Fier, kishin detyrën të ruanin objektin, policët privatë vjedhin 400 litra naftë. Arrestohen

531
Në një kohë kur iu ishte caktuar detyra për të ruajtur një objekt, 3 punonjës të një kompanie sigurie private kanë vjedhur 400 litra naftë, ndërsa sot janë vënë në pranga. Burime zyrtare nga policia e Fierit bënë me dije se pas hekurave përfunduan Piro Gjini, 50 vjeç, banues në lagjen “8 Shkurti”, Endri Buzi, 21 vjeç, banues në fshatin Kallm i Madh si dhe Hyqmet Gremi, 40 vjeç, banues në lagjen “8 Shkurti’, të tre nga Fieri.

Arrestimi në flagrancë i tyre u bë për arsye se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, nëpërmjet veprimeve korruptive dhe shpërdorimit të detyrës për një periudhe kohore dy javore, kundrejt marrjes se ryshfetit, kanë vjedhur duke shpërdoruar detyrën në objektin që kishin nën ruajtje, një sasi prej 400 litra nafte si dhe një sasi prej 75 copë tranversa në pronësi të firmës “Spiecapag” që është firma nënkontraktuese e Gazsjellësit Tap. Të njëjtat burime pohuan se në flagrancë u arrestua dhe Karafil Agaçi, 32 vjeç, banues në fshatin Suk të Rroskovecit.

Mësohet se i riu ka përvetësuar nëpërmjet korruptimit të punonjësve në fjalë një sasi prej 55 copë tranversash, të cilat i’u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier.
Sigal