Vladimir Duraj: Sali Dibra, njeri i mirë, soj fisnikësh

Emrin e Sali Dibrës e dëgjova për herë të parë në pranverën e vitit 1977, kur fillova punë në Regjimentin e Aviacionit në ish Q.Stalin. Sali Dibra ishte në pozicionin e Komisarit të Aviacionit dhe bashkë me Bardhyl Taçin përbënin kokën drejtuese të Aviacionit Ushtarak Shqiptar. Qysh ditët e para të punës dëgjova vlerësime superlative për Vasil Andonin, Sokrat Priftin, Bardhyl Taçin dhe Sali Dibrën, dy të parët Komandant e Komisar Regjimenti dhe dy të fundit Komandant e Komisar Aviacioni. Pak kohë pasi kisha filluar punë shkova në shtëpinë e të ndjerit Sokrat Prifti për t’i rregulluar televizorin. Aty pashë me sytë e mi atë që kisha dëgjuar për Sokratin, një njeri babaxhan, i mirë e i thjeshtë sa më i miri kuptim i këtyre termave, i madh dhe fisnik sa përfytyrimi i perëndisë për këtë tipologji. Sokrati tregoi në atë kontakt të parë me mua se Ai nuk ishte vetëm një pilot klasi dhe goxha Komisar Regjimenti, por edhe një NJERI KLASI, qytetar model dhe familjar shembullor. E solla këtë definicion për të mirin e të madhin Sokrat ngaqë mendoj se mes tij dhe Saliut ka një ngjashmëri spikatëse dhe duke njohur mirë Sokratin dal në konkluzion edhe për Saliun. E pra, Sokrati, Komisar Regjimenti dhe kaq i mirë.

Po Saliu, Komisar i disa Regjimenteve bashkë, sa i mirë duhet të jetë? Zbato rregullin e treshit dhe të del përgjigja, më tha vetja. Gjithsesi, që të mos e lija vetëm në dorën e vetes këtë kureshtje, e pyes Sokratin një moment, gjatë asaj bisede të këndshme të asaj dite, për staturën e dyshes komanduese në Aviacion, Ja se si m’u përgjigj, Sokrati: “- Jo më kot janë në ato pozicione. Që të dy janë të përkryer, si njerëz dhe si pilotë. Bardhyli ka qënë këtu komandant Regjimenti, ndërsa Saliun e njoh shpejt dhe nga afër…jemi të të njëjtit grup të Shkollës për Pilotë, kryer në Borisoglebs të ish BS. Saliu ka kontribut të çmuar në Shkollën e Aviacionit, në komandë të së cilës ishte për vite me radhë. Para se të merrte detyrën e Komisarit të Aviacionit, Saliu mbante detyrën e Komisarit të Shkollës së Aviacionit.” Pikërisht kjo bisedë me Sokratin në vitin e largët 1977 m’u kujtua kur specialisti i aviacionit, Veledin Ramadani, më tregoi historinë e mëposhtme me Sali Dibrën: “- Ishte 28 gushti i 1973-shit kur shkova në Shkollën e Lartë të Aviacionit në Vlorë. Kisha mbaruar shkollën e mesme shkëlqyer dhe kërkova e m’u aprovua e drejta e studimit për Pilot. Komisar Shkolle ishte Sali Dibra, një njeri shumë i mirë, shkodran i fisëm, i njohur për një humor të hollë e të këndshëm. Takimin e parë me Komisar Sali Dibrën e bëra me kërkesën e tij, në kushte aspak komode për mua. Dhe ç’ishin këto kushte jo komode, do pyesni ju? Pikërisht ditët e para të shkollës, kur ende po merreshim me kryerjen e analizave mjekësore dhe sistemimin e secilit në pozicionin përkatës, më vijnë dy letra nga ish Jugosllavia dhe pikërisht nga halla dhe xhaxhai. Letrat nuk m’i sollën mua, ia çuan Komisar Saliut në zyrë, i cili, me t’i marrë më thirri në zyrën e tij. Pasi më pyeti për shëndetin, familjen, përshtypjet fillestare për shoqërinë dhe mjedisin në shkollë, kur e pa se biseda mes nesh arriti në kufijtë e një bisede babë e bir, si një mjeshtēr i vërtetë psikologjie, më thotë: “- Të kanë ardhur dy letra nga Jugosllavia, ç’mund të më thuash për to?” Edhe pse Saliu ia arriti që të më qetësonte me bisedën paraprake që sapo zhvilluam, letrat e lëna nga Saliu në duart e mia më dukeshin plumb të rënda. Mendoni ato vite, lufta e klasave ishte në plan të parë, aq më tepër në sektorin ushtarak ku pastërtia biografike duhet të ishte maksimaliste. Gjithsesi e mblodha veten dhe iu përgjigja me të vërtetën: “- Po, në Jugosllavi kam tre halla dhe dy xhaxhallarë, të mbetur atje që herët me familjet e tyre. Nuk janë të arratisur dhe as të dënuar. Kemi komunikim të thjeshtë e të hapur, ndryshe letrat e tyre nuk do vinin këtu dhe unë nuk do u’a jepja këtë adresë. Kjo është e gjitha, i thashë Saliut dhe me gjestikulacione e lashë të kuptonte se këtu sqarimi im përfundonte.

