Ilirian Demiri: Arsimi prej vitesh noton në reforma pa gjetur pakëz rehati

512
Tregu i diplomave e ka kthyer edhe sot e gjithë ditën administratën në nivelin më grotesk që nuk gjendet kund tjetër 
– Për çfarë niveli të mësimit mund të bëhet fjalë në të tilla shkolla, të cilat nuk kanë qoftë për farë edhe një libër të letërsisë artistike për t’ua treguar nxënësve, që nuk kanë dëgjuar as për Ismail Kadarenë, as për Dritëro Agollin 
-Ndërsa mësuesit plaçkiten edhe nga një farë sindikate që ka president prej 26 vjetësh një të moshuar mbi 86 vjeçar.
Gjithë shoqëria shqiptare është përfshirë tashmë në një kolaps të plotë sa askush nuk e di se kur mund të dalë nga rrjeta ku ka rënë. Vetëm për një gjë të gjithë jemi të sigurt. Pasojat do t’i ndjejmë ndër vite, ndoshta edhe nder breza ne shqiptarët. Tashmë lukunia e reformave vazhdon pa u ndalur sa herë ndërrohen forcat politike në qeverisje. Në 8 vitet e qeverisjes së PD-së, reforma në sistemin arsimor tromaksi drejtues të arsimit, mësues, nxënës e komunitetin e prindërve. Reforma synoi që arsimi të kthehej në një biznes fitimprurës për tregun e gjerë të teksteve mësimore, për numrin e madh të universiteteve private ku u vërejtën edhe paradokse qesharake. Kështu në ndonjë universitet të tillë, infermiere që kishin dalë nga një kurs 6 mujor para viteve ’90, u kthyen në pedagoge të arsimit të lartë, kur vetë nuk kishin as arsimin e mesëm. Më shumë se qesharak ishte tregu i diplomave. Në disa qytete të periferisë arrinin nga Tirana sekserët me një çantë në dorë ku mbanin kartonët e diplomave që i tregtonin kush të donte t’i blinte. Të tilla diploma u tregtuan me shumicë edhe për arsimin e mesëm. Nga një kontroll i ushtruar në vitin 2013 nga Ministria e Arsimit u evidentuan disa gjimnaze që ishin kthyer në treg të diplomave të arsimit të mesëm për të rinjtë që prej vitesh ishin larguar në emigracion. Por heshtet edhe sot për rezultatet e këtij kontrolli që nën siglën “top secret” vazhdojnë të mbahen të kyçura nga Ministria e Arsimit. Pasojë e këtij tregu të çuditshëm, administrate shtetërore është mbushur me lloj lloj administratorësh që dinë vetëm të tërheqin paratë në fillim muaji, pa ditur se për ç’punë u jepet paga. Tregu i diplomave e ka kthyer edhe sot e gjithë ditën administratën në nivelin më grotesk që nuk gjendet kund tjetër. U ndërruan partitë në qeverisje, ndryshuan edhe reformat. Gjithçka nis nga e para me një të rënë të lapsit. Rilindja vendosi që vëmendjen ta përqendrojë në nënshtrimin më tej të mësuesit. Ta tromaksë atë, sa të mos dijë të japë një përgjigje të saktë as për një problem të vogël, por duket se është me shumë pasoja negative në sistemin arsimor. Kemi pyetur disa prej drejtuesve të sistemit arsimor për shkaqet e ekzistencës së dy regjistrave, njëri shtetëror dhe tjetri personal i mësuesit, po askush nuk na thotë gjë. Të gjithë thonë: “Nuk e dimë se kush është strumbullari i këtij modeli me dy regjistra njëherësh. Dimë vetëm se është një punë e lodhshme për mësuesin, por edhe një mundësi efikase për të tregtuar notën sipas pagesës së prindit”. Qesharake është se në regjistrin e shtetit vendosen vetëm mungesat dhe temat e mësimit. Ndërsa në regjistrin e mësuesit vendosen notat dhe interpretimi i notës. Këtë dokument mësuesi e ndryshon sa herë i teket dhe sa herë do të vendosë