(5 maj 1900, 126 vjetori i lindjes së Gjeneral Spiro Moisiut)
Në historinë moderne të Shqipërisë, që nis pas shpalljes së Pavarësisë 1912, fisi i Moisive ze një vend nderi krejt të veçantë. E them këtë, duke patur parasysh që nga gjiri i këtij fisi kanë dalë tri personalitete të shquara në fusha të ndryshme, siç janë, artisti me famë Botrore, Aleksandër Moisiu në fushën e artit skenik, Gjeneral Spiro Moisiu në artin e strategjisë ushtarake dhe Alfred Moisiu i brezit më të fundit, në fushën ushtarake dhe politike të shtetit shqiptar.
Ky fis i përket qytetit të vogël të Kavajës në Shqipërinë e Mesme, për faktin se janë ndodhur aty sipas të dhënave gojore e historike shumë herët, që nga fundi i shekullit të XVIII-të. Në Shqipërinë e Mesme, qyteti i Durrësit dhe Kavaja, përmenden si streha e rëndësishme e vllehve që në shekujt XVII-të e XVIII-të. Lidhjet e tregtarëve Voskopojarë e Grabovarë me Durrësin, kanë qenë shumë të hershme, për faktin se ky qytet i lashtë port-detar, ishte nyje lidhëse me vendet e zhvilluara të Europës, ku tregtarët Voskopojarë zhvillonin eksport-importin me Venedikun e vendet e tjera për mallrat e tyre të leshit, shajakut e lëkurëve. Voskopoja, ka patur dhe një flotë tregtare në portin e Durrësit, për nevojat e tregtisë dhe lidhjet e ngushta me vendet e Europës. Ndërsa kriporet e Kavajës furnizonin me kripë vendet e trevave Jugë-Lindore të vendit Pas katastrofës që përfshiu ato zona, si Voskopojën, Grabovën e tjera, shumë nga tregtarët Voskopojarë e Grabovarë, u vendosën në Tiranë, Elbasan, në Myzeqe, po ashtu dhe në qytetin e Durrësit, e fqinjin e tij, Kavajën, duke gjallëruar më tej jetën qytetare e tregtare të këtyre qyteteve.
Në Durrës, sipas studiuesit arrumun G. N. Burileanu, i cili ka vizituar Shqipërinë në fillimet e shekullit të XX-të, thekson se:-“Në Durrës jetonin rreth 100 familje vllehësh, kryesisht tregtarë e zejtarë, ndërsa në disa fshatra në rrethinat e Durrësit, si në Shëna Vlash, Sukth, Pjesëz dhe Rrushkull, jetonin rreth 239 familje. Në Durrës shquheshin familjet vllahe si: Spiru, Terka, Jorgoni, Goga. Heba, Moisiu, Shallvari, Golgota, Leka, Hobdari, Mima, Papa, Sallabanda, Truja, Bakalli, Koja, Rama, Janku, Dovana e tjerë. Për rrolin dhe aktivitetin e këtij komuniteti në qytetin e Durrësit, ka shkruar dhe studiuesi, Hajredin Isufi, i cili thekson:- “Vllehët e Durrësit, në dhjetëvjeçarin e parë të shekullit të XX-të, kanë qenë në harmoni dhe bashkëpunim të plotë me komunitetet e tjera të qytetit. Konkretisht, në mbrojtje të alfabetit latin dhe atë shqip, në përhapjen e arsimit kombëtar, si dhe në ngritjen e flamurit kombëtar për pavarësi. Nuk ka ngjarje historike në Durrës dhe në rrethinat e tij, ku të mos jenë përfshirë arrmënët (vllehët)”. Shumë nga familjet vllahe kanë qenë vendosur dhe në qytetin e Kavajës, në një lagje në pjesën veri-perëndimore të qytetit, ku u shquan si tregtarë familjet vllahe: Simaku, Buda, Doja, Druga e tjera. Vllehët e Kavajës, u shquan në jetën tregtare të qytetit, por dhe si zejtarë me profesionet e lesh-punuesve, poçerisë, metal-punues e tjera.

