Kozma Gjini: Kongresi i Lushnjes dhe Llazar Bozo

820
Sigal

KONGRESI I LUSHNJËS DHE LLAZAR BOZO

Nga Kozma GJINI

…Vite më parë, duke lexuar për Kongresin Kombëtar të Lushnjës, më tërhoqi vëmendjen një referim adresuar Besim Nurit, ish-kryetar i bashkisë së qytetit në ato vite.Pyetjes, se çfarë masash keni marrë për mbrojtjen e jetëve të delegatëve të Kongresit, ai i ishte përgjigjur: “Për këtë pyesni Llazar Bozon. Ai është përgjegjës i forcave për mbrojtjen e kongresit”. E ndërkohë leximi më çon në një moment sa kureshtar dhe serioz.  “… sikur të mos kishte ndodhur i palodhuri dhe i famshmi atdhetar, Llazar Bozo, në Lushnjë do të ishte bërë gjaku deri në brez…”  “Zëri i Shqipnisë” 25 mars 1915. Kuptohet, “nga masakra e esadistëve, të cilët kudo që shkelën, bënë vrasje masive dhe dogjën shtëpitë e bujqëve.” Po kush ishte Llazar Bozoja që paska patur kaq influencë sa të shpëtonte nga gjakderdhja kaq jetë njerëzish? Që nga ishte dhe ku qëndronte magjia e fuqisë së këtij burri? Në kujtim të 101- vjetorit të Kongresit Kombëtar të Lushnjës, pa qënë nevoja të hyj në detaje, sepse kam shkruar më parë, mendova që të përqendrohem në figurën e këtij patrioti.  “Jepi Cezarit atë që i takon Cezarit!”. Llazari lindi në janar 1882.…Kushdo që ka kaluar në autostradën Lushnjë-Fier, në kilometrin e 19,te rrethrrotullimi përtej kthesës së Bubullimës, djathtas,vështrimi me sy të lirë të kap Manastirin e Ardenicës, në lindje të të cilit, faqe kodrës, numërohen 450 shtëpitë e një fshati të vendosura pranë njëra-tjetrës.Diku, me shenja tjegullash prej diegies së dyhershme nga zaptuesit dhe bashkëpunëtorët e tyre… Ndër vite është populluar nga banorë që jetojnë në harmoni të plotë:të krishterë e myslimanë, çamë, vllehë, skraparlinj,dibranë,kosovarë,beratas, tepelenas dhe autoktonë. Pikërisht këtu, “nusëron” krenare e lavdishmja dhe heroikja, Kolonjë e Lushnjës. Mes këtij gërshetimi të jetëve ndër vite, ngrihet edhe një lapidar mbi të cilin shkruhet “  -“Këtu, në Kolonjë të Lushnjës, më 26 dhjetor 1942, u krijua Çeta partizane e Myzeqesë”, nga ku mund të “brendalexohet” edhe emri i tij apo emrat e trimave të asaj kohe, që i hapën derën flatrave të lirisë, përmes jetëve të  djemëve të tyre. Në Kolonjën martire, do të niste çapitjen drejt “mitit të pakapshëm”, myzeqari trim, Llazar Bozo, djali i bërë tashmë simboli i luftës për liri, dalë nga porta e dëgjuar e bozollarëve. Flamurtar të ngadhnjimit për liri,  historia vendosi Llazar Bozon, apo Llazari bëri histori? Është një rast unikal në trevën e Myzeqesë e më tej, që të gjesh krejt familjen të inkuadruar në luftën për çlirim, si ajo e Llazar Bozos. E  shoqja, Kaliopi, djemtë: Alekoja, Irakliu, Koli, Petri, Sokrati dhe vajza, Parashqevia, dolën maleve me armën në sup për lirinë e atdheut.Mihal Bozo, i ati i Llazarit, bartte në qënien e vet kulturë e zakone prej vithkuqarëve, të cilët i kishin mëkuar dashurinë për këndim. Nga Manastiri, në ManastirMe urdhër të Ministrit të Arsimit, Rexhep Mitrovica, hapet këtu një konvikt: “Kemi vendue të hapim një internat të vogël në Manastirin e Ardenicës. Kemi shpresë se më vonë do ta rritim…”. Kurse në dokumentin e kishës: “Kujdestari i Manastirit z. Llazar Bozo nga fshati Kolonjë, tue tregue bujarinë, zotohet që të japi për 50 nxanës bukën, e cila do të jetë e misërt, deri sa të vazhdojë kjo shkollë me konditë, që nxanësit të jenë të vobekët dhe prej Myzeqesë së Madhe e të Vogël pa ndryshim feje.” Si kujdestar i greqishtes në Manastir, mëkuar në një shtrat patriotik, ai pati mundësi të influencohej mëmëdhetarisht. “Rrallë gjenden  burra, që një burri t’i thërrasin “Kapedan”.

