Rrëfimi/ Prof. Dr. Qemal Lame: Propozimi i Ramizit dhe Hekuranit për arrestimin e Kadaresë, telefonata e Enverut dhe pse u pendua në minutën e fundit. Gjyqi politik në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe përplasjet me Foto Çamin

774
Sigal

Ja pse u dha urdhri i dytë për arrestimin e Ismail Kadaresë. Enveri pendohet në minutën e fundit

Ta lëmë edhe këtë herë. Do hapim edhe më shumë probleme. Të mos e ngatërrojmë situatën me arrestime të tjera komplotistësh

Rrëfimet i ish kryehetuesit Prof. Qemal Lame

Pas urdhrit të parë të Enver Hoxhës për të arrestuar Ismail Kadarenë, si pjesëtar i klanit të Mehmet Shehut, u përpilua me kujdes edhe raporti i Hetuesisë së Përgjithshme për arësyet dhe shkaqet e arrestimit të Ismail Kadaresë. Ja thelbi i atij raporti.

Raport: Arrestimi dhe dënimi i Ismail Kadaresë si komplotist

Janë arrestuar dhe janë në hetim 28 të pandehur të arrestuar në grupin në hetim për kryekomplotin e drejtuar nga Mehmet Shehu. Zgjerimi i numrit të arrestimeve duhet analizuar me kujdes nën këndvështrimin e situatës politike dhe opinionit shoqëror për akuzat, goditjen dhe zgjerimin e komplotit. Arrestimi i Ismail Kadaresë mendoj se ka vend të analizohet në tablonë e komplotit, të situatës së brendshme e asaj të jashtme politike për shkak të kontributit me botimet e shumta dhe të njohjes së tij të gjerë. Arrestimi do të ishte me pasoja edhe për vlerësimet e romanit “Dimri i madh”, ku është përjetësuar një nga ngjarjet madhore të kombit shqiptar dhe roli i madh i udhëheqësit Enver Hoxha. Për këto arsye madhore, merr vëmendje qëndrimi ndaj Ismail Kadaresë. Urdhri është i qartë dhe nuk e vë në diskutim. Por ka vend që para zbatimit ta shohin më gjerë për vetë pasojat. Me përgjegjësi, ju shpreh mendimin e bindjen time se Ismail Kadareja nuk duhet të arrestohet. Ismaili nuk është e dobishme të arrestohet, në radhë të parë, për arsye të kontributit dhe njohjes së tij, duke u vlerësuar me objektivitet veprat, sidomos “Dimri i vetmisë së madhe”, të analizuara edhe me domosdoshmërinë e mbrojtjes së figurës Tuaj, shoku Enver. Në radhë të dytë, do të zgjerohej komploti dhe nuk do të arrihet të kuptohet e mbështetet nga opinioni politik e shoqëror i brendshëm dhe ai i jashtëm. Qemal Lame, 28 shtator 1982. Punova gjithë natën për ta analizuar dhe formuluar sa më të saktë e të përmbledhur raportin. Raportin e dërgova dorazi tek Enveri. Në orën 07:30 bisedova me Sulo Gradecin. I thashë: – Kam një dokument shumë të rëndësishëm për shokun Enver. Të lutem, dorëzoja në dorë. – Pa diskutim, shoku Qemal. Shoku Enver ka besim dhe ju vlerëson personalisht. Mos ki merak.

Raportimi tek Enver Hoxha: Anulimi i urdhërit të arrestimit

E martë, më 28 shtator 1982, 21:25

Ra zilja e telefonit:

– Enveri  jam, Qemal! E lexova raportin. Ke mendime të drejta. Bëre mirë që e dërgove. Do të bisedojmë nesër në darkë. Do thërras edhe Ramizin e Hekuranin.

– Faleminderit, shoku Enver. Më shqetësoi seriozisht situata politike dhe pasojat që duhen parandaluar, prandaj ju shkrova. Më erdhi shumë keq që do t‘ju merrja kohë për të analizuar edhe një herë çështjen.

