Skema mashtruese me 2 mln euro, dërgohen në gjyq ish-zyrtarët e doganës

458
Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet dhe dërgon për gjykim administratorin e kompanisë së naftës, “Tea Construction & Petrol”, ish-zv.Drejtoreshën e Përgjithshme të Doganave dhe disa punonjës dogane, të gjithë të përfshirë në një skemë mashtruese financiare, me vlerë mbi 2 milionë euro, si edhe me një dëm të pallogaritshëm nga qarkullimi në treg i naftës së papërpunuar si pasojë e veprimeve fiktive.
Nga hetimet e Prokurorisë së Fierit, në bazë të materialit referues të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, ka rezultuar se kompania “Tea Oil”, me administrator të pandehrin, Adrian Xhillari ka marrë lejen nga autoritetet doganore për të transportuar naftën “virxhin” në pronësi të tij, nga depot e Mëzezit, Tiranë, për në depot pranë rafinerisë së përpunimit të naftës, në Ballsh.
Por, rezulton se kjo sasi nafte (4.4 milionë litra), e cila nuk lejohet të dalë në treg pasi është e cilësisë bruto, nuk ka mbërritur në depozitat në Ballsh, por është shpërndarë nëpër pika karburanti në qytete të ndryshme të Shqipërisë, duke u shitur në treg të lirë. Krahas pasojave shumë të mëdha në mjetet e qytetarëve, “zhdukja” e kësaj sasie të madhe nafte, i ka shkaktuar shtetit një dëm që llogaritet në mbi 2 milion euro nga shmangia e pagimit të akcizës.
Sigal