Epitetin atij ia vunë moshatarët e tij”, do të na tregonte ish-luftëtari i lirisë, nga fshati Pirrë, 95 vjeçari, Koli Kote. Më 1906, fundvit ka qënë, për shkak të një fyerjeje…, ai ia bëri kurrizin më të butë se barku një osmanlliu në qytet dhe që të ruante kokën nga ndjekjet e suitës halldupe, humbi gjurmë e doli kaçak.Por veprimi i tij ishte i njëjtë me zemërimin e popullit, prandaj “kaçakun e tij”…  populli e mbajti me bukë. Sa në pyllin e Bubullimës,e në të Kolonjës, ai, me disa djemë përkrahës, formuan një çetë të rezistencës kundër pushtuesve turq. Vitet 1911-12 ishin guri i provës për shpërthimin e kryengritjes dhe në këtë kohë, Llazari do të lidhej me: Ikonom Dhimën, Taullah Sinanin, Jovan Ndrekon etj, për të qënë së bashku bërthama e rezistencës. “Liria e Shqypnisë”, 7 korrik 1911 shkruante:”… Llazar Bozo, Ikonom Dhima, Taullah Sinani, Besim Nuri, Jovan Ndreko, etj, hartuan e realizuan planin e kryengritjes së armatosur kundër garnizonit turk me qendër në Lushnjë”. Në moshën 27 vjeçare ai martohet me Kaliopin, vajzë nga dera e dëgjuar e  Goxhomanëve të Beratit.Organizimi më i fortë që ngjalli shpresë te shtresa e varfër e myzeqarëve, ishte mësymja ndaj garnizonit turk, ku çunat rrëmbyen armë dhe ushqime.