Fakti që në përbërjen historike për komunitetin e tregtarëve vlleh të Durrësit, përmëndet dhe fisi i Moisive, tregon se edhe ky fis i gjerë dhe i shtrirë në Durrës e Kavajë, deri dhe jashtë vendit në Trieste të Italisë ku ka punuar e jetuar i ati i Aleksandër Moisiut, Moisiu, tregon se i përkasin komunitetit vllah të trevave shqiptare, me besim ortodoks dhe pjesë e shoqërisë tregtare të vllehve të Shqipërisë së Mesme. Origjinën vllah të Moisive, e përforcon edhe fakti që, gruaja e Spiro Moisiut, Aspasi Druga (Moisiu) nga Kavaja, ishte nga familje vllahe me origjinë nga Voskopoja.
Moisitë janë vendosur shumë herët në Kavajë, ku sipas të dhënave gojore, por dhe të regjistrit (Kodikut) të kishës së “Shëne Premtes” në afërsi të qytetit të Kavajës, thuhet se janë vendosur aty nga fundi i shekullit të XVIII-të. Sipas Prof. Dr. Kristo Frashërit në librin “Historia e Tiranës” faqe 229, ku flitet për ndërtimin e kishës së Shën Prokopit në Tiranë, midis të tjerave ai shkruan se:-“Midis të krishterëve të Tiranës dhe atyre të Kavajës, fjala është për lidhjet e vllehve të këtyre dy qyteteve, ekzistonte një lidhje e ngushtë miqësore e shpirtërore”. Kjo argumentohet nga një regjistrim në kodikun e kishës së Kavajës, që i përket vitit 1796. Sipas Prof. Kristo Frashërit, aty përmendet se:-“Për kishën e Shën Prokopit të Tiranës, Haxhi Moisiu, (nga Moisitë e Kavajës), dhuroi 1600 aspra për ndërtimin e saj”. Pra, në këtë kohë fisi i Moisive jetonte në Kavajë dhe ishin me gjendje të mirë ekonomike.
Sipas një studimi të pemës gjineologjike nga Profesor Vangjel Moisiu, që i përketë këtij trungu, i pari i fisit të Moisive, ka qenë Themistokli Moisiu me dy djemtë e tij, Kostandini dhe Grigor Moisiu. Kostandini kishte djalë, Moisi Moisiun, babai i Aleksandër Moisiut, kurse Grigori, kishte djalë Theodhor Moisiun, babai i Spiro Moisiut. Pra, nga kjo pemë e këtij trungu, del se Aleksandër Moisiu dhe Spiro Moisiu ishin kushërinj të dytë, prindërit djem xhaxhallarësh. Pra, gjak shumë i afërt midis tyre. Sipas dokumenteve historike, artisti Aleksandër Moisiu ka lindur në Trieste të Italisë në vitin 1879 ku kish emigruar i ati, ndërsa Spiro Moisiu ka lindur në Kavajë në 5 maj të vitit 1900. (AQSH, sipas çertifikatës së lindjes).

Babai i Aleksandër Moisiut, Moisi Moisiu, ishte shqiptar i lindur në Kavajë dhe emigruar në Itali, ndërsa e ëma ishte italiane nga Trieste. Aleksandri erdhi në Durrës dhe në Kavajë në vendlindjen e babait në moshën 6 vjeçare, aty nisi për herë të parë dhe shkollën, ku mësoi shkrim e këndim në gjuhën greke e shqipe. U largua nga Kavaja për në Trieste në moshën 10 vjeçare, duke marë me vete dhe mbresat, mallin e dashurinë për vendin e të parëve të tij. Gazeta “Vatra”, në maj 1934, citon një shprehje mbresëlënëse të Aleksandër Moisiut për qytetin e tij të prejardhjes, Kavajën:-“Rrugët e ngushta të Kavajës, akoma i kam parasysh…Më mori malli, kam qejf të madh të kthehem në Shqipëri”!
Aleksandër Moisiu në moshën 19 vjeçare shkoi në Vjenë, ku spikati me talentin e tij dhe kjo bëri që t’i përkushtohej aktrimit. Ai vlerësohej shumë nga publiku, për shkak të zërit të tij të spikatur skenik, si dhe për interpretimet emocionale. Shumë shpejt u bë artist i njohur dhe vlerësohej si një nga aktorët e mëdhenj në hapësirën gjermanisht-folëse, e më pas në shkallë botrore.
