1 milion lekë për 1 leje mjedisore

948
Banorët e Elbasanit prej disa muajsh vuajnë neglizhencën dhe lidhjet korruptive të Agjensisë Mjedisit dhe institucioneve të tjera lokale që lidhen me lejet mjedisore. Eshtë fjala për lejet mjedisore që jepen nga ARM dhe agjensitë lokale për furrat e bukës në disa lagje të Elbasanit që prej vitesh ndotin banesat, pallatet dhe gjithçka tjetër, përballë heshtjes së qëllimshme të strukturave të shtetit. Banorët e lagjeve ‘Dyli dhe H. Myzyri’, ‘Visarion Xhuvani’, ‘Brigada 17 S’ kanë prej 6 muajsh që ankohen për ndotjen që atyre u vjen nga furrat e bukës, që janë ndërtuar në mes të pallateve, pa plotësuar asnjë kusht sigurie, teknik dhe higjeno-sanitar. Ndotja është masive, tymrat e oxhaqeve dhe gazrat që dalin nga oxhaqet e ulëta, të cilat nuk plotësojnë kushtin kryesor të “ngritjes së oxhaqeve 2 metra mbi tarracat e pallateve”, po u nxijnë ajrin, jetën dhe banesat e banorëve të disa lagjeve të Elbasanit. Prej disa muajsh banorët e këtyre lagjeve u janë drejtuar me letra dhe peticione Agjensisë Rajonale të Mjedisit dhe Zyrës së Mjedisit në Bashki, por deri sot ata nuk kanë marrë asnjë përgjigje zyrtare, por vetëm justifikime dhe më e keqja mbrojtje nga zyrtarët e dorovitur për ndotësit e lagjeve. Prodhimi i bukës në furrat e ngritura në mesin e lagjeve dhe pallateve, faktikisht sipas ligjit, nuk lejohet, por në raste të veçanta ka kushtet e veta dhe bazuar mbi ligjin përkatës jepet dhe leja mjedisore. 
Por në asnjë rast ARM dhe zyrat e mjedisit në njësitë vendore nuk zbatojnë ligjin, por pasi doroviten nga pronarët e furrave, i marrin ata në mbrojtje kur denoncohen nga banorët dhe bëhen më fanatikë se vetë prodhuesit e bukës. Sandri dhe Bukuria janë përkatësisht banorë të lagjeve ‘D.H. Myzyri’ dhe ‘Brigada 17 S’ në Elbasan. Ata prej disa muajsh ankohen, telefonojnë, dërgojnë letra dhe presin reagimin e ARM dhe Zyrës Mjedisore të Bashkisë por deri sot asnjë hap para për zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e mjedisit dhe jetës nga dy institucionet e shtetit. Ata u shprehën se “në ARM na thonë se lejet mjedisore janë konform ligjit”, ndërkohë që një inspektor na tha nën zë se “furrtarët problematikë japin deri 1 milion lekë për lejet e paligjshme mjedisore, ndaj mos u ankoni se janë të blerë, ne e dime se ata punojnë dhe prodhojnë bukën me lloj-lloj materialesh drusore, higjenikisht të palejueshme”. Por edhe Zyra e Mjedisit në Bashki mban të njëjtin qëndrim, pavaresisht se banorët kanë nisur letra, fotografi ku tregojnë në detaje ndotjen e madhe që lëshojnë oxhaqet e ulëta të furrave të bukës. 
Shkelja e standardeve dhe ligjit, mbetet flagrante, aq më tepër në furra ku gatuhet dhe piqen bukë, produkti kryesor i shumicës së familjeve sot. Por më skandaloze mbetet mbrojtja e hapur dhe e vendosur që i bëhet shkelësve të ligjit. E ndërsa gjatë muajit maj dhe qershor mjedisorët ishin justifikuar para banorëve se “jemi në fushatë, na duhen vota”, tani që fushata mbaroi duket se dorovitja e majme i shtyn ata të mos pyesin për ligjin dhe ankesat e atyre që ankohen me të drejtë. Banorët ankohen se “veç tymit të “Kurum” na duhet të durojmë edhe tymin e zi të furrave të bukës, që jashtë çdo koncepti ligjor, mjedisor dhe higjenik janë ngritur dhe punojnë sikur të ishin në mes të pyllit dhe mes malesh, jo mes pallatesh”. Banorët e lagjeve ‘D.H. Myzyri’, ‘Brigada 17 S’ kërkojnë nga ARM dhe Zyra e Mjedisit Bashkisë, zbatimin e ligjit, zbatimin e rregullores për ndotjen e qendrave të banuara, zbatimin e procedurave dhe matjen e ndotjes, ngritjen e oxhaqeve 2 metra mbi tarracat e pallateve apo largimin e furrave të ndotjes, pasi edhe prodhimi që ato bëjnë dhe tregëtojnë ndoshta ka problemet e veta përsa u përket standardeve dhe higjenës
Sigal