Avni Skënderaj : Gjeneral Gjin Marku organizues e krijues i Komandës së Mbrojtjes Kundërajrore

71
Sigal

Mbrojtjen Kundërajrore të Shqipërisë në vite e drejtuan gjeneral e komandant të shquar, por organizues e krijues i Komandës së Mbrojtjes Kundërajrore, i pari i caktuar në këtë detyrë ushtarake të lartë ishte gjeneral Gjin Marku. Si vend anëtar i Traktatit të Varshavës, vemëndja ndaj ushtrisë e mbrojtjes kundërajrore të shtetit në vitet 50-të po rritej.

Në Shqipëri erdhën prej Bashkimit Sovjetik, topa kundërajror, radar, aparatura ndërlidhje, u përgatitën oficerë për këto armatime në shkollat ushtarake sovjetike dhe në ato të vendit. Në fillim të vitit 1955, ishin krijuar regjimenti kunderajror me nente bateri në Tiranë, grupet kunderajror në Kuçovë, Durrës, Vlorë, ishte organizuar shërbimi i zbulimit ajror VAIN, në Laprakë u krijua skuadrilja e avionve JAK, përfunduan përgatitjet për krijimin e regjimentit të aviacionit tonë luftarak në Kuçovë.

Në këto rrethana, udhëheqëja strategjike e ushtrisë vendosi krijimin e Komandës së Mbrojtjes Kundërajrore të shtetit. Për organizimin e saj u emërua në detyrën e komandantit të MKA gjeneral Gjin Marku dhe zevëndësa të tij për artilerinë kundërajrore major Maqo Zoto dhe për aviacionin major Edip Ohri. Komanda u krijua në 14 maj 1955. Po kush ishte Gjin Marku?

U lind në 2 qershor 1918 në Baz të Mirëditës. Kur ishte 9 vjeç i vdiq i jati dhe u dërgua në Strehën Vorfnore në Tiranë ku mori arsimin 5 vjeçar. Në 1932-1936 mbaroi studimet në shkollën e mesme teknike Harry Fulc, më pas atë bujqësore në Kavajë dhe u emërua agronom në Korçë.

Shumë aktiv në fillimet e lëvizjes antifashiste dhe në formimin e njësive partizane, nga Peza në Mallakastër, Lushnjë, Berat e Skrapar, komandant i brigatës së 7-të sulmuese, ai ka kontribute madhore në luftën për çlirim. Pas luftës, studjoi me rezultate të shkëlqyera në Akademinë Ushtarake “Voroshillov” në Moskë, ku përgatiteshin kuadro ushtarak të nivelit të lartë strategjik. Atashe ushtarak në Moskë, komandant i divizionit të 6-të, komandant korpusi, komandant i shkollës së bashkuar të oficerëve, drejtor në Ministrinë e Mbrojtjes, Gjin Marku shquhej për energji, entuziazëm, vizion e praktiçizëm në përmbushjen e këtyre detyrave të larta ushtarake. Fliste në pesë gjuhë të huaja.

Por ai pati një fund tragjik. Në vitin 1961, u shkarkua nga funksionet ushtarake që mbante, u emërua drejtor i fermës në Llakatund të Vlorës, u internua në Zvrnec, më pas u burgos 20 vjetë dhe vdiq në spitalin e burgut nga një sëmundje e pashërushme, në vitin 1986.

Gjin Marku është hero i luftës, qytetar nderi i Mirëditës dhe i pari komandant i Mbrojtjes Kundërajrore të Shqipërisë.

Bashkohës të tij e kujtojnë si një gjeneral e komandant me vizion e shpirt praktik në drejtimin e Mbrojtjes Kunderajrore

Hito Çako, Gjenerali që drejtoi Mbrojtjen Kundërajrore kur Shqipëria ishte vend anëtar i Traktatit të Varshavës

Gjenerali që drejtoi Mbrojtjen Kundërajrore kur Shqipëria ishte vend anëtar i Traktatit të Varshavës. Në vite, Mbrojtjen Kundërajrore e drejtuan komandant e gjeneral të shquar, por disa prej tyre patën një fund tragjik. Pluhuri i harresës dhe mosmirënjohja janë të rënda si pllaka e betonit, mirënjohja dhe respekti njerëzor, mendoj se janë kapak i florinjtë. Në vitet 1956-1959, Mbrojtjen Kundërajrore e drejtoi gjeneral Hito Çako.

Ai lindi në 2 mars 1923 në Progonat të Tepelenës. Në vitet e rinisë punoi si shegert në Delvinë dhe kamarier në shtëpinë e oficerëve të Mbretërisë në Tiranë. Mbeti pa punë, iku në Vlorë dhe  punoi në postën e qytetit deri në fund të vitit 1940. Aty e gjeti pushtimi fashist.

U përfshi në lëvizjen çlirimtare dhe në mars 1944 u caktua komandant i Br5S, në maj 1944 komandant i D1S, në gusht 1945 komandant i D5S ku qëndroi në detyrë katër vjetë. Në shtator 1950 filloi studimet në Akademinë Ushtarake “Frunxe” në Moskë dhe i përfundoi me medalje të artë. Në dhjetor 1954 gradohet gjeneral major dhe nè gusht 1956 caktohet në detyrën e komandantit të MKA. Në këtë detyrë  shpalosi gjithë  bagazhin e dijeve të gjera ushtarake dhe e vendosi aktivitetin e MKA në nivelin e kërkesave të kohës. Vendkomanda Qendrore ishte në vemëndjen e tij.

Artileria kundërajrore, radarët, aviacioni harmonizuan veprimet në zbulim ajror dhe kapjen e avionve shkelës të hapsirës tonë ajrore. Kanë qene pesë vite pune intensive për konsolidimin e MKA. Ai kreu edhe disa detyra të tjera të larta. Prej 1966 deri 1974 ishte drejtor i Drejtorisë Politike të Ushtrisë, në 20 korrik 1974 zv. Ministër i Mbrojtjes.

Në 12 dhjetor të atij viti arrestohet si pjesë e “grupit puçist”, u akuzua për tradhëti dhe në fund të vitit 1975 u pushkatua. (Arkivi Qëndror i Ushtrisë dosja 897, faqe 180-187).

Bashkohës të tij e kujtojnë si një gjeneral e komandant me vizion e shpirt praktik në drejtimin e Mbrojtjes Kunderajrore në vitet kur Shqipëria ishte vend anëtar i Traktatit të Varshavës.