majta dhe të djathta, ka rritur ndjeshëm furinë e deklarimeve “falimentim” të qindra bizneseve pranë Tatimeve. Edhe ato pak biznese të reja që hapen, duke punësuar disa dhjetra vetë, e kanë kohëzgjatjen vetëm disa muaj, pasi taksat e larta, gjobat dhe konkurenca e pandershme, i detyron ata të ulin qepenat dhe të flakin në rrugë të punësuarit sezonalë. “Më jep dy kaushë me fara”, ky është refreni i qindra e mijëra të papunëve në Elbasan, që dalin nga shtëpia me 40 apo 50 lekë në xhep që mjaftojnë për eglendisjen e ditës, derisa vjen darka për tu kthyer në shtëpi me shpresën e humbur.

 Afro 7500 familje në qytetin e Elbasanit, dhe afro 75 mijë në shkallë qarku, jetojnë me ndihma ekonomike dhe asistencë sociale, duke e renditur atë në vendin e parë në shkallë vendi për numrin e familjeve të varfëra. Shumica e të papunëve sot në Elbasan, pavarësisht moshës së tyre të re, duket sikur po plaken para kohe nga barra e halleve dhe problemeve sociale. Të thinjur para kohe, me veshje démodé dhe mentalitet pensionisti, ata çdo ditë mbushin xhepat e tyre të vjetëruar me fara luledielli, që shiten nga pothuajse 40-50 persona në qendër dhe përgjatë bulevardit të Elbasanit. “Shpresa po humbet bashkë me jetët tona, kemi nga 8 apo 10 vjet pa punë, edhe premtimet e deputetëve që i dhamë votat, u shuan si kripa në ujë, ata janë pasuruar, kanë punësuar kodoshët e tyre, kurse për ne nuk kujtohen, madje kur u trokasim në zyra na largojnë me përçmim sikur të ishim lecka”- shprehet Naimi nga lagja 5 Maj që ka qenë madje edhe aktivist dhe numurues në zgjedhjet e fundit parlamentare. Por si Naimi, i ulur në bordurat e bustit “Kostandin Kristoforidhi” duke përtypur farat e lulediellit, ka me qindra e qindra të tjerë, që në Elbasan jetojnë mes varfërisë dhe shpresës së humbur për jetën e tyre dhe fëmijëve. Shumica nuk e kanë krijuar akoma familjen, pasi shprehen se “nuk ka grua në botë që të merr të papunë”, duke ulur kokën me drojen e njeriut që jetën e shikon me ankthin dhe dilemën “të rrosh apo të mos rrosh”. Ky realitet vrastar që ka mbërthyer shumicën e rinisë aktive për punë në Elbasan, u ka bërë jetën ferr atyre që besuan se “Rilindja do të bëjë mrekullira dhe do të hapë 300 mijë vende të reja pune”, u ka bërë jetën ferr atyre që besuan se pas 23 Qershorit 2013, do të vinte parajsa dhe do tu qeshte buza, por që në fakt po u nxihet jeta dhe gjithçka të bukur që ajo afron nga mëngjesi deri në darkë. 
Sigal