Kënga Çame e Minushit
M‘u te ura e Xerxebilit
Bakushe bijë e Vezirit.
Të vrau plumbi i qafirit,
se ngrite perçen e sirit.
/Telegraf.al/ Folklori çam ndoshta është nga më të bukurit e trevave shqiptare veçanërisht me këngët, vallet dhe kostumet që të mahnisin me shumëllojshmërinë e tyre. Vallet e Çamërisë (mjaft valle greke e kanë aty zanafillën) të bëjnë menjëherë për vete, të rrëmbejnë dhe të ftojnë të bëhesh pjesë e tyre, në rreshtin e gjatë plot burra, gra, djem e vajza, duke mbajtur ritmin e ngadaltë, ku lëvizjet e këmbëve mbi majat e gishtave, belit, duarve dhe kokës kanë elegancën, delikatesën dhe finesën që më kot mundohen ta imitojnë modelet e sotme të pasarelave. Vargjet e famshme të këngës-valle të Minushit, që për një fjalë gojë, në gjendje të dehur vrau gruan e vet në të gjitha variantet këndohen dhe njëkohësisht kërcehen. Shoqëruar nga një muzikë e avashtë, e shtruar, me ulje ngritje të përmbajtura, kërcehet butësisht si mbi një sixhade persiane, qëndisur me petale lulesh shumëgjyrëshe. Kënga tigëllon gati vajtuese, pa shumë thyerje, pothuaj e njëtrajtëshme si një rrëfenjë e trishtuar, duke mbajtur brenda një dhimbje të madhe. Në një festë a në një dasmë ka që hidhen e kërcejnë nën ndikimin e mjedisit të gëzuar, pa ia vënë shumë veshin fjalëve që tregojnë për një vrasje të pazakontë dhe muzikës që hera-herës merr ngjyra funebre; por gjenden gjithmonë sado pak valltarë, që dëgjojnë fjalët e këngës, ulërimën e klarinetës dhe vajtimin e violinës. Kënga vjen si kumt (lajm i kobshëm), i një kohe të shkuar, ku burri vret gruan për xhelozi në gjendje të dehur, dhe jep mesazhin e fuqishëm se cmira, xhelozia, thyerja e kodit moral (shpifja për gruan) në një shoqëri patriarkale dhe marrja e vendimeve jetësore në gjendje të dehur sjellin tragjedi. Për këtë të fundit populli shqiptar ka një thënie të vjetër: “Zemërimin e mbrëmjes lëre për në mëngjes, që do të thotë mos merr vendime kur je i inatosur dhe aq më keq nën ndikimin e alkolit.
Pse kënga e Minushit i rezistoi kohës.
Si ka mundur të përcillet me të njëjtën forcë dhe dashuri tash 150 vjet, Minushi jo vetëm në Jug të Shqipërisë dhe Çamëri, por që në kohën kur nga Athina në Selanik dhe ishujt grekë flitej gjuha arvanitase? Si rezistoi ajo dhe na vjen e dashur, e ëmbël, pikëlluese, tragjike dhe aq shqiptare deri në ditët tona? Në gjithë trevat shqiptare dhe në kanunin Verior apo atë të Labërisë, gruaja nuk vritej në asnjë rast, për asnjë arsye. Zakoni i vrasjes me gurë nga turma të gruas që tradhëton bashkëshortin, apo shkel ligjet e sheriatit përdoret edhe sot në disa vende islamike, por në Shqipëri një ligj fetar i tillë, kurrë nuk është zbatuar. Thuhet në ndonjë tregim (Kanuni i Lek Dukagjinit nuk e ka) se nusja në pajë merrte me vete dhe një plumb domethënia e të cilit ishte se i shoqi mund ta vriste në çdo kohë nëse nuk i bindej atij. Në asnjë rast në të gjitha botimet folklorike të autorëve të hershëm që nga dorëshkrimi i Kieutit i vitit 1737, Thimi Mitkos (1820-1890), Spiro Dines (1846-1922), botimet e Akademisë së Shkencave dhe Instituteve të Folklorit të Shqipërisë apo Kosovës, te mbledhësit e famshëm të folklorit si Fatos Mero. Rrapaj (1930-2012) në Jug dhe Kasëm Taipi (1893-1935) në Veri, përfshirë dhe autorë të huaj, nuk kam hasur ndonjë këngë dasme, dashurie, “tradhëtie,” apo vrasjeje, ku të thuhet se gruas i vendosnin një fishek