Në Durrës jetonte dhe familja Terka, një nga familjet e dëgjuara tregtare të vllehve. Një pjestar i kësaj familje, Spiridhon Terka, që banonte në Trieste, ka qënë kumbari i artistit të madh shqiptar Aleksandër Moisiu. (Sipas çertifikatës së lindjes të Aleksandër Moisiut). Edhe një e dhënë tjetër:- Kur Vasil Bakalli, një vlleh tregtar i Durrësit, që ishte dhëndërr në familjen Terka, kur shkoi në Vjenë të Austrisë në vitin 1929, mes punëve tregtare, vajti edhe në teatrin e Vjenës, ku i paraqiti recepsionistit të teatrit kartë-vizitën e vet, me qëllim që ai t’ia jepte atë Aleksandër Moisiut. Dhe Aleksandri pasi e takoi, i vuri në dispozicion Vasil Bakallit lozhën e tij personale në sallën e teatrit, nga ku Vasili me dy tregtarë kavajas që e shoqëronin, ndoqi një shfaqje teatrale të Aleksandër Moisiut.
Sipas dokumenteve të kahershme, rezulton që Princ Vidi, Mbret i Shqipërisë, ia kish dhënë Aleksandër Moisiut dokumentin e nënshtetësisë shqiptare që në vitin 1914, sipas kërkesës së tij, shoqëruar nga një deklaratë domethënëse, ku midis të tjerave, ai thotë:-“Gjaku im i përket origjinës shqiptare dhe origjina është ajo që thotë fjalën e fundit. T’i shikosh shqiptarët në jetë, duken si njerëz shumë të qetë, por gjithë ajo qetësi shndërrohet në fuqi luani, e s’ka zot që i mbanë, nëse dikush i prek në sedër dhe në të drejtat e tyre”. (Libri për jetën e Aleksandër Moisiut, Tiranë, botim i vitit 2019).
Dega tjetër e Moisive, i ati i Spiros, Theodhor Moisiu, jetonte në Kavajë dhe ka qenë njeri përparimtar dhe patriot. Ishte me kulturë, zotëronte 3 gjuhë të huaja, italisht, greqisht dhe turqisht. Merrej kryesisht me tregti. Eshtë vrarë pabesisht në vitet e rrebelimit të lëvizjeve fshatare të Haxhi Qamilit në 1913 gjatë rrugës për në Durrës, ku zhvillonte aktivitet tregtar, duke lënë jetim tre djem e një vajzë: Milton, djali i madh, Spiron, djali i dytë 14 vjeç dhe Jani, djali më i vogël, si dhe vajzën, Evanthi Moisiu.

Spiro Moisiu u rrit një djalë i devotshëm dhe i shquar në lëndët shkollore. Në 3 shtator 1914, Princ Vidi u emërua nga Fuqitë e Mëdha, Austro-Hungareze dhe Italiane, si Mbret i Shqipërisë me qendër në Durrës. Ai ishte një major me origjinë gjermane. (Prof. Marenglen Kasmi, “Princ Vidi dhe Shqipëria në arkivat gjermane”, Gazeta “Dita,” 7 mars 2019). Ai kreu një vizitë në qytetin e Kavajës dhe midis premtimeve që dha, vendosi që 20 djem nga Kavaja dhe Durrësi, që ishin me rezultate të larta në shkollë, të dërgoheshin me studime të mesme në Austri. Një nga këta nxënës ishte dhe Spiro Moisiu.
Në vitet 1914-18, Spirua kreu studimet në Vels të Austrisë, ku u shqua ndër studentët më të mirë. Dëshira për të vazhduar karrierën ushtarake, bëri që ai ta niste karrierën e tij në Xhendërmari, pasi Shqipëria në ato kushte anarkie, nuk kishte ushtri. Në vitin 1920, Spiro Moisiu u bë pjesë e ushtrisë së ngritur rishtaz për mbrojtjen e Kongresit Historik të Lushnjes dhe vazhdoi më pas në detyra të ndryshme në ushtrinë e monarkisë, deri sa në vitin 1938 mori gradën e lartë të majorit të ushtrisë shqiptare. Sigurisht këto shkallë karriere kaluan nëpërmjet luftrash e betejash për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga pushtimet e huaja të fqinjëve dhe të shteteve të tjera europiane, si dhe në kurse e shkolla kualifikimi, që e bënë atë një personalitet të lartë ushtarak për të drejtuar shtabe e formacione të larta ushtrie.
