Ilmi S.Qazimi: Josif  Dhimitër  Ziu, mësuesi- prift që  punoi në fshatrat e Skraparit,Myzeqesë, Beratit, Fierit, por edhe si nëpunës i qeverisë së Fan Nolit

Nxënës i Normales së Elbasanit, mësues  në monarki,  antifashist në luftë dhe prift e mësues në  socializëm

-Josif  Dhimitër  Ziu, mësuesi- prift që  punoi në fshatrat e Skraparit,Myzeqesë, Beratit, Fierit, por edhe si nëpunës i qeverisë së Fan Nolit-

Sigal

Kush ishte  atdhetari  Josif Ziu

Josif Ziu, biri i Dhimitrit dhe i Llambrinisë lindi më 1897 në Poshnjë të Beratit.Që në vogëli kishte dëshirën e madhe për të mësuar, ndaj familja e dërgoi  në shkollën qytetëse rrreth 14 km larg vendlindjes.Aty Josifi mori mësime edhe  nga patrioti  i madh  Babë Dudë Karbunara, duke u vlerësuar si një ndër nxënësit më të përgatitur.Vazhdoi më tej duke ndjekur  mësimet në shkollën e mesme të Normales në Elbasan.Edhe këtu u paraqit  një ndër nxënësit me  dëshirë  dhe kërkesa të larta për të rritur  dituritë e tij. Fati e ndihmoi  që të merrte mësim nga mësuesi dhe drejtuesi i kësaj kohe Profesor Aleksandër Dhimitër Xhuvani. Me mbarimin e Normales së Elbasanit në 1917 u emërua  mësues në Myzeqe, në shkollën e fshatit Kallm. Me mbarimin e Luftës së Parë Botërore, transferohet në Drenovicë të Beratit. Në punën e tij si mësues,bindjet politike  e demokratike vinin gjithmonë duke u forcuar, por takimi dhe bashkëpunimi me atdhetarin Naun Çobo,mësues nga fshati Strum i Roskovecit, bëri që të rreshtohet  me forcat demokratike të kohës dhe bashkë  me të mori pjesë në kryengritjen për të përmbysur regjimin e mbretit Zog. Ata u takuan me vullnetarët e tjerë të armatosur që vinin nga Berati e Skrapari të drejtuara nga demokrati Riza Cerova.Me vendosjen e qeverisë demokratike të Fan Nolit në qershor 1924, Josifi u vu në shërbim të qeverisë në Tiranë deri në dhjetor  1924; me të rënë qeveria e Fan Nolit, Josifine larguan si kundërshtar i regjimit dhe u caktua të punojë si mësues  në shkollën e fshatit Vërzhezhë të Skraparit, në kohën kur aty ka qenë nxënës edhe  kryeministri  më jetëgjatë shqiptar Mehmet Shehu. Përsëri Josifin e transferojnë nga kjo shkollë dhe e caktojnë të punojë mësues në shkollën e fshatit  Çepan, po  të rrethit të Skraparit ku qëndroi deri në vitin 1931. Në vitin 1943 Josifin e zgjodhën anëtar të këshillit antifashist të fshatit Poshnje.Ai ndihmoi  në organizimin dhe formimin e batalionit partizan të Mesit të Urave së bashku me patriotë të tjerë.Në vitin 1946  iu propozua Mitropolisë së Beratit për ta shuguruar prift. Këtë detyrë ai e kreu deri në  1967,vit kur institucionet fetare pushuan së vepruari në Shqipëri.Deri në vitet e fundit të jetës së tij u aktivizua me detyra nga seksioni i arsimit.Josif  Ziu u nda nga jeta më 9 maj 1982, duke lënë pas kujtime të paharruara si mësues, intelektual, klerik dhe atdhetar i spikatur.

