Babëzia në Fondin Shqiptar të Zhvillimit nuk ndalet. Në kohë krize kur çmimet e materialeve të ndërtimit kanë kapur majat Fondi Shqiptar i Zhvillimit, i drejtuar nga Dritan Agolli ka tenderuar për një seri punësh publike, që nga përshkrimi duket se janë në funksion të fushatës së ardhshme për zgjedhjet lokale.
Tenderat
Skandali merr përmasa të mëdha pasi në 10 tenderë, shtatë prej tyre nuk i kanë fituar kompanitë me oferta me të mira. Vlera totale e këtyre 7 tenderëve është mbi 22 milionë euro. Tenderi: Rehabilitimi i përroit Lushnje dhe rikualifikimi urban i zonave rreth tij, me fond limit 2,7 milionë euro e ka fituar ”ALB TIEFBAU”, e renditur e treta. Procedurën për ndërhyrje në rrugë dhe nyje lidhëse rajonale dhe lokale, me vlerë 2,2 milionë euro e ka fituar “ALBBUILDING” sh.p.k., e renditur e dyta me një ofertë rreth 150 mijë euro më shumë se oferta më e mirë. Në tenderin për ndërhyrje rigjeneruese në blloqet e banimit, rigjenerimi i stokut të banesave në rajonin 4, me fond limit gati 3 milionë euro fituese është shpallur kompania “Modeste” sh.p.k., e klasifikuar e treta me 120 mijë euro më shumë se oferta më e mirë. Në garën për ndërhyrje për përmirësimin e shtresave asfaltike (rajoni 3), fondi limit ishte, 3,7 milionë euro dhe fituese është shpallur “G.P.G COMPANY”, e klasifikuar si e treta, me 230 mijë euro më shumë se oferta me e mirë. Për kontratën për ndërhyrje rigjeneruese ne blloqet e banimit rigjenerimi i stokut të banesave në rajonin 3, me fond limit rreth 3 milionë euro fituese ka dalë kompania “Senka” sh.p.k e renditur e shtata me 300 mijë euro më shumë se oferta e klasifikuar e para.