Besimi dhe autoriteti i Llazarit, (ai organizoi sulmin ballor)…u rrit ndjeshëm.Nuk ishte rastësi që Llazar Bozo në krye të një çete myzeqarësh gjendet si pjesëmarrës aktiv në udhëtimin e Ismail Qemalit nga Çerma, në Djvjakë, Babunjë, Libofshë e deri në Vlorë…në rrugëtimin historik për shpalljen e pavarësisë. Spiro Moisiu na e ka lënë të shkruar, se “në këtë rrugëtim deri në Vlorë të Ismail Qemalit, ishte edhe Llazar Bozo, i cili bashkë me çetën e tij të myzeqarëve, u  gjend në Vlorë si delegat i Myzeqesë”. (S.Moisiu, “Zëri i popullit 21 janar 1980). Më 24 janar 1913, çetat e Lushnjës, nën komandën e Llazar Bozos dhe Tulla  Sinanit, do të ndesheshin me forcat esadiste që kishin hyrë në Myzeqe. Ato po e ndiqnin këmbakëmbës Llazarin. I shtrënguar nga kjo situatë dhe i dënuar me burg, në mungesë, Llazari mori rrugën e mërgimit për pak kohë, por kapet e dënohet me burg.Ndërkohë edhe Taullah Sinanin e kishin arrestuar. Më 28 nëntor 1918, myzeqarët takijebardhë vërshuan në sheshin e vogël të qytetit e i futën panikun armikut.Do të ishte Llazar Bozoja, djali që u bëri presion italianëve që të ulnin flamurin e tyre nga garnizoni ditën e pazarit. Burrat e mençur të Atdheut… vërejtën se ishin pjekur kushtet e duhet t’i tregonin Evropës, se ky vend ka zot, e se urgjent duhej të thirrej një kuvend kombëtar për ta shpëtuar Shqipërinë nga copëtimi.Mikpritësit ishin myzeqarët. U ngrit një komision, në krye të të cilit ishin: Besim Nuri, Llazar Bozo, Taullah Simani, Eshref Frashëri,Zija Mullaj etj.Shqetësimi i gjithë mikpritësve, që përgatitnin bujtjen e delegatëve nga tërë vendi, ishte organizimi pa incidente, mbrojtja, siguria, ushqimi, strehimi e pa dyshim, mbarëvajtja e punimeve. Kongresi do të sfidonte vendimet e Konferencës së Londrës, i cili kishte ligjëruar copëtimin e Shqipërisë.Tashmë Llazar Bozoja ishte autoritet i njohur për trimëri dhe organizim.Ai mbante lidhje me qytetarët e thjeshtë, në gjithë rrethin. Për çdo gjë ai i hidhte hapat të matura me metrin e intuitës gjakftohtë dhe vështrimin si shqiponjë. Çdo gjë që ndodhte përreth, ishte i prirur ta shikonte me sytë e vet. Edhe rrethet kishin sjellë forca për mbrojtjen. “Disa delegatë kishin marrë rojë me vete, por kishim thirrur edhe ne”.  Mes tyre:Jonuz Dërvishin, Selim Rredhin nga Karavastaja, Musa Zagarija nga Koçaj, Riza Cerova nga Skrapari etj.Me koburen dorezësërma në brez, Llazari me Taullanë vëzhgonin gatishmërinë e forcave mbrojtëse përreth kodrës.Përpara këtij organizimi dështuan përpjekjet e italianëve për sabotimin e punimeve. Shtyllë autoritare e besueshmërie për qetësi ishin: Llazar Bozo, Riza Cerova, Ismail Kuçi etj. Milicia e vendit,  që i merrte urdhërat nga qeveria e Durrësit dhe komanda italiane në Vlorë, nuk e pati të lehtë përballimin e zjarrit të forcave vullnetare të Kongresit që vinin nga  Ardenica. Llazari u bë simbol i vullnetit e patriotizmit të myzeqarëve. Figura e tij ra në sy menjëherë. Gjatë bisedave me titullarët e kombit për çështje organizimi e mbrojtjeje, gjithmonë Llazari  ishte prezent, shpjegues i situatës dhe merrte krah nga patriotët: Aqif Pashë Elbasani, Sotir Peci,etj. Llazar Bozo,në portretin e tij fizik të ngjallte admirim që në përballjen e parë, se natyra i kishte falur një trup të lidhur, i drejtë e krahëfortë, sytë e zjarrtë  dhe mendjen e kthjellët.