në pajë (Ka pasur një dramë të stisur në kohën e diktaturës me titull “Fisheku në pajë” ) apo ku të tregohet se burri vret gruan e tij qoftë dhe për arsye tradhëtie me fishekun e pajës. Edhe në raste kur gruaja ishte e ngathët, fjalëshumë, nuk lindtte fëmijë apo “tradhëtonte,” zakoni e kërkonte dhe kjo ishte e padiskutueshme, që burri ta kthente në gjininë e vet. Tjetra është se tradhëtia e gruas ndaj burrit nuk njihej. Ka plot këngë dashurie dhe këto janë nga më të bukurat e folklorit shqiptar, ku nënkuptohet që vajza ka dashur dikë para martese, mbi dashurinë e pamundur, mbi sevdanë platonike të një jarani për gruan që ka dashur me kohë dhe e kanë martuar me një burrë leshko, por vetëm kaq. Pas martese me një burrë tjetër dhe kjo ishte traditë pothuaj absolute, kapitulli i tradhëtisë bashkëshortore nga gruaja, quhej i mbyllur, Këndoheshin këngë malli, pamundësie për një dashuri nostalgjike për vajzën e bukur, por vetëm kaq. Në rastin e Minushit kënga ka bërë bujë së pari se është vrarë një grua nga burri i saj dhe më keq, padrejtësisht. Ky mendoj është shkaku kryesor që kënga i ka rezistuar kohës, është aq e përhapur, e veçantë dhe e besueshme. Tjetra është se kemi të bëjmë me thyerjen e kodit moral në shoqërinë e atëhershme nga njerëz, cmirëzinj që për hir të xhelozisë, sajojnë e shpifin ngjarje të paqena në kushtet, kur mendjet e tyre janë të turbullta nga alkoli.
Disa pasaktësi në tekstet e këngës së Minushit
Ngjarja ka ndodhur diku në Çamëri në fund të shekullit të XIX ose fillimshekullin e XX. Kjo kuptohet thjeshtë, jo vetëm duke u nisur nga emrat e personazheve Minush, Resul dhe Birbil ( Irene Papas. Leleku, kur e këndon përmend emrat Minush, Birbil, dhe Memet) por dhe nga mjedisi ku zhvillohet. Kënga e Minushit, fillon me vargjet, ku tre shokë janë ulur për qejf, në një mejhane (kafene) duke ngrënë, pirë raki dhe duke folur për gratë e bukura. Fillimi nuk paralajmëron asgjë të keqe aq më shumë një vrasje. Po e japim fillimin e këngës në dy variante:
Qe Minushi, qe Birbili, qe Resul aga,
tek po hajën, tek po pijën, tek llafosënë.
Qaj Minushi qaj Resuli qaj Birbil aga,
ishin mbedhur dhe po pinin në një kafene.
Dihet që edhe në ditët e sotme burrat shqiptarë të “ngrohur” nga rakia dërdëllisin mbarë e prapë për gratë nëpër mejhane, sigurisht jo për të tyret. Kur ky “ligj” thyhet si në rastin e Minushit pasojat janë të pa parashikueshme. Le të shohim si fillim disa ndryshime, që ka pësuar teksti, i këngës në kohë, që nuk prishin dhe nuk ndikojnë në thelbin e saj, por një dëgjues i vëmendshëm kupton se diçka kërcet dhe nuk shkon me logjikën e këngës. Poezitë e krijuara nga populli, janë tepër të kursyera dhe nuk mbajnë asnjë pikë ujë të tepërt. Jo vetëm vargjet, por edhe një fjalë apo lidhëze e vetme, nuk është e vendosur rastësisht, por ka kuptim, Heqja ose shtesa në këto lloj poezish e një vargu apo fjale të vetme vetëm sa prish harmoninë ose kuptimin. Gjithë bukuria e tyre qëndron në materialin burimor të paprekur. Mendoj ndryshe nga disa këngëtarë popullorë, rapsodë, grupe polilifonike sidomos studiues të folklorit, që pa të keq fusin duart, hundën dhe mëndjen, duke i përshtatur këngët e vjetra folklorike, me fjalorin e sotëm, duke ndryshuar vargjet për arsye nga më absurdet, duke filluar nga padituria, dëshira e mirë për të plotësuar diçka, fjalët e huaja, e korrigjime të tjera. Mendoj që