Ja  çfarë rrëfejnë bashkëkohësit dhe ata që e kanë njohur

Mëdatë 28 shtator 2017 u përurua në Poshnjë lapidari kushtuar dëshmorit çepanlli 21 vjeçar Hysen Zyka,që u ideua, financua dhe u rindërtua nën drejtimin e  atdhetarit Petraq Toli.Ishte aty edhe veteraniGaqi Josif  Ziu. Ai rrëfente:” Atë natë të9 gushtit 1944 që, të nesërmen  e ktheu në ditë lufte, në shtëpinë tonë fjetën dy djem partizanë. I kish marrë babai.Njëri ishte nga Çepani i Skraparit, atjeku babai kishte dhënë mësim dikur nga vitet njëmijë qe nëntëqind e tridhjetë dhe që e mbante mend Dilaverin, të atin e partizanit me emrin Hysen Zyka.Dy partizanëve u dha nënia qumësht. Skraparliu e kërkoi me kripë se sheqeri mezi gjendej. Ata fjetën pak dhe u ngritën. Nga dreka e datës 10 gusht  mësuam se djali nga Çepani që mbante automatik ishte vrarë në luftimet më gjermanët.” Gaqi Ziu tregonte edhe se si “u bë prift” babai i tij:”Fjalën e merr xha Kola i mençur, të cilit i dëgjoheshin këshillat në atë kuvend. Ashtu siç e kish zakon, ai loste me bastunin, por kur e ngulte atë në tokë, s’kishte kthim prapa. Këtë plak e njihte tërë zona dhe të gjithë e dëgjonin me vëmendje  fjalën e tij. “Kisha kërkon prift, pse shkojmë më tej?’ – tha ai.”Ja ku e kemi priftin, më të mirin, më të zotin ,më të aftin e më të shkolluarin, Josifin, të birin e Dhimitër Ziut”! Propozimi i tij  u pranua njëzëri dhe iu dërgua Mitropolisë së Beratit për ta shuguruar prift. Kështu u bë dhe u vendos  Josifi nga 1946 deri 1967,vit kur institucionet fetare pushuan së vepruari në Shqipëri.” “Në seminaret që organizonte Mitropolia, Perikliu tregon, se i mbanin sytë te papa Josifi, se vetëm ai na shpëtonte nga diskutimet.Kërkonim dhe luteshim që papa Josifi të mos mungonte nëpër seminare, se ne të tjerët , ç’të diskutonim, ne nuk ishim të aftë për të diskutuar! Josifi jo vetëm që i trajtonte me mjeshtëri  problemet, por na jepte mend edhe ne të tjerëve”.Në kujtesën time papa Josifi mbetet njeri i respektuar edhe tek fëmijët e asaj kohe.Ai i afronte dhe komunikonte shumë mirë me të vegjëlit dhe i respektonte e i dëgjonte edhe ata. Kam parasysh kurorën që vinte Thimi Dhana në tetor 1949 me papa Josifin. Duke më parë aty më thërret pranë vetes e më mban si ‘manar’ e unë ndiqja shërbesën e tij si ‘ndihmës’. Hipa mbi tavolinë pas çiftit që martohej dhe shërbeva duke  kryqëzuar kurorat e tyre. Për këtë, u shpërbleva nga papa Josifi, me njërën nga mollët e kurorave.Gjithashtu ndoqa ritin e takimit të njerëzve me çiftin e sapomartuar dhe goditjen tradicionale me kallam në kokat e njerëzve. Kush bënte gabim ndëshkohej me goditje më të forta në kokë.Vlerat e punës së tij si  prift duken edhe në pastërtinë dhe kulturën e regjistrit të lindjeve e pagëzimeve, të mbajtur prej tij.Ai regjistër ka vazhduar deri në vitin 1967 duke saktësuar emrin, datën e lindjes e të pagëzimit dhe kumbarët e secilit. Regjistri është mbajtur si dokument te shtëpia e të birit të tij  Gaqi. Për traditën e regjistrimit ai kishte shfrytëzuar përvojën e priftit të Vokopolës , Jakov Ikonom Plaku.” Z. Qemal H. Bego,partizan,Hero i Punës Socialiste,tashmë 99 vjeç, para 18 viteve  kujtonte: “Josif Ziu më ka dhënë mësim në Çepan.Dhe e solli fati, le të themi, që e takova përsëri në vitin 1974 në Kutalli, Drenovicë ku mua më caktuan  në detyrën e kryetarit të kooperativës bujqësore. Ishte po ai mësues: Njeri i kulturuar,  me peshë fjale, me figurë të pastër e që gëzonte respekt nga gjithë banorët.”Z.Petraq Toli, tregon:”Në një ndër shkrimet e botuara në gazetën lokale”Çepani” të muajit mars 2012 nga kryeredaktori i saj,me rastin e 7 marsit,midis të tjerash zenë vend edhe  portreti i këtij mësuesi, i ardhur nga rrethinat e Beratit dhe që punoi pa u kursyer për afër pesë vjet  për t’iu dhënë  dituri  e kulturë fëmijëve të zonës së Çepanit. Aty thuhet se “Dokumentarisht vërtetohet se Josif Ziu ka dhënë mësim në fshatin tim të lindjes, por më të fuqishme janë thëniet e të paktëve nxënës që janë ende gjallë e që kujtojnë  zërin e butë të mësuesit të thjeshtë, kur ndonëse në kushte  shumë të vështira për dhënie mësimi , ai u fliste për  gjuhën, mëmëdheun, për të parët që luftuan për mbrojtjen e trojeve dhe lirisë.  