– Mirë bëre. Këtë kërkon Partia. T‘i themi hapur mendimet. Me Ismailin kemi shumë probleme që na shqetësojnë. Edhe goditja hap akoma më shumë probleme e shqetësime…

Kryehetuesi – Enverit: Po të paraqiten dokumentet proceduriale, do të vendos sipas ligjit, shoku Enver. Veç kërkesave ligjore, më shqetëson edhe situata politike…. Vazhdojnë diskutimet në organet e Partisë për dënimin e kryekomplotit. Pas dënimit të tyre, do të vazhdojnë arrestime të tjera për bashkëpunëtorë komplotistë!? Mendoj se është problem që kërkon vlerësim! …

E mërkurrë, më 29 shtator 1982, 18:00

Nën drejtimin  e Enver  Hoxhës,  të pranishëm  Ramiz  Alia, Hekuran Isai, Qemal Lame, u analizuan përfundimet e parashtruara.

Enveri: –  Raporti i dërguar nga Qemali është i sinqertë dhe jepen mendime me përgjegjësi. Ke bërë punë të mirë! Ke dhënë mendim për të mos e arrestuar Kadarenë! Argumentet janë të drejta. Si mendoni juve, Ramiz e Hekuran?

Ramizi vlerësoi përfundimet e raportit dhe u shpreh:

–  Përfundimet janë të drejta. Edhe unë i vlerësoj. Përgjegjësia e Isamilit është e dokumentuar. Them se duhet arrestuar, si e vendosët juve. Jam dakord, si të gjykoni juve, shoku Enver.

Edhe Hekurani mbështeti përfundimet e raportit:

–  Edhe unë i vlerësoj përfundimet e raportit. Është bërë punë e mirë. Për arrestimin, të vendoset si të gjykoni juve, shoku Enver. Jam dakord me mendimin e Ramizit.

Enveri: Qemal! Ramizi dhe Hekurani kanë përsëri mendimin që Ismaili të arrestohet. Kanë biseduar edhe me juve.

– Biseduam, shoku Enver. Por nuk më janë paraqitur dokumentet proceduriale për të vendosur.

Porositë e Enver  Hoxhës:

  1. Gjendja e rëndë e numrit të madh të arrestimeve e të dënimeve për krime kundër shtetit është pasojë e veprimtarisë së Kadri Hazbiut dhe më pas të Feçorr Shehut që kanë drejtuar Sigurimin e Shtetit.
  2. Gjendja dhe rreziku i shtrirjes së pastudiuar të veprimtarisë armiqësore, për këshillime të personave, ka rritur pasigurinë e pakënaqësinë në popull.
  3. Të zbatohet një politikë penale më e kujdesshme dhe e bazuar në analiza e studime.
  4. Organet e Partisë në qendër dhe në rrethe të forcojnë kontrollin në strukturat e Sigurimit të Shtetit.

Të kërkohet me rreptësi zbatimi i drejtë i Platformës së Punës Operative dhe respektimi me përpikëri i Kodit Penal, Kodit të Procedurës Penale dhe çdo ligji e rregulli në gjithë veprimtarinë e Sigurimit të Shtetit, të Policisë e strukturave të tjera të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Prokuroria të forcojë kontrollin e zbatimit të ligjshmërisë për arrestimet e dënimet.

Të fuqizohet kontrolli i prokurorit për zbatimin e ligjshmërisë në veprimtarinë shtetërore. Gjykata të garantojë respektimin e rregullave proceduriale për objektivitetin në prova, bazueshmërinë e akuzave e të fajësisë së personave, dënimin e drejtë të personave të akuzuar për veprimtari armiqësore.

  1. Hetuesia është organ kushtetues, organ i pavarur i drejtësisë. Të studiohet dhe të shpejtohen masat për riorganizimin e hetuesisë si organ i pavarur i drejtësisë dhe veçimin e saj nga organet e punëve të brendshme.
  2. Të mos zgjerohet më tej numri i personave të grupit komplotist (i cili në “Tablonë sinoptike” do të cilësohej si komploti i kryesuar nga Mehmet Shehu).
  3. Dokumentet për Ismail Kadarenë janë të plota. Ai e ka vendin në burg! Megjithatë, të presim. Jam dakord me mendimin e Qemalit që të mos e arrestojmë Kadarenë. Të mos realizohet arrestimi i Ismail Kadaresë. Ta shohim përsëri në një kohë më të qetë. T‘i kushtojmë gjithë vëmendjen punës së madhe që ka bërë Partia për zhvillimin e vendit dhe dënimin e rreptë të armiqve komplotistë.

