Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako përuron kopshtin e fëmijëve “7 Marsi”

664
Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka përuruar kopshtin e fëmijëve “7 Marsi”, i cili u rindërtua totalisht, në lagjen 4 të qytetit. Ky kopsht ofron mjedise bashkëkohore dhe tepër cilësore për të gjithë fëmijët. Investimi në fjalë është siguruar tërësisht nga bashkia e Durrësit, ndërkohë që kryebashkiaku Dako në fjalën e tij u shpreh se falë këtij investimi me mjedise tërësisht të reja kemi rritur numrin e fëmijëve që frekuentojnë këtë kopsht, nga 120 në 180 fëmijë. Kryebashkiaku Dako shtoi se jemi këtu për të punuar dhe shërbyer njëlloj në gjithë territorin e bashkisë: “Ky kopsht fëmijësh është një investim i Bashkisë së Durrësit. Falë investimit tonë e kemi ndryshuar totalisht dhe tashmë që kopshti është në kushte moderne është rritur numri i fëmijëve të cilët e frekuentojnë kopshtin, nga 120 kemi arritur në 180 fëmijë duke ruajtur standardet dhe normativat me 30-35 fëmijë në një grup. Bashkia e Durrësit e ka prioritet të gjithë sistemin arsimor, çerdhet, kopshtet dhe shkollat. Po vazhdojmë me të njëjtin ritëm duke punuar në të gjithë territorin e Bashkisë së Durrësit që nga Ishmi deri në Rrashbull për të kompletuar sistemin tonë arsimor. Vetëm për këtë vit kemi një planifikim prej afro 250 milion lekë investim në sistemin arsimor. Kemi realizuar punë me standarde, kemi realizuar punë edhe për fëmijët me aftësi të kufizuar më të gjitha normativat e domosdoshme që duhet të ketë në shkollat tona. Ju premtojmë që me të njëjtin ritëm do të vazhdojmë edhe në vitin e ardhshëm. Ne vazhdojmë të jemi në shërbim të qytetarëve për të mundësuar një cilësi më të mirë jetese për të gjithë banorët e Durrësit.” Kopshti 7 Marsi u rindërtua totalisht me një fond prej rreth 33.7 milionë lekë. Kopshti ka 6 ambiente ku qëndrojnë fëmijët, psikolog, infermier, kuzhinë, lavanteri etj.
Sigal