NOA

Saliu më dëgjoi me shumë vëmendje dhe me ç’kuptova ai e dinte se çdo t’i thosha, sikurse kishte realizuar në mendje përgjigjen që do më jepte dhe vendimin që do të merrte. Me një zë të ëmbël e të ngrohtë prej babaxhani dhe me një përkujesje atërore, më tha: “- Do të flas si birit tim dhe ti do më kuptosh se je djalë i rritur e i zgjuar. Fakti i pasjes së njerëzve të afërt në Jugosllavi, sidomos të natyrës që më tregove, nuk të penalizon ty për t’u bërë mjek, inxhinjer, biles edhe oficer, por pilot jo, pilot nuk mund të bëhesh. Ndaj mendoj që ti ta vazhdosh këtë shkollë dhe ta përfundosh me rezultate të larta, jo për pilot, por për specialist avioni. Dhe tani vazhdo si më parë, zëre sikur kjo bisedë nuk u zhvillua kurrë.” Teksa Saliu fliste, unë lexoja në sytë e tij dhemshuri, keqardhje për atë vendim të detyruar. Saliu ishte Komisar, por jo perëndia në shkollë. Dikush tjetër në vend të tij mundet të më përjashtonte fare nga shkolla për cene në biografi. Nuk kanë qënë të pakta rastet kur nxënës me probleme të tilla nuk pranoheshin fare në shkollë të lartë e jo më në shkolla ushtarake. Ndaj e mirëkuptova të mirin Komisar dhe e skicova portretin e tij me daltë ari në memorjen time. Ishte këmbëngulja e tij faktori kryesor që unë u riktheva në atë shkollë pas tre rasteve të braktisjes së saj. Me Sali Dibrën jam takuar disa herë të tjera dhe për më tepër kam patur fatin gjatë karierës time ushtarake, ta kem patur dhe njohur si Komandant dhe Komisar në Regjimentet ku kam shërbyer.” Bisedën e mësipërme me Velon e kam sjellë thuajse në ligjëratë të drejtë. E fiksova atë bisedë, sepse më kujton një histori timen të ngjashme si dy pika uji me të madhin Ali Progri, drejtori legjendë i Politeknikumit “7 Nëntori”, Tiranë. Por ashtu sikurse për Ali Progrin nuk jam vetëm unë apo disa si unë që flasin me superlativa, edhe për Sali Dibrën nuk është vetëm Velua që flet plot nderim e vlerësim, janë shumë e shumë të tjerë që e vlerësojnë Sali Dibrën për atë çfarë ishte e bëri në jetë. Unë nuk do të sjell një numër të madh të atyre që do të donin të prononcoheshin për Sali Dibrën, sepse nëse do të bëja këtë shkrimi do të delte kilometrik. Megjithatë edhe dy të tillë do t’i sjellë, ish Komandantin e Aviacionit, Klement Alikaj dhe specialistin shkodran të Aviacionit, Luc Balaj…ja ç’thotë ky i fundit: “- Sali Dibra, një njeri i zgjuar, megjithëse kuadër i lartë, ishte i thjeshtë dhe me tendencë mos me i ba keq njeriu. Ai ishte edhe deputet i Malsisë Madhe dhe e dinte që unë kisha djalin e hallës dhe dy kushurinj të arratisur. E dija që më donte dhe më ndihmonte, por asnjëherë nuk më afronte kur e takoja…vetëm më shkelte synin. Gjatë jetës time në Ushtri jam propozuar katër herë për t’u dekoruar, dy herë në Skuadrilje nga komandant Petrit Bebeci dhe 2 herë në Oficinë nga shef Musa Xifa. Të katërta herët propozimet nuk u miratuan nga Komanda e Aviacionit. Kur erdhi demokracia dhe Saliun e nxorën në pension, më thotë dikush se “pengesa për mos miratimin e propozimeve për dekorimin tënd ka qënë Sali Dibra.” Më ra si rrufe ky lajm i papritur dhe i pabesueshëm, ndaj pa u menduar gjatë i dërgova lajm Saliut me një mikun tonë të përbashkët, ku i bëja me dije se e mësova emrin e njeriut që u bë pengesë për dekorimin tim. Kohë më pas, rastësisht një ditë në Tiranë, Saliu më sheh së largu, më thërret e më ndalon pothuaj me këmbëngulje. “- Të detyrohem një sqarim, më thotë dhe vijon : Është e vërtetë që unë e kam penguar dekorimin tuaj, por po kaq e vërtetë është edhe fakti që katër herë të kam shpëtuar pa u fut në burg nga Sigurimi i Shtetit, përfshi edhe shefin e sigurimit tê repartit. I jam mirënjohës sa të jem gjallë njeriut të mirë, Sali Dibra.” Sa të ngjashme historitë e Velos dhe Lucit, të parin nuk e lejoi për pilot, po e lejoi Oficer, specialist aviacioni; Lucin nuk e dekoroi, por ama nuk lejoi ta fusnin në burg. Më shumë se kaq nuk mund të bënte një funksionar i lartë në atë kohë. Dhe në fund, për ta mbyllur këtë shkrim modest për të vetmin pilot, që arriti të bëhej antar i Komitetit Qendror të Partisë, duke ngelur në shpirt një njeri i thjeshtë, i dashur e respektuar nga të gjithë, po sjell qershinë mbi tortë, Klement Alikajn më përshtypjet e tij:

“- Sali Dibrën e kam njohur kur shkova në Shkollën e Aviacionit. Ai kryente detyrën e Zv/kom të Shkollës dhe natyrisht që njohja me të ishte epror vartës. Figura e tij m’u lartësua kur filluam fluturimet në Pishë Poro, në reaktiv, ku ai kryente detyrën e Udhëheqësit të Fluturimit dhe me një qetësi të jashtëzakonshme merrte vendime në shumë situata jo normale në fluturim nga studentë të ndryshëm. Ai të krijonte një besim në vetvete për plotësimin me sukses të fluturimit, veti kjo që duhet ta kishte çdo Udhëheqës Fluturimi. E shikoje duke pirë vetëm cigare dhe duke marrë në mushkëritë e tij edhe dheun e krijuar në tym nga turbinat e avionëve, deri sa u sëmurë nga mushkëritë. Në vitet e mëvonshme lidