Koorporata Shtetërore OST që ka për detyrë furnizimin pa ndërprerje të energjisë elektrike si dhe shkëmbimet e nevojshme me vendet e rajonit, gjatë vitit 2022 ka dhënë 15 tendera pa garë. Në total vlera e tyre shkon në 3.3 milionë euro.
Porosia e kryeministrit që tenderët të mos jepen duke cënuar garën, mesa duket nuk po gjen zbatim në një pjesë të madhe të institucioneve shtetërore.
Operatori i Sistemit të Transmetimit, nga 55 tendera që ka bërë gjatë vitit 2022, 15 prej tyre u janë dhënë kompanive pa konkurrim. Vlera totale e e tyre shkon në 381 milionë lekë, ose 3.3 milionë euro.
Këtu vlen të përmendet prokurimi i mbyllur në datën 7 qershor të vitit të shkuar, që kishte si qëllim shërbimin me roje për një periudhë 3 vjeçare në 6 nënstacione të vendit.
Në procedurën me vlerë 1.2 milionë euro mori pjesë vetëm kompania “Trezhnjeva” e cila u shpall fituese pa konkurrim. Për më tepër që ka kërkuar sa 99.9% te vlerës së tenderit për të kryer punën.
Edhe në tenderin e datës 10 qershor 2022 për blerje karburanti ka marrë pjesë vetëm bashkimi i operatorëve “Bolv Oil” dhe “OLSI” të cilët janë shpallur fitues. Vlera që u shpenzua ishte 433 mijë euro, ndërsa kompania ka kërkuar sa 100% të vlerës së tenderit për të kryer punën.
Në të 15 tenderat edhe open procurement ka ngritur shqetësimin duke I renditur me flamur të kuq.