Lufta e lavdishme Nac.Çl. ku Major Spiro Moisiut iu ngarkua detyra e lartë e Komandantit të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë Nac.Çl, ishte besimi dhe vlerësimi më i lartë që i ngarkoi populli dhe Fronti Nac.Çl., të cilën ai dhe gjithë Shtabi i Përgjithshëm e kryen me shumë sukses deri në çlirimin e plotë të vendit. Në mbarim të luftës Nac.Çl. Spiro Moisiu meritoi gradën e lartë ushtarake të Gjeneral-Majorit dhe më pas të Gjeneral-Leitnatit. Të gjitha këto arritje dhe merita, e bënë Spiro Moisiun personalitet kombëtar, që nderoi familjen, fisin Moisiu dhe gjithë kombin e shtetin shqiptar.
Edhe pas çlirimit të vendit dhe vendosjen e rregjimit komunist, Spiro Moisiu diti ta mbaj lartë figurën dhe personalitetin e tij në shërbim të ushtrisë, popullit dhe atdheut. Ai diti të ruaj distancën edhe me “Bllokun” e udhëheqjes së partisë e të shtetit në përgjithësi, Ai banonte në rrugën “Fortuzi”, në një vilë me qera me 1000 lek të vjetra në muaj, pronë e avokatit Vasil Bidoshi. Shpesh miq e shokë e pyesnin:
-Pse nuk kërkon të banosh në “Bllokun e udhëheqjes”? Ai me modesti përgjigjej:
-Jam mësuar kështu mes njerëzve dhe nuk dëshiroj t’a ndërroj lagjen. Një ditë, në një takim të rastësishëm, Enver Hoxha i thotë:
-“Spiro, je vendosur shumë larg dhe jo gjithmonë mund të vijmë për një kafe ku mund të shikojmë. Pse nuk vendosesh dhe ti këtu afër me ne në një godinë brenda “Bllokut”? Spirua u përgjigj:
-Faleminderit shoku Enver për kujdesin, por unë u mësova në atë lagje dhe mbi të gjitha dua të them, se më vijnë shumë njerëz të afërt miq e shokë nga Tirana dhe nga rrethet dhe nuk do ta kenë aq të lehtë për të hyrë, pasi “Blloku” ka dhe rregulla.
Ky ishte i thjeshti, i respektuari dhe i thelli në mendime, Spiro Moisiu, që kudo ku punoi e luftoi, la gjurmë të forta atdhetare dhe njerëzore. Spiro Moisiu kudo ku punoi e luftoi, mori me vete dhe diçka nga Kavaja, që ia bashkangjitën dhe në mbiemër, duke i thënë shpesh, Spiro Kavaja”.

Dhe pas këtyre dy kollosëve të Moisive të Kavajës, u shqua në skenën ushtarake dhe politike, pinjolli i brezit të tretë të Moisive, personaliteti i ditëve tona të dekadave të fundit të sistemit komunist dhe fillimeve të shtetit demokratik, Alfred Moisiu. Ai nuk u rritë thjeshtë nën hijen e fisit të dëgjuar të Moisive, as dhe të dy personaliteteve të shquara të këtij fisi, as dhe vetëm nën hijen e Babait të tij, por ai hap pas hapi ndoqi vetëm gjurmët e të parëve dhe krijoi në mënyrën e tij, personalitetin e shquar të një pushtetari të ditëve tona në demokraci.