Vendimet e Kongresit të Lushnjës tronditën kancelaritë evropiane.Italianët e garnizonit të qytetit e panë të pasigurt veten dhe duke u tërhequr drejt Vlorës, shkatërruan ç’gjetën përpara, ndërkohë që myzeqarët i përcollën me krisma.Në Lushnjë do të formohej “Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare”,në drejtimin e të cilit u zgjodhën:  Llazar Bozo,Taulla Sinani, Zoi Ndreko, Naum Prifti etj.Në dokumentin origjinal “Rilindja e Shtetit Shqiptar”, 26/02/1920 shkruhej:  “Delegatët e arritun u mblodhën në sallën e mbledhjes në shtëpinë e zotit Kaso Fuga, ku mbasi u bë një lutje për të ndershmit nga Sheh Ibrahim Karbunara, zoti Ferit Vokopola, në emër të komisionit të Lushnjës mbajti një ligjëratë për mirëseardhjen e delegatëve.” Ishte i pari parlament kombëtar ky më 1920. Një aksion i mirëorganizuar për ndërgjegjësimin e popullit ishte edhe metingu në ditën e pazarit.Lajmëtari kalonte pranë shtëpive rrugë më rrugë dhe u thoshte njerëzve që të mblidheshim në sheshin përpara nënprefekturës, se patriotët do të flisnin shkoqur.Në një sop të ngritur përmbi disa thasë, doli Llazar Bozoja me shokë.Esenca e fjalimeve, (i pari foli Llazar Bozo), ishte vet parulla e shkruar përballë: “Jashtë nga Vlora, armiku!” Ai, në diskutimim e tij të prerë e me tone të vendosura, i tregoi popullit se kërkonte mbështetje,pasi “armikut duhet t’i tregojmë detin,rrugën nga ka ardhur”. Forcat vullnetare rrokën armët dhe djemtë e gatshëm po shtoheshin … për t’u nisur më pas drejt Vlorës.Sheshi u mbush përplot dhe ky tubim i dha një mësim patriotëve se zemërimi myzeqar rrinte në shpirt dhe duhej zgjuar e organizuar. E dinë të gjithë myzeqarët se shtëpia e Llazar Bozos ishte kthyer në selinë ku takoheshin burrat për hartimin e planeve kundër zaptuesit. Në shtëpinë e tij (Bazë e LANC),kanë bujtur ngrohtë në mikpritjen myzeqare ”bukë, kripë e zemër” patriotë e drejtues me emër të luftës ANCL, që më vonë do të drejtonin shtetin, kurse  patrioti Naun Prifti (Doko), hynte në shtëpinë e Llazarit pa trokitur,sepse ishte bërë si njeriu i shtëpisë.Pushtimi fashist do ta gjente Llazar Bozon në përgatitje me shokët për të denoncuar tradhtinë zogiste dhe për ta pritur me armë pushtimin fashist. Deri në këtë kohë, Llazar Bozoja kishte marrë pjesë në ngritjen e Flamurit më 28/11/1912 në Vlorë, ishte nismëtari i thirrjes së Kongresit Kombëtar të Lushnjës, delegat dhe komandant i rojeve të kongresit, pjesëmarrës në revolucionin e Qershorit 1924, në Kryengritjen e Fierit më 1935.Më pas, luftëtarin e provuar për liri do ta shikojmë në vendin e nderit në Konferencën e Pezës. Djemtë e myzeqesë së Lushnjës, Xhorxhi Robo me djalin e Llazarit, Kolin, kishin kryer aksionin e prerjes së linjave telefonike. Takimi ishte bërë në Golem.Skënder Libohova dhe Hasan Gina morën detyrën e prerjes së linjave telefonike që lidhte Lushnjën me Rrogozhinën. Linjën me Fierin e prenë Koli me Xhoxhin,ndërsa atë me Beratin e këputën Miti Bozo e Ilia Zdrukthtari.Sërish, Llazar Bozon do të gjendej kudo në aktivitet,në përpjekje,biseda e kuvende me myzeqarë,për afrimin me Frontin Nacionalçlirimtar. Spiro Moisiu,(komandant i thoshte dhe e nderonte gjithë zona jonë), ishte personaliteti më me influencë në vatrat myzeqare e më tej. Por, pyetej e merrej shumë në konsideratë mendimi i Llazar Bozos, si njohës i mirë i njerëzve. Llazari dhe familja e tij, nuk e kursyen ndihmën për krijimin e Çetës së Parë Partizane të Myzeqesë.Madje, nën optikën e Spiros: Llazari, Pipi Bakalli,Hasan Gina,Kiu Bozo, Koli Bozo etj, organizuan edhe takime me krerët e mashtruar… për t’i tërhequr me lëvizjen nçl.