Gjithashtu, mësuesi i nderuar Josif Ziu , që është i njohur andej nga Skrapari  edhe me mbiemrin Stefa,sipas një shënimi  në arkivin e shtetit shqiptar, në vitin 1930 zhvillonte një bisedë me materiale që i kish të shkruajtura,  me fshatarët  e Çepanit për  zhvillimet demokratike të kohës. Është interesante të  përmendet se në atë kohë në shkollën e Çepanit vinin  për të mësuar shkrim e këndim, jo vetëm djem, por edhe vajza; jo vetëm të vegjël, por edhe të rritur. Dihej që mësuesi është respektuar shumë në çdo kënd të Shqipërisë, por më duhet ta nënvizoj se në Çepan mësuesin e merrnin  për  të ngrënë vaktet e për të fjetur  të gjithë familjet e fshatit me rradhë.Mësuesit  si Josifi e Vasili nga Berati, Koçua e  Genci nga Kuçova, Jorgji nga Elbasani, Gjoni nga Shkodra,etj, etj ishin  bërë  thuajse pjesëtarë  të çdo shtëpie. Ishte puna aq e virtytshme  e  tyre që  shkollën e vazhduan një numër i madh  banorësh të zonës së Çepanit të etur për ‘të hapur sytë’. Për mësuesin e nderuar kanë folur edhe ish-nxënës të tij , më pas kuadro të lartë si Skënder Malindi i cili thoshte: ”Mësuesi i shkollës në Çepan  ishte Josif Stefa.Mësues shumë kërkues, serioz dhe nuk bënte asnjëherë lëshime për këdo qoftë.” Z.Luçi Th. Stefa,kuadër i lartë pedagog ushtarak në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve ”Enver Hoxha”tregonte për Josif Ziun:”Pa mbushur dy vjet në Kolonjë, në 1932 e transferojnë në shkollën e Marinzës së Fierit dhe asnjëherë pranë shtëpisë në Poshnje. Lidhjet me njerëzit përparimtarë  ai nuk i rreshti asnjëherë. Në Kolonjë bashkëpunoi me atdhetarin revolucionar Llazar Bozo.Kryengritja e Fierit, në gusht të vitit 1935 e gjeti së bashku me shokët në ballë , por me dështimin e saj, Josifi u kap dhe u burgos. Falë kërkesës popullore dhe të disa  shokëve të tij, e nxjerrin  nga burgu, por e pushojnë nga puna si mësues me motivacionin: ”Element  trubullues për regjimin e kohës”. Karriera e Josifit-mësues u mbyll përgjithmonë, por përkushtimi dhe gjurmët e tij për t’iu mësuar brezave gjuhën shqipe,në Skrapar e Myzeqe, mbeten vlera historike. Papa Josifi, si njeri i vlerave shumëplanëshe që  gëzonte respekt të thellë nga të gjithë ata që  e njihnin, pavarësisht besimit të tyre nuk  epet. Madje edhe kundërshtarët politikë të kohës e  vlerësonin, sepse ishte njeri i drejtë,i ndershëm,i ditur. Kishte një urrejtje të madhe  kundër fashizmit si ideologji dhe si pushtues; ishte për këtë arsye që  pushtimin  fashist të Shqipërisë më 7 prill 1939 e kundërshtoi i pari në zonën e Mesit të Urave. Shtëpia e tij ishte baza e parë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe si mbështetës i asaj lufte  në vitin 1943, Josifin e zgjodhën anëtar të këshillit antifashist të fshatit Poshnje.Ai ndihmoi  në organizimin dhe formimin e batalionit partizan të Mesit të Urave së bashku me patriotë të tjerë”. Mësuesi i pa lodhur dhe prifti atdhetar  Josif Ziu(Stefa)  përveç vlerave  intelektuale ka qenë edhe prind i shkëlqyer.Ai ka edukuar fëmijë me  cilësi e virtyte të larta morale; djemtë e tij Vasili (dëshmor i atdheut), Llazari, Gaqi e Jovani dhe vajzat Vita , Parashqevia dhe Drita, të cilët janë pensionistë kanë qenë ndër të parët kuadro drejtues.Gaqi në kooperativë dhe Jovani oficer.Po ashtu edhe nipërit e mbesat e tij ecin në gjurmët e mësuesit të paharruar. Josif  Ziu u nda nga jeta në moshën 85 vjeçare, duke lënë pas kujtime të paharruara si mësues, intelektual, klerik dhe atdhetar i spikatur.