notat sipas interesit të vetë prindërve e nxënësve. Sepse edhe interpretimi i notës kryhet nga mësuesi kryesisht në fund të çdo 3 mujori. Tashmë arsimi është zhytur në një llum nga e ka vështirë të pastrohet. U shtuan orët e fizkulturës që më shumë kanë shërbyer për të shtuar ndonjë mësues të afërm të drejtuesve. Pasi tashmë dihet se në shkollat tona të zonave rurale nuk ka një top, pale më gjë tjetër. Kjo është mungesa që bie pak në sy. Në shumicën e shkollave shqiptare tashmë mungojnë plotësisht kabinetet. Të paktën në shkollat e rajoneve rurale. Për çfarë niveli të mësimit mund të bëhet fjalë në të tilla shkolla, të cilat nuk kanë qoftë për farë edhe një libër të letërsisë artistike për t’ua treguar nxënësve, që nuk kanë dëgjuar as për Ismail Kadarenë, as për Dritëro Agollin. Pa le për shkrimtarë të tjerë më pak të dëgjuar. Groteske është se në ndonjë zonë të vendit kemi dëgjuar se rreth 40 për qind e shkollave nuk kanë pasur ndonjëherë as lidhje me energji elektrike. Pra, orët e informatikës vetëm mundësojnë plotësimin e normës për ndonjë mësues dhe jo për t’u dhënë dije nxënësve. Nga gjithë këto shembuj që sollëm, është e dukshme se arsimi është kthyer në një sektor grotesk. Pavarësisht, vazhdimit pa ndërprerje të reformave që, në jo pak raste vihen në lojë nga vetë mësuesit, të cilët as nuk i pyet kush për çfarë po ndodh në arsim. Ndërsa vazhdojnë pa ndërprerje testimet “mësues për Shqipërinë”. Bile ka mësues që kanë hyrë disa herë në të tilla testime për të arritur shkallën më të lartë. Ndërsa të gjithë shohin se vendet e punës është më lehtë t’i zësh po të jesh kanakar i Partisë. Tashmë edhe të rinjtë e kanë kuptuar që të punësohesh nuk mjaftojnë dhjetat e universitetit, po tesera e Partisë. Është kjo arsyeja që maturantët, ende pa nisur fushata, tashmë kanë marrë teserën e partisë. Vetë ata thonë: “Nuk kemi rrugë tjetër. Edhe prindërit na kanë nxitur. Sepse vendet e punës i jep Partia dhe jo dituria. Kështu po ndodh në këtë Shqipërinë tonë. Dhe ne kemi marrë një teserë që të na shërbejë, nëse do mbetemi këtu. Sepse vendin e parë e zë largimi diku nëpër Evropë. Këtu edhe po të punësohesh e ke të vështirë të mbash familjen. Noton në reforma arsimi pa ditur se çfarë kërkon të arrijë. Ndërsa mësuesit plaçkiten edhe nga një farë sindikate që ka president prej 26 vjetësh një të moshuar mbi 86 vjeçar. Kuotizacionet u merren mësuesve pa i pyetur direkt në pagë me urdhër të Ministres së Arsimit Lindita Nikolla. Bile edhe mësuesve që e kanë deklaruar me shkrim se nuk bëjnë pjesë në asnjë sindikatë dhe e ndjejnë për turp të bëhen pjesëtarë të sindikatave të tilla plaçkitëse e poshtëruese për mësuesit. Po me një arrogancë të paskrupullt edhe këtyre mësuesve u ndalohet në pagë kuotizacioni. Është kjo arsyeja që disa prej tyre po përgatiten ta çojnë çështjen në gjykatë. Natyrisht pas reformimit të Drejtësisë, pasi edhe kjo tashmë për shqiptarët është një krijesë e ngordhur. Mësuesit shpresojnë se një ditë diçka do të ndryshojë edhe për ta. Ndoshta për këtë mund të shërbejë ndonjë veting që të pastrojë arsimin nga plaçkitësit, apo me nder me thënë, reformatorët. E sigurt është, se këtë e kërkojnë të gjithë shqiptarët. Pasi arsimi, duam apo nuk duam, përgatit të ardhmen e këtij vendi që ende po llokoçitet në ujera krejtësisht të turbullta.
Sigal