këto këngë nuk duhen prekur e duhet të këndohen ashtu si na vijnë nga kohët e largëta. Edhe nëse në to ka natyrshëm turqizma, greqizma e sllavizma e ndonjë pasaktësi historike, fare thjeshtë ashtu si në shumë botime të këtij lloji jepen sqarime e shënime në fund të këngëve. Por të vësh dorë mbi ato thesare është e pafalshme. Qysh në vargun e parë te “Minushit” ka një keqkuptim (pasaktësi) në gjithë këngëtarët dhe grupet që kam dëgjuar të këndojnë këngën e Minushit. Veçohen tre variante të fillimit të këngës. Në një variant kënga fillon me fjalët; “Zgjo Minushin, zgjo Birbilin, zgjo Resul aganë.” Në një tjetër “Ço Minushi, Ço Resulin….” dhe në të tretin “Qaj minushi, qaj Birbili, qaj Resul aga.” Në të tre variantet vargu nuk ka kuptim po të kemi parasysh se vargu i dytë është “Ishin mbledhur dhe po pinin në një kafenë,” Pra fjalët zgjo, ço, apo qaj, janë fare pa kuptim dhe nuk kanë lidhje me vargun e dytë, që shpjegon se tre shokët janë mbledhur e po pijnë e hanë për qejf të tyre. I rregullt dhe i pranueshëm është varianti arvanitas, ku kënga fillon me fjalët: Qe Minushi, qe Birbili, qe Resul aga. Ky është më i besueshëm jo vetëm se këndohet në variantin shumë të vjetër arvanitas-çam në origjinal, por sepse ka kuptim të plotë në gjuhën shqipe. Ngjarjet e vjetra ose përrallat shqiptare në trevat e Jugut fillojnë me fjalët: Na ishte seç na ishte ( e pakryer e foljes jam ose në kohën e kryer e thjeshtë): Na “qe” seç na “qe” etj. Kemi të bëjmë me tregimin e një ngjarjeje të shkuar ku folja “jam” është në kohën e kryer e thjeshtë.
Qe Minushi, qe Birbili, qe Resul aga.
Tek po hajën, tek po pijën tek llafosënë Ose ndryshe:
Ishin mbledhur dhe po pinin në një kafene.
Intriga
Duke folur për gratë e bukura, me mendjet e turbulluara nga rakia, apo vera një nga shokët Resuli, lëshon fjalët “bombë” : Të bukur grua që paske mre Minush aga. Minushi i befasur pyet: Ku e njeh, ku e ke parë që më mollois? Resuli i ngrohur nga rakia, ku duket qartë një farë mëndjemadhësie dhe xhelozie i kthen përgjigje që në variantin e sotëm këndohet:
E pashë një ditë në krua, nek po mbushte ujë.
I dhaçë shaminë e dorës ajo ma pastroi.
I thaçë nja di tri fjalë ajo mi pranoi.
Në variantin e vjetër arvanitas thuhet:
Ku e pate, ku e dite edhe merr në gol (përgojon)
Prem’ e pash’ në prak të pusit ujë tek jëmis (nxjerr, mbledh).
U afrova, i kërkova dhe më dha të pi.
Edhe pakë edhe nisej atje në shtëpi.
Kishte veshur fustanë dhe pishqir të kuq
edhe gjoksit pran’ i virej një flori .
Në interpretimin e mrekullueshëm të artistes së madhe greke Irene Papas Leleku (përkthyer në shqip) thuhet :
Ku e pe dhe ku e di që e mban në gojë?
Dje e pashë te pusi, duke nxjerrë ujë,
i kërkova një puthje dhe ajo ma dha.
Të dy variantet e para janë të pranueshme. Në variantin e parë që këndohet në Shqipëri komunikimi është pak i zgjatur dhe lë të nënkuptohet se nuk është një takim i thjeshtë, por premtues për të vazhduar në të ardhmen. Në variantin arvanitas i vetmi komunikim është kërkesa për ujë dhe këtu komunikimi me gruan mbyllet. Më pas ai bën një përshkrim të veshjes për të vërtetuar se ajo ishte gruaja e bukur e Minushit. Ndërsa vargjet në këngën greqisht janë të papranueshëm për vërtetësinë e tyre, duke patur parasysh zakonet, traditën dhe komunikimin midis një gruaje shqiptare dhe një burri të panjohur për kohën dhe mjedisin kur zhvillohen ngjarjet.
