Ishin vitet kur dhjetra djem e vajza studjonin në Universitetet më prestigjiozë të Bashkimit Sovjetik. Njëri ndër ta ishte dhe skraparasi Teki Malindi i cili studionte në Moskë. Shpesh studentëve u binte rasti të mblidheshin për t’u argëtuar ashtu shqiptarçe, duke pirë edhe ndonjë gotë raki, të cilën e merrnin me vete sa herë që niseshin për studime. Sigurisht që rakia ishte nga ajo e Skraparit, ballë kazani. Një nga këto ditë, të planifikuar për t’u mbledhur pranë gotës së rakisë, vjen rastësisht Mikhail Susllovi, politikan i rangjeve të larta në PK të Bashkimit Sovjetik, por që jepte edhe leksione të lëndës së filozofisë për studentët e huaj. Susllovit i ra në sy që studentët shqiptarë pinin një lëng që i ngjante më shumë ujit sesa vodkës së famshme ruse.

-Çto eto, ç’është kjo?-kishte pyetur Susllovi. Studentët shqiptarë i kishin treguar se ky lëng pa ngjyrë quhej raki dhe se nxirrej nga lëngu i rrushit. I kishin mbushur edhe një gotë, nga ato të rakisë, pra të përmasave të vogla. Pasi e kishte hedhur gotën plot, Susllovi u kish kërkuar djemve studentë që t’i mbushnin një gotë tjetër, më të madhe, nga ato të ujit.

-Kjo qenka një mrekulli, po më bën për vete-kish thënë plot intuziazëm Susllovi, pasi e kish rrokullisur gotën e ujit të mbushur denkaz me raki.
Kaq ishte dashur që, sekretari për problemet ideologjike të PK të Bashkimit Sovjetik, Mikhail Susllovi, t’i jepte urdhër Teki Malindit të shkonte në Shqipëri posaçërisht për të marrë raki Skrapari.

U tha, u bë. Studenti Teki Malindi pasi prenotoi biletën e avionit, falas, u përgatit shpirtërisht për të ardhur në atdhe. I erdhi fati, s’di nga ku, për t’u takuar me miq e shokë, por në mënyrë të veçantë njerëzit e familjes për të cilët e kish marë malli. Sapo mbriti në Berat, të parën punë që bëri, i kërkoi babait t’i siguronte rakinë, nga ajo që të përvëlonte xhanin, pikë e parë. E kam për një të mdh, për një personalitet të lartë politik të Bashkimit Sovjetik, Mikhail Susllovin, por që është edhe profesori im, e kish sqaruar babain. Plaku në fillim nuk e kish kuptuar, madje nuk e kishte besuar të birin sepse çka po i kërkonte i dukej marrëzi. Si ka mundësi, ç’politikan qënka ky Susllovi, kish thënë me vete xha Karafili, si mund të nis tjetri të birin e botës, mijra kilometra larg, për të marrë disa litra raki Skrapari?
Pas dy-tre ditësh rakia erdhi sipas porosisë dhe u ambalazhua bukur, si për një mik të veçantë. Studentit Teki Malindi nuk i mbetej gjë tjetër veçse t’i hipte avionit për në Moskë, ndërsa rakinë ta niste me një anije tregtare për në Odesë, aty ku e priste një person tjetër, njeri i dërguar nga Mekhail Susllov.






















