Trafikantët e Fierit/ SPAK nis hetimet për kryebashkiakun e Fierit. Petro Koçi:Trafikantët e drogës kanë legalizuar bizneset

241
Sigal

SPAK: Po hetojmë akuzat për kryebashkiakun e Fierit

Petro Koçi: Protagonistë  të trafikut të drogës dhe të dhunës, tashmë kanë legalizuar subjekte biznesi

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar  SPAK, ka nisur verifikimin e denoncimit publik të deputetit të Partisë Socialiste, për Qarkun e Fierit, Petro Koçi. Koçi tha të premten më 16 korrik se në Fier, “duart e krimit janë shtrirë mbi financat publike”. Drejtuesi i SPAK, Arben Kraja bëri të ditur për BIRN se, ky denoncim i Koçit është në verifikim. Me anë të një statusi në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook dhe në një deklaratë për mediat, deputeti socialist Petro Koçi, akuzoi se tenderët publikë në Fier, po fitoheshin nga organizatat kriminale që operojnë në këtë zonë. “Fieri ka një botë krimi që është konsoliduar ndër vite”, tha Koçi në një intervistë.

“Protagonistë të trafikut të drogës dhe të dhunës tashmë kanë legalizuar subjekte biznesi që fitojnë tenderë publike. Këtë e realizojnë ose nëpërmjet lidhjeve të drejtpërdrejta me ndonjë titullar institucionesh ose nëpërmjet kërcënimit të zyrtarëve të caktuar që ekzekutojnë prokurimet si edhe nëpërmjet eliminimit të konkurrentëve në procesin e tenderimit duke kërcënuar pronarët e subjekteve të biznesit”, shkroi Koçi.

Sipas tij, këto organizata kriminale janë fuqizuar duke pastruar paratë e pista në industrinë e ndërtimit dhe vazhdojnë të përvetësojnë fitime kolosale nga taksat tona. “Organet ligjzbatuese nuk duhet të lejojnë që qyteti ynë t’i nënshtrohet botës së krimit të organizuar”, ishte thirrja e Koçit. I pyetur mbi këto deklarata, kreu i bashkisë së Fierit tha se ishte “parimisht dakord” me Koçin.

Bashkia e Fierit dhe bashkitë e tjera të qarkut apo institucionet në varësi të qeverisë qendrore, drejtohen prej vitesh nga të zgjedhur apo të emëruar prej Partisë Socialiste.

Petro Koçi ka mbajtur pozicionin e zv/Ministrit të Mbrojtjes prej dhjetorit 2014, deri në qershor të 2021-it , kur ai u dorëhoq, pasi mori mandatin si deputet i PS-së për Qarkun e Fierit. Gjithashtu, ai është edhe kryetar i degës së Partisë Socialiste në Fier.