Miltiadh Davidhi: O ju, flakë të bukura!

Miltiadh Davidhi

O ju flakë të bukura,

Ndezur prej erës diellore të syrit të lules!

NOA

O ju, flakëza dashurie që më ngrohni,

Si frymë të zjarrta,

e më digjni ëmbël!

Kam veshur veshjen

Më rezistente të njeriut, kostumin,

që më mbron nga djegia prej dashurisë,

Por, mjerisht, dhe me të,

më janë shkrumbuar,

si lëkura dhe ndjenjat e mia.

Ka mbetur pa u djegur, vetëm shpirti.

në gjithë qenien time.

Ndjej dhimbjen e shijen e djegies,

prej thëngjilli ende të ndezur

në një të kuqe të fortë,

por, megjithëse po digjem,

Ndjehem i lumtur që po shndërrohem

në pluhur hiri ngjyrë gri,

vetëm për Ty, e bukura ime!

Dua të mbjellë këtë pafundësi hapësire,

të asgjësë, e të mosdashjes,

me hirin e dashurisë sime.

U plakëm rrugëve të botës

 

Hap e mbyll dyert e shtëpive të botës!

Hyj e dal nëpër to…

Herë si hije e tejdukshme,

herë si një statujë pa zemër.

E kurdisur pa dëshirën e vet,

në asgjë, që ti do.

Hap e mbyll dyert e botës,

humbasë zërat e jetës nëpër to,

ndërsa dyert e shtëpisë sime, atje

në vëndin tim,

as hapen e as mbyllen më.

Ah, zërat e vjetëruar në kohë!

Trishtimi si gjethe e brishtë

i fshehur thellë në shpirt,

lëviz e flet pa fjalë,

në heshtje e plot mall,

për të prekur dorezat e ftohta,

që nga mëndja s’i ndaj,

dyert e largëta,

të atdheut tim, dhe qaj.