Alfredi vërtetë e nisi jetën në gjurmët e të atit në artin ushtarak, por kontributi i tij u përqëndrua në fushën e ndërtimit të veprave mbrojtëse të vendit. Në karrierën e tij ushtarake, edhe Alfredi kaloi furtuna pabesie e me reziqe të mëdha, dy ndër, të cilat ishin me pasoja të rënda, Ishte koha kur egërsia e luftës “brenda lloit”, depërtoi dhe në radhët e ushtrisë. Vitet 1973-74 nxorën në sipërfaqe një “luftë shtrigash” ndaj gjeneralëve të ushtrisë, ku u etiketua “armik i partisë dhe i popullit” Ministri i Mbrojtjes Baqir Balluku. Drejtimin e ushtrisë përkohësishtë, e mori Shefi i Shtabit, Gjeneral Petrit Dume. Një ditë, Petrit Dume e thërret Alfredin në zyrë dhe i shprehu mendimin për një post të lartë në detyrat e mbrojtjes në Ministri. Alfredi tregon:
-Nuk ngurova dhe ia thashë tim Eti. Ai pasi më dëgjoi me kujdes, u mendua pak dhe pastaj më tha:
-“Kujdes, kërkon të të bëj mik”! Spiroja duke njohur mirë mënyrën se si hidheshin hapat nga udhëheqja politike e asaj kohe, parashikonte se mund të ndodhnin edhe shumë ngjarje të tjera tronditëse. Dhe në fakt ashtu ndodhi! Pas Beqir Ballukut, iku dhe Petrit Dume, Hito Çako e dhjetra gjeneralë të tjerë të kastës ushtarake, të cilësuar si armiq të popullit! Në këto momente ngjarjesh të “Tezave të Zeza” në ushtri, që goditën gjithë kupolën e lartë ushtarake, drejtimi i Ministrisë së Mbrojtjes iu ngarkua Kryeministrit Mehmet Shehu, për të ndjekur detyrën si Kryeministër dhe si Ministër i Mbrojtjes. Në stafin e ri drejtues të Ministrisë së Mbrojtjes, u përfshi dhe Alfred Moisiu si Zv/Ministër. Edhe në këtë rast nuk kaloi shumë kohë dhe në dhjetor të vitit 1981, Kryeministri dhe Ministri i Mbrojtjes Mehmet Shehu, vrau veten, duke u cilësuar dhe ai “Armik i popullit”! Pas kësaj ngjarje, u shkarkua serish dhe e gjithë kupola drejtuese e mbrojtjes. Edhe Zv/Ministri Alfred Moisiu u shkarkua me motivacionin për, “Mungesë vigjilence”, duke u transferuar në Korpusin ushtarak të Burrelit, ku pas disa analizave në parti e në komandat ushtarake, u përjashtua dhe nga partia me të njejtin motivacion.
Kjo ngjarje e rëndë për kohën, e fshiu si me gomë fletën e bardhë të karrierës së tij ushtarake me shumë kontribute përmbi 32 vjet punë e sakrifica në veprat e ndryshme ushtarake që u ndërtuan gjatë gjithë asaj kohe si, aeroporti ushtarak i Kuçovës, aeroporti i Helikopterëve në Farkë të Tiranës, aerodromi i aviacionit luftarak të Gjadrit në afërsi të Lezhës, projekti i vendosjes së Raketave tokë-ajër në zonën e Ndroqit në afësi të Pezës, rrugë, reparte ushtarake e tjera, ku u shqua dhe mendja e dora e tij si inxhinjer ushtarak.
Pas viteve 90-të, me ndryshimet politike, Alfred Moisiu, tashmë i larguar nga ushtria për arsye pensioni, u përzgjodh nga forcat politike për t’u përfshirë në qeverinë teknike të drejtuar nga Kryeministri Vilson Ahmeti, me detyrën e Ministrit të Mbrojtjes. Kurse në vitin 2002, Alfred Moisiu, u propozua nga forcat politike të vendit për detyrën e lartë të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, të cilën e fitoi me një konsesus të gjerë nga parlamenti shqiptar. Qysh ditën e parë të zgjedhjes si President, pas betimit në parlament, ai shkoi tek varri i të atit, Spiro Moisiu, ku në heshtje u betua:-“Do të punoj sa më mirë dhe në mënyrë sa më të ndershme për vendin tim, Shqipërinë, ashtu siç punove e luftove edhe ti Babë gjatë gjithë jetës tënde!” Alfredi këtë premtim u përpoq t’a mbante. Populli e ka vlerësuar punën e kontributin e tij, si një figurë model, se si duhet të jetë një shtetar i lartë dhe një shëmbull që duhet ndjekur edhe nga pasardhësit e tjerë.
Këto vlera të veçanta të punës dhe të figurës së tij, e bëjnë atë pjesë e tri personaliteteve që ka nxjerë trungu i familjes së dëgjuar atdhetare të Moisive të Kavajës, Aleksandri, Spirua dhe Alfred Moisiu.


