Kur do të thirrej Konferenca për zgjedhjen e Këshillit Antifashist NÇL në Berat,në shkurt 1943, nga Lushnja do të zgjidhej në kryesi patrioti Llazar Bozo. Pasi fashistët,të mbështetur nga ballistët, dogjën shtëpinë e Llazar Bozos,15 prill 1943, ai hidhet në ilegalitet, sikurse edhe gruaja,Kaliopi me dy fëmijët e vegjël, sepse të rriturit kishin dalë partizanë.Më pas, Llazar Bozo do të ishte një ndër 50 delegatët e Konferencës së Labinotit.Këtu ai do të ritakohej me Spiro Moisiun, i cili u zgjodh Komandant i Shtabit të Përgjithshëm të LANÇ. Llazar Bozoja do të zgjidhej në Këshillin e Përgjithsh. ncl.(kur kishte kapur mbi të 60-tat). Para Operacionit të Dimrit,1943-44, djemtë e Llazarit, Kiu, Alekoja  dhe Koli kishin marrë detyra drejtuese në formacionet e organizuara ushtarake.Ai  mbeti me pushkën supit:nga Konferenca e Pezës, në Konferencën e Labinotit, në Operacionin e Dimrit 1943-44,ku mori pjesë në të gjitha luftimet e partizanëve të Myzeqesë:në Sulovë, Tomorricë, Gorë-Opar etj.Çdo taktikë e forcave  balliste për ta “ kthyer… e thyer” luftëtarin trim, dështuan.Llazari i dha luftës të gjithë familjen, kurse djali Petri, ra dëshmor i atdheut. Ndërsa ishte delegat në Kongresin e Përmetit, ( bashkë me: Spiro (Pipi)  Bakalli, Xhevdet Nepravishta, dhe Rrahman Ruçi), Llazari ndjehej krenar për familjen e tij: të shoqen Kaliopin, djemtë e vajzat, të cilët u bënë pjesë kontribuese me gjithë shpirt në luftë për çlirimin e vendit.Llazar Bozo vdiq më 18 prill  1956, i përcjellë me nderime të merituara. Llazar Bozo është nderuar me: “Urdhërin e Flamurit”, “Urdhërin e Trimërisë”, “…të Kujtimit”, e mjaft dekorata të tjera… Mirënjohëse ndaj tij, Bashkia e Lushnjës i ka akorduar patriotit Llazar Bozo titullin “Qytetar nderi”, një rrugë mban emrin e tij, gjithashtu është përjetësuar në një bust në qendër të qytetit. Jeta dhe vepra e familjes së Llazar Bozos,  është nga rastet e rralla në shkallë republike inkuadruar totalisht me luftën ncl, e veçmas, Llazar Bozoja, do të mbetet një medaljon i artë në Flamurin e kombit, si amanet për t’u nderuar dhe ruajtur brezpasbrezi nga çdo pluhurhedhës. Historia do të shkruante: “…Është pak të thuhet se Kongresi i Lushnjës rikonfirmoi pavarësinë e Shqipërisë.Kongresi i Lushnjës edhe rishpalli pavarësinë e Shqipërisë.

Kurse Avni Rustemi, më 1924 në Tiranë,në parlament, do të thoshte:”Nuk dua të hapë fletën e historisë…Trimërisë klasike i përgjigjet Lushnja dhe Vlora.”

 

 

Veteranët në Kolonjën martire.

Llazar Bozo

Busti i Llazar Bozos

 

Autori

 

Fjali e rendesishme : “… sikur të mos kishte ndodhur i palodhuri dhe i famshmi atdhetar, Llazar Bozo, në Lushnjë do të ishte bërë gjaku deri në brez…”