“200 vende pune me kontratë 1-vjeçare”, Kushi thirrje të rinjve: Aplikoni!

114
Sigal

Ministrja e Arsimit Evis Kushi ka përcjellë mesazhin e disa të rinjve të punësuar në institucione të ndryshme nëpërmjet thirrjes së fundit të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës, të cilët ftojnë të rinjtë e tjerë të aplikojnë deri më 31 korrik për t’u bërë pjesë e këtij programi.

“Një mesazh nga të rinj e të reja për Programin Kombëtar të Praktikave të Punës, të cilët kanë përfituar kontratë 1-vjeçare pune në institucione të ndryshme!

Ndërkohë, aplikimet për THIRRJEN VI të këtij programi vazhdojnë deri më datë 31 korrik!

Apliko dhe mos e humb mundësinë! Aplikimet nëpërmjet http://praktika.arsimi.gov.al” – shprehet Ministrja Kushi.

Aplikimi për “Thirrjen VI” të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës është i hapur për të rinjtë mes moshës 21-26 vjeç, të cilët kanë përfunduar minimalisht ciklin e parë të studimeve “Bachelor” dhe nuk kanë qenë pjesë e programit gjatë thirrjeve të mëparshme.

Pas mbylljes së aplikimeve më datë 31 Korrik 2021, institucionet përkatëse do të lajmërojnë nëpërmjet postës elektronike të përzgjedhurit për të filluar praktikën 3- mujore, në periudhën 16 gusht – 16 nëntor 2021.

Ndërkohë, pas përfundimit të praktikës 3-mujore, rreth 200 praktikantëve me performancën më të mirë do t’iu ofrohet mundësia e lidhjes së një kontrate 1-vjeçare pune.