Vrasja
Me tej vargjet shpjegojnë se Minushi shumë i prekur nga fjalët provokative të shokut të vet cmirëzi, pa e zgjatur me tej bisedën, duke marrë të mirqëna fjalët, i dehur, shkon dhe vret gruan. Kënga nuk jep asnjë sqarim tjetër, e pazakontë kjo në këngët e shumta ku kryhet një vrasje për arsye të çdo lloji. Në gojën e Minushit para kryerjes së krimit nuk vihet asnjë fjalë. Po ashtu nuk ka vargje të tjera nëse gruaja rezistoi, qau, ulëriti apo la ndonjë amanet. Poetit popullor i intereson vetëm akti, rrethanat dhe sidomos shkaku që detyroi Minushin të kryejë krimin e që do përpiqem ta shpjegoj më poshtë. Gjithë vëmendja përqëndrohet te akti mizor. Në mesin e vargjeve të këngës që këndohet sot thuhet:
Minush Aga, qe i pirë vate në shtëpi.
Mori thikën edhe therri, o gruan e tij.
Të nesërmen i dol’ rakia vate ne varri…
Edhe në këto vargje diçka kërcet dhe nuk shkon. Ai ka kryer një vrasje në rrethana jo të zakonshme, sepse ishte i dehur. Minushi me gruan në bazë të zakonit jeton në një familje të madhe patriarkale ku ka shumë pjestarë si vjehri, vjehra, vëllezër të martuar ose jo, motra, sigurisht dhe fëmijë. Në këto rrethana ajo nuk mund të varrosej pa ceremoninë mortore, një traditë që vazhdon e fortë deri në ditët tona. Logjika nuk e pranon që Minushi i dehur ta ketë varrosur fshehtas diku larg syrit të të tjerëve. Zakoni është që e/i vdekura/i duhet të kalojë një natë në shtëpi, të qahet me ligje, nga nëna e vet, nga motrat ose kunatat, e pastaj të kryhet riti i varrimit. Edhe nëse i ka dalë rakia si thonë vargjet në mëngjes, ai qan gruan në shtëpinë e vet. Vargjet “të nesërmen i dol’ rakia vate ne varri/ Çohu grua, çohu vishu se kemi fëmilë!” janë shtuar shtuar më vonë dhe nuk kanë rrjedhë logjike. Vargjet origjinale dhe të besueshme janë:
Po Menushi ku in ndenjë, vate ta (atje) e vrau.
Në mëngjes siç ish i ndenjë (ku po rrinte) e vajton e qan.
Në një variant tjetër të vjetër vargu i dytë është:
“Në mëngjës i doli helmi e vajtonte ky,”
Kuptojmë që gruaja po rrinte diku në minder apo shilte dhe ky e qëllon pa i thënë asnjë fjalë. Në mëngjes kur Minushi ishte esëll pa gjendjen dhe vargjet “ Në mëngjes siç ish i ndenjë e vajton e qan.” ose “Në mëngjes i doli helmi e vajtonte ky,” japin një të vërtetë të pa kundërshtueshme, ku Minushi ulur diku në shtëpinë e tij, vajton e qan pranë gruas.
Pendesa
Vargjet e fundit në të gjitha variantet janë pothuaj të njëjtat. Ato shprehin pendesë, pikëllim, dashurinë e pakufishme që ai ka për gruan e tij. Por tani asgjë nuk mund të kthehet mbrapsht. Menushi qan e vajton edhe sot e kësaj dite në këngën e pavdekshme të ngritur posaçërisht për të nga populli, duke na lënë si pendesë lutjet e përjetshme për fajin e bërë dhe një rikthim të mundshëm sërish në jetë të gruas që ai e donte me shpirt :
Ngrehu zogë, ngrehu rosë, ngrehu bukuri!
Ngrehu vishu lahu e krihu e në valle hi!
Të të shonë gjithë trimat do u dalë mallë.
Të të shoh dhe unë i mjeri, të gëzonem shumë!
- Kjo këngë këndohet greqisht si një elegji rëqethëse nga artistja me origjinë shqiptare Irene Papas Leleku. Zëri i saj engjëllor duket se na çon në parajsë atje ku prehet nusja e bukur çame e paemër, vrarë për një fjalë goje nga i shoqi. Shpirti i gruas së famshme për bukurinë e saj, shfaqet herë-herë në trevat çame me mallin e pashuar për ato vende, pa gjetur prehje, duke u lënë njerëzve në tokë mesazhin e fortë se cmira, xhelozia e verbër, mosbesimi, gjendja e dehur për të marrë një vendim, çojnë në tragjedi. Mjerisht sot kënga është shumë aktuale ku dhunimi dhe jo rrallë vrasja e gruas po kthehet në një dukuri, zakon barbar dhe jo në traditën shqiptare.




















