100-300 Euro për kalimin e çdo emigranti, goditet grupi/ 6 në pranga

423
Sigal

Një grup kriminal që merrej me organizimin dhe drejtimin e trafikimit të emigrantëve të paligjshëm nga Lindja e mesme drejt vendeve të BE-së është goditur, me gjashtë anëtarë të saj të arrestuar, njoftoi policia e Tiranës.

Të arrestuarit janë Ali Osmanaj 36 vjeç, Aida Velcani 39 vjeçe, Mentor Isufi 30 vjeç, Anamaria Bengaj 20 vjeçe, të katërt banues në Tiranë, si dhe Ardit Pinderi 21 vjeç dhe Melinor Pinderi 19 vjeç, të dy banues në Korçë. Ata akuzohen për veprat “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Në kuadër të operacionit policor “Stafeta”, janë sekuestruar shuma parash, armë zjarri, automjete e prova të tjera.

Aksioni

Policia njoftoi se: Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Sektorin e Operacioneve Speciale në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në koordimin nga Departamenti i Policisë Kriminale dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, pas një hetimi gati 8-mujor ka finalizuar operacionin “Stafeta”, duke goditur një aktivitet të paligjshëm në fushën e trafikimit të personave.

Hetimet kanë nisur në vitin 2019. Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe persona të tjerë në Greqi, Turqi dhe Lindjen e Mesme, për një periudhë 9-mujore kanë organizuar dhe drejtuar veprimtarinë kriminale të trafikimit të personave me origjinë nga Lindja e Mesme në Greqi, Shqipëri deri në përcjelljen e tyre drejt kufirit me Malin e Zi, Kosovën, me destinacion final vendet e Bashkimit Europian.

Gjatë ndjekjes së këtij procedimi penal, janë dokumentuar rreth 4 raste të trafikimit të personave nga ky grup dhe sipas të dhënave këta persona merrnin nga 100-300 euro për çdo emigrant nga Bilishti në Tiranë dhe nga Tirana në drejtim të Kukësit ose Shkodrës.

Ali Osmanaj, Aida Velcani dhe Mentor Isufi janë kapur në flagrancë në afërsi të rrethrrotullit të TEG-ut duke transportuar me automjetet 5 emigrantë të paligjshëm nga Maroku.

Gjatë këtij operacioni policor janë mundur të sigurohen prova materiale të përfitimeve të këtyre personave nga kjo veprimtari kriminale, konkretisht: 12.000 euro, 1 milion lekë, një armë zjarri pistoletë me krehër me fishekë, 10 aparate celuarë, mandate tërheqjeje shumash monetare nga agjensitë e transfertave të parave, si dhe dy automjete që shërbenin për të transportuar emigrantët.