Akademik Anastas Angjeli e vlerësoi konferencën si një hap të rëndësishëm në bashkëpunimin institucional dhe shkencor ndërmjet dy akademive si një partneritet që tashmë po shndërrohet në një platformë të përbashkët kërkimore shqiptare dhe rajonale, ku ide, përvoja dhe analiza shkencore ndërthuren për t’u vënë në shërbim të zhvillimit të qëndrueshëm, integrimit europian dhe përmirësimit të mirëqenies së qytetarëve tanë.

Çel punimet Konferenca e Dytë Ndërkombëtare me titull “Ndryshimet demografike dhe dinamika e tregut të punës- sfidat e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik në Shqipëri, Kosovë dhe rajon”Kjo veprimtari shkencore organizohet nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, duke mundësuar kështu organizimin e dytë të saj në Tiranë pas konferencës së parë të vitit 2023 në Kosovë.
Në ceremoninë e hapjes nderuan me praninë e tyre: Presidenti i Republikës së Shqipërisë, SH.T.Z Bajram Begaj; Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, akad. Mehmet Kraja; zëvendëskryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Vasil S. Tole; Ministrja e Ekonomisë dhe e Inovacionit, znj. Delina Ibrahimaj; Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko; Përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së në Shqipëri, znj. Randi Davis; anëtarë të Kryesisë së ASHSH-së dhe ASHAK-ut, rektorë universitetesh, akademikë, profesorë, shkencëtarë e studiues të fushës nga vendi, rajoni dhe më gjerë.
Seanca plenare nisi me fjalën e hapjes të Akademik. Anastas Angjelit, kryetar i Komisionit të Ekonomisë, Shkencave Sociale dhe Juridike (ASHSH). Në emër të komisionit organizator, ai u shpreh se tematika e konferencës lidhet me problematikat vendimtare për të ardhmen e shoqërive tona, që nuk prek thjesht çështjet ekonomike apo statistikore, por edhe dimensionin njerëzor të zhvillimit.

Akademik Angjeli u shpreh: Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë që, në emër të Komisionit Organizator, të çel zyrtarisht punimet e kësaj Konference Shkencore Ndërkombëtare,
që do të zhvillohet gjatë dy ditëve të ardhshme në këtë ambient akademik, simbol i dialogut, reflektimit dhe mendimit të lirë shkencor.
Kjo konferencë përbën një hap të rëndësishëm në bashkëpunimin institucional dhe shkencor ndërmjet Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës — një partneritet që tashmë po shndërrohet në një platformë të përbashkët kërkimore shqiptare dhe rajonale,ku ide, përvoja dhe analiza shkencore ndërthuren për t’u vënë në shërbim të zhvillimit të qëndrueshëm, integrimit europian dhe përmirësimit të mirëqenies së qytetarëve tanë.
Tema që na ka bashkuar është ndër më komplekset , më të ndërthururat, dhe më vendimtare për të ardhmen e shoqërive tona:
Ndryshimet demografike dhe dinamika e tregut të punës, si sfida të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe social në Shqipëri, Kosovë dhe mbarë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Në pamje të parë, kjo temë mund të duket thjesht ekonomike apo statistikore,
por në thelb ajo prek dimensionin njerëzor të zhvillimit ,
sepse pas çdo numri që shohim në tabela apo në grafiqe, pas çdo raporti, qëndron një histori e vërtetë njerëzore:
një i ri që largohet nga vendlindja, një familje që kërkon mundësi të reja,
një profesion që zhduket, një profesion që lind, një komunitet që përpiqet të përshtatet me ndryshimin.
Gjatë dekadës së fundit, Shqipëria, Kosova dhe shumë vende të rajonit kanë përjetuar ndryshime të thella demografike, të cilat nuk vinë vetëm nga largimi në vendet,
rënien e lindshmërisë, emigracionin e vazhdueshëm të të rinjve, plakjen graduale të popullsisë dhe ristrukturimin e tregut të punës.
Këto janë procese komplekse, me shkaqe të ndërthurura – ekonomike, sociale, kulturore e politike – që kërkojnë analizë të thelluar, të dhëna të sakta dhe politika të menduara afatgjatë.
Kjo konferencë synon të ngrejë disa pyetje thelbësore:
– A ndodhemi në prag të një krize demografike strukturore që mund të ndikojë potencialin e zhvillimit ekonomik në dekadat e ardhshme?
– Apo jemi pjesë e një procesi natyror transformimi, që lidhet me integrimin në Bashkimin Europian dhe lëvizjen e lirë të njerëzve, dijes dhe kapitaleve?
– Dhe më e rëndësishmja: si mund t’i shndërrojmë këto sfida në mundësi për rritje dhe zhvillim të qëndrueshëm?
Përgjigja ndaj këtyre pyetjeve nuk kërkon vetëm analiza statistikore, por vizion, bashkëpunim dhe integrim të njohurive ndërdisiplinore — nga ekonomia dhe sociologjia, tek politikat e arsimit, teknologjisë dhe punësimit.
Të nderuar kolegë dhe miq! Në të njëjtën kohë, tregu i punës global po përjeton transformime të thella. Teknologjia, dixhitalizimi, automatizimi dhe inteligjenca artificiale po ndryshojnë natyrën e punës, strukturën e profesioneve dhe mënyrën se si matet produktiviteti.Në këtë sfond, edhe vendet tona duhet të përballen me një pyetje themelore:
si ta përgatisim kapitalin njerëzor për botën e re të punës?

Cilat janë profesionet e së ardhmes?
Si duhet të përshtatet arsimi universitar dhe profesional për t’u bërë më i lidhur me nevojat e tregut? Si arsimi shqiptar duhet të jetë më bashkëpunues dhe partner me universitetet e Europës dhe më gjerë?
A jemi duke investuar mjaftueshëm në kërkim shkencor , inovacion dhe aftësi dixhitale?
Sepse zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik fillon dhe mbaron me njeriun ,
me njohuritë, aftësitë dhe krijimtarinë e tij.
Por përtej kësaj dimensioni praktik, konferenca jonë synon të hapë një debat më të gjerë mbi vetë kuptimin e zhvillimit.
Në një kohë kur ekonomia globale përballet me pasiguri, me kriza energjetike, klimaterike e gjeopolitike, është e domosdoshme të rishikojmë mënyrën se si e matim dhe e kuptojmë progresin. Zhvillimi nuk është vetëm rritje ekonomike.Nuk është vetëm GDP, inflacion apo bilanc tregtar.Zhvillimi është cilësi e jetës, barazi sociale, arsimim gjithëpërfshirës dhe stabilitet institucional.Siç kanë theksuar nobelistët Amartya Sen, Joseph Stiglitz dhe Jean-Paul Fitoussi,progresi duhet të matet me “aftësinë e njerëzve për të jetuar jetën që ata zgjedhin dhe vlerësojnë.”Ky koncept i “zhvillimit njerëzor” , që sot është pjesë e paradigmës së Kombeve të Bashkuara dhe të politikave të Bashkimit Europian
na kujton se ekonomia është mjet, jo qëllim.
Qëllimi është mirëqenia, dinjiteti dhe mundësia për të ndërtuar një shoqëri të drejtë dhe përfshirëse. Në këtë frymë, kjo konferencë dëshiron të kontribuojë me ide, analiza dhe rekomandime për politika që vendosin njeriun në qendër të zhvillimit:
për politika që nxisin kthimin e trurit dhe të biznesit në vendin tonë përmirësimin e arsimit, zhvillimin rural, punësimin cilësor dhe kohezionin social në të gjithë rajonin tonë.
Të nderuar pjesëmarrës! Konferenca jonë do të zhvillohet në pesë panele tematike dhe do të ketë tre ligjërues kryesorë me përvojë ndërkombëtare:
- Z. Volker Treichel, ekspert i lartë i zhvillimit ekonomik ndërkombëtar,
- Dr. Zsolt Darvas, studiues në Institutin “Bruegel” në Bruksel,
- Prof. Will Bartlett, njohës i shquar i zhvillimeve ekonomike dhe sociale të Ballkanit Perëndimor.
Pas sesionit të parë të sotëm, punimet do të vazhdojnë në disa panele të tjera tematike gjatë dy ditëve të konferencës.
Mbi 60 kumtues , profesorë, studiues dhe ekspertë nga 10 universitete dhe institute kërkimore të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi
do të ndajnë me ne rezultatet e kërkimeve të tyre shkencore dhe propozime për politika të reja zhvillimore.
Në këtë rast, dëshiroj të shpreh mirënjohjen time të sinqertë dhe respektin e thellë
për të gjithë ata që kanë kontribuar në përgatitjen e kësaj konference:
për kolegët e Akademive tona, për bashkëpunëtorët kërkimorë,
për partnerët ndërkombëtarë dhe për çdo studiues që i është bashkuar kësaj nisme me pasion dhe përkushtim.
Të nderuar miq!Një konferencë e vetme nuk mund t’i japë përgjigje të gjitha sfidave që kemi përpara.Por ajo mund të hedhë themelet e dialogut shkencor, të nxisë bashkëpunim ndërinstitucional dhe të krijojë hapësira për politika të reja të bazuara në dije.
Në këtë mënyrë, ne kontribuojmë për ndërtimin e një strategjie kombëtare dhe rajonale të zhvillimit të qëndrueshëm, ku ekonomia lidhet ngushtë me arsimin, me punësimin, me inovacionin dhe me drejtësinë sociale.Ky është misioni ynë. Kjo është rruga drejt një zhvillimi që respekton dinjitetin njerëzor dhe ushqen shpresën për të ardhmen.
Me këtë frymë bashkëpunimi e reflektimi, kam nderin të shpall të hapura punimet e Konferencës Shkencore Ndërkombëtare:“Ndryshimet demografike dhe dinamika e tregut të punës – sfidat e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik në Shqipëri, Kosovë dhe Rajon.”



