Qemal! Vazhdo punën studimore për Sigurimin, Policinë, Hetuesinë, Gjykatën, Prokurorinë. Vazhdo punën për të shpejtuar riorganizimin e hetuesisë dhe veçimin nga organet e punëve të brendshme. Studimi që keni bërë është realizuar me përgjegjësi. Pres mendime edhe për veprimtarinë shtetërore në tërësi. Pres ide e mendime për të mirën e Partisë.

Na përshëndeti të gjithëve duke na uruar natën e mirë dhe na dha dorën.

 

Rishikimi i urdhrit për arrestim në vitin 1983

Në këtë kohë u miratuan ndryshimet në Kushtetutë dhe Ligji për Hetuesinë. Unë isha zgjedhur nga Kuvendi Popullor me detyrën kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme. Rishikimi i urdhërit për arrestimin e Ismail Kadaresë erdhi papritur. Nuk kishte asnjë provë ose fakt tjetër të vërtetuar që të krijonte kushte të reja për të analizuar dhe marrë një vendim të ri për shkrimtarin. Hetimet e komplotit pothuajse ishin në fazën e diskutimit dhe të marrjes së vendimit për përfundimin e hetimeve dhe dërgimin e çështjes në Gjykatën e Lartë.

E enjte, më 2 qershor 1983, 08:30 Biseda telefonike me Ramiz Alinë për arrestimin e Ismail Kadaresë

Ramizi, më 2 qershor 1983, rreth orës 09:00, mori në telefon sekret:

–  Shoku Qemal. Po të keni kohë, bisedojmë nesër, në orën nëntë. Kam disa materiale që ka dërguar Hekurani. Do të bisedojmë për implikimet e dala nga grupi komplotist. Do të jetë edhe Hekurani.

–  Do të vij, shoku Ramiz!

E enjte, më 2 qershor 1983, 09:00 Takimi me Ramiz Alinë

I pranishëm edhe Hekuran Isai.

–  Shoku Qemal! Sigurimi i Shtetit ka përgatitur materiale kallëzuese për arrestimin e Ismail Kadaresë. Thashë ta bisedojmë bashkarisht këtë problem.

–  Do të ishte e nevojshme që Sigurimi i Shtetit të dërgojë zyrtarisht materialet kallëzuese, shoku Ramiz!

–  Ke të drejtë! Unë mendova të shkëmbenim mendime paraprakisht.  Janë shumë dokumente. Ka ardhur koha të vendoset.

–  Është e nevojshme të njihem me materialet kallëzuese, shoku Ramiz.

–  Hekurani do t‘i dërgojë. Mendova të bisedojmë që po të jesh dakord për arrestimin, do të sillen menjëherë materialet.

–  Vitin e kaluar u urdhërua dhe u anulua arrestimi, shoku Ramiz. Gjendja nuk ka ndryshuar.

–  Pas dënimit të komplotit mund të bëhen arrestime të tjera.

–  Edhe një herë, shoku Ramiz. Të paraqiten zyrtarisht dokumentet dhe të analizojmë përgjegjësinë. Pa dokumente nuk kam të drejtë të jap mendim.

–  E shoh se nuk do të vendosësh. Do të bisedojmë përsëri.

E enjte, më 2 qershor 1983, 20:15 Bisedë telefonike me Enver Hoxhën

–  Qemal! Kam këtu Ramizin dhe Hekuranin. Po më raportojnë për

komplotin.  Bisedojmë të hënën, në darkë (më 6 qershor 1983).

–  Po, shoku Enver. Do të vij. Do të përgatitem…

Përfundimet nga studimi për krimet kundër shtetit dhe komplotet u përdorën për të argumentuar pasojat e mundshme nga arrestimi i Ismail Kadaresë

Me  iniciativën   time   personale   dhe   me   shumë   përgjegjësi,   në raportimin  në bisedën  telefonike me Enver  Hoxhën,  më 2 qershor 1983, parashtrova mendimin për të analizuar rezultatet e hetimit të organizatës kundërrevolucionare të kryesuar nga Mehmet Shehu dhe masat për të ardhmen. Pasi u miratua ideja e propozuar, u vura përpara situatës së domosdoshmërisë së evidentimit me korrektësi të gjendjes së krimeve kundër shtetit dhe të vizionit për të ardhmen e kuptimit e zbatimit të luftës së klasave, mbrojtjes së shtetit e të ligjshmërisë dhe detyrave të organeve të rendit e të drejtësisë. Situata politike e krijuar me goditjen e grupit të fundit komplotist shtronte nevojën që të studioheshin dhe të evidentoheshin me objektivitet gjendja reale e shkaktuar nga goditja e grupeve komplotiste dhe veprimtaria armiqësore në tërësi. Për këto arsye, analiza u zgjerua dhe u thellua për periudhën e dhjetëvjeçarit 1970-1980 deri më 1983, me kriteret e një studimi mbi tablonë e gjendjes dhe dinamikës së goditjes së veprimtarisë armiqësore.

 

Raportin përmbledhës e dërgova në orën 07:30

 

E premte, më 3 qershor 1983, 18:00

 

Takimi me Enver Hoxhën: Ja pse Enveri u pendua për arrestimin e Ismail Kadaresë

 

I pranishëm Ramiz Alia dhe Hekuran Isai.

–  Qemal! Ramizi dhe Hekurani kanë përsëri mendimin që Ismaili të arrestohet. Kanë biseduar edhe me juve.

– Biseduam, shoku Enver. Por nuk më janë paraqitur dokumentet proceduriale për të vendosur.

–  Parimisht, si mendon ti?

–  Të zbatohet ligji me rreptësi po të ketë kallëzime ligjore dhe të dokumentohet fajësia e Ismailit. Vitin e kaluar biseduam dhe juve dhatë porosinë që të mos zbatohet arrestimi. Gjendja nuk ka ndryshuar. Nuk ka të dhëna të reja.

–  Ashtu është. Nuk ka të dhëna të reja. Po ky, mo, nuk duhet lënë të livadhisë akoma.

–  Po të paraqiten dokumentet proceduriale, do të vendos sipas ligjit, shoku Enver. Veç kërkesave ligjore, më shqetëson edhe situata politike…. Vazhdojnë diskutimet në organet e Partisë për dënimin e kryekomplotit. Pas dënimit të tyre, do të vazhdojnë arrestime të tjera për bashkëpunëtorë komplotistë!? Mendoj se është problem që kërkon vlerësim! …

–  Mirë e ke, Qemal! Ta lëmë edhe këtë herë. Do hapim edhe më shumë probleme. Të mos e ngatërrojmë situatën me arrestime të tjera komplotistësh. Partia do të vëzhgojë dhe do të godasë me forcë e në kohë të gjithë armiqtë!

 

Dosja për arrestimin e Kadaresë përfundon në arshivë

Në periudhën e mëvonshme nuk u paraqitën kërkesa të tjera për arrestimin e Ismailit apo të ndonjë personaliteti tjetër. Ka  rëndësi  të  theksohet  dhe  të  jetë  e  qartë  se  ndjekja  e  Ismailit ka vazhduar me intensitet të lartë. Nuk gjendet një dosje 2A ku të jetë dokumentuar ndjekja agjenturore. Por në fakt ndjekja ka vazhduar dhe mundësia e arrestimit ka qenë përherë potenciale. Ismaili  ndiqej  me  të  gjitha  format  dhe  metodat  agjenturore  e  të teknikës së asaj kohe: dëgjohej në bisedat e rëndësishme, përpunohej me bashkëpunëtorë, ishte nën kontroll të plotë kur shkonte me shërbime jashtë shtetit etj. Në një rast, në Paris, është provokuar nga një artiste këngëtare. Motra e Ismailit ka qenë në ndjekje e përpunim aktiv. Ndjekja kishte krijuar edhe shqetësime të hapura në familjen e tij. Ismaili dhe familja e tij nuk kishin siguri dhe garanci për jetën.

Dokumentet agjenturore dhe hetimore me provat për kërkesën për marrjen e vendimit për arrestimin e Ismail Kadaresë

Kërkesa për domosdoshmërinë e marrjes së vendimit për arrestimin e Ismail Kadaresë ishte mbështetur me dokumentet ligjore proceduriale. Ishin përgatitur dhe dokumentuar zyrtarisht me procedurë më shumë se dhjetë dëshmi, ku argumentohej bindshëm veprimtaria armiqësore në ngarkim të Ismail Kadaresë. Në mendimin teorik dhe praktikën proceduriale njihet terminologjia e “fajësisë për akuza të vërtetura katërcipërisht”. Kjo bazohet në katër elementet e figurës  së krimit. Sigurimi i Shtetit e përmendte dhe e theksonte me pasion këtë formulim në kërkesat për arrestime për krime kundër shtetit. Edhe në këtë rast, kërkesa për arrestim me rëndësinë më të madhe që u jepej dëshmive të Fiqret Shehut, Llambi Ziçishtit etj. Thëniet e Fiqret Shehut si e pandehur vlerësoheshin si prova kryesore, por meqenëse ajo ishte bashkëshortja e Mehmet Shehut, për t‘u bërë më të besueshme akuzat kundër komplotistëve të tjerë, si dhe kundër Ismail Kadaresë, i ishte dhënë më shumë rëndësi dëshmisë së Llambi Ziçishtit etj. Përmbajtja e  procesverbaleve të  paraqitura si  prova  për  fajësinë  e Ismail Kadaresë ishte pothuajse e njëjtë në të gjitha thëniet e personave të administruara si dëshmi për të bazuar ligjërisht, sipas kritereve proceduriale, kërkesën me domosdoshmërinë për marrjen e vendimit për arrestim. Njohja, studimi dhe përfundimet e natyrshme që dalin ndihmojnë për t‘u publikuar dhe demaskuar metodat e fshehta dhe të kundërligjshme që përdoreshin rëndom për të dënuar kundërshtarët politikë të rrezikshëm për regjimin e asaj kohe. Për këto përmasa të kundërligjshme është më tipike edhe dëshmia e Llambi Ziçishtit. Dokumentet proceduriale për arrestim në vitin 1982 janë ruajtur dhe ripërsëritur edhe një herë në fshehtësi në vitin 1983. Pyetjet e të pandehurve pothuajse  ishin të zhvilluara dhe të firmosura  nga dy hetues. Më poshtë po publikojmë procesverbalin e vitit 1982. Ky dokument është i paligjshëm për këto arsye ligjore proceduriale:

  1. Mungesë e objektivitetit të hetimeve, të imponimit, sugjestionimit të të pandehurit Llambi Ziçishti, i cili ka mbajtur qëndrim pohues dhe ka bashkëpunuar me punëtorët operativë dhe hetuesit.
  2. Hetuesi Ferit Sula ka qenë hetues i Ministrisë së Punëve të Brendshme.
  3. Llambi Ziçishti është evidentuar si i pyetur me cilësinë e të pandehurit në vitin 1982.
  4. Në vitin 1983 është paraqitur një procesverbal i pyetjes së Llambi Ziçishtit me përmbajtje të njëjtë me atë të vitit 1982, me të vetmin ndryshim se pyetja ishte bërë nga dy hetues: Ferit Sula dhe Thoma Tutulani.

Gjetja e njerëzve që mund të ndihmonin sigurimin dhe do të pranonin të bashkëpunonin, duke dëshmuar legjendat e parapërgatitura për veprimtari armiqësore dhe si pjesëtar i “Komplotit të madh”, janë disa nga faktet që tregojnë për manipulimin e provave në hetimin e Komplotit dhe tentativën konkrete për arrestimin dhe dënimin, si një nga komplotistët, edhe të Ismail Kadaresë. Dëshmia e Llambi Ziçishtit është edhe një dokument ku evidentohen qartë makinacionet që bëheshin nga sigurimi i shtetit dhe hetuesit e grupit të komplotit, në zbatim të udhëzimeve të dhëna direkt nga udhëheqja. Edhe një herë tjetër del veprimtaria e këtij hetuesi që ka vepruar si vegël e bindur për të realizuar arrestimin e Ismail Kadaresë. 80 Masat penale ndaj Ismail Kadaresë janë ndaluar për t‘u zbatuar në çastet e fundit. Kjo  veprimtari  me  përgjegjësi  të  rrezikshme  për  atë  kohë  është  dokumentuar dhe diskutuar konkretisht, në rrjedhën e masave që pasuan:

  1. Mendime për urdhwrin për arrestimin e Ismail Kadaresë
  2. Biseda me ministrin e Punëve të Brendshme
  3. Biseda me Ramiz Alinë
  4. Biseda me Enver Hoxhën.

 

Ismail Kadare, objekt i bisedave në familjet e udhëheqësve kryesorë

– Ndjekja operative ndaj Ismail Kadaresë ishte bërë edhe objekti i bisedave në familjet e udhëheqësve kryesorë.

– Bashkim Shehu në shtator të vitit 1980, kur babai i tij, kryeministri Mehmet Shehu, ishte në detyrë, ka vënë në dijeni Ismail Kadarenë se ai dyshohej dhe qarkullonte mendimi se ishte një agjent i Perëndimit.

Kjo tregon se përgjigjja e shkrimtarit nuk mbetej më një fshehtësi e ndjekjes agjenturore dhe arrestimit të pritshëm të tij. Në udhëheqje bisedohej konkretisht për një arrestim të shpejtë dhe pritej urdhri për t’i hedhur prangat dhe për të dënuar shkrimtarin për tradhti ndaj atdheut. Në fillim  të vitit 1982,  Neshat Tozaj i kishte sjellë  mesazhin  e Vladimir Meçes, se: “Sipas dërguesit të mesazhit, të mërkurën e ardhshme, një zbulues special, shok i ngushtë i tij i gjimnazit, me të cilin Iks e ruante miqësinë, do të kërkonte një takim me të, për arsye që vetëkuptoheshin.  Zbuluesi kishte me vete një regjistrues. Kujdes, asnjë fjalë askujt, përndryshe, në çdo drejtim  përgjonte vdekja. Qëndrimi i qartë për mosarrestimin e Ismail Kadaresë bazohej në analizën objektive politike dhe ligjore- procedurale.

Pse nuk u arrestua Ismail Kadare?

Materialet e mbledhura dhe të bëra gati për arrestimin dhe dënimin e shkrimtarit do të mbeteshin pa veprime të mëtejshme për shkak të interesave të ruajtjes së pushtetit nga vetë Enver Hoxha. Analiza objektive e situatës politike dhe shoqërore, si dhe e shkaqeve dhe rrethanave që kanë ndikuar në mosrealizimin e arrestimit dhe dënimit të Ismail Kadaresë evidenton përfundimin logjik se ato janë lënë për një kohë tjetër. Marrja e provave ligjore ka qenë e organizuar dhe studiuar më parë. Mosrealizimi i masave të arrestimit për ta dënuar edhe atë si komplotist, është një vendim i marrë në çastet e fundit, i urdhëruar nga vetë Enver Hoxha.  Ramiz  Alia  do ta ndiqte më tej këtë  problem,  siç  del  nga  disa  të dhëna dhe shënimet e tij në materialet hetimore të grupit komplotist. Analiza mbi arsyet e këtij qëndrimi të çon në përfundimin se vendimi është shtyrë për të mos u dëmtuar pushteti dhe vlerat e personalitetit të tij. Enveri ka ndryshuar qëndrimin e tij, pasi nga dënimi i shkrimtarit me famë botërore dhe i librit “Dimri i Madh” që ai kishte shkruar, do të dëmtohej edhe vetë ai, si subjekti historik më i rëndësishëm. Pas meritave për udhëheqjen e Luftës Nacionalçlirimtare, të pushtetit popullor dhe ndërtimit të socializmit, me romanin e Ismailit, Enveri merrte vlera të tjera historike për përballimin dhe kalimin e situatës së rëndë të prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik. Në rast se do të dënohej autori i librit “Dimri i madh”, atëherë do të ndëshkohej në opinionin shoqëror të brendshëm dhe të jashtëm edhe subjekti kryesor i romanit. Populli dhe bashkësia ndërkombëtare nuk do të pranonin propagandën zyrtare, se një shkrimtar i shquar i nivelit botëror, do të kishte kryer veprimtari armiqësore dhe të dënohej si pjesëtar i grupit komplotist  për vrasjen  e Enver  Hoxhës. Në vitet e fundit të jetës së tij, Enveri duket se kuptoi, që me gjithë propagandën dhe masat e marra për dënimin e komplotistëve, lufta e klasave që kishte drejtuar mbetej periudha e errët që ndikonte të dëmtohej dhe dënohej gjithë kontributi dhe figura  e tij.

 

Vijon

Në numrin e ardhshëm do të lexoni:

Gjyqi politik në Lidhjen e Shkrimtarëve  dhe Artistëve  ndaj  Kadaresë

Pendimi i Ismail Kadaresë: Kam boshllëqe  të  partisë.

Në veprat  e mia pashë influencat  e bagazhit  revizionist

Pyetjet gozhduese të Foto Çamit, sekretarit të Byrosë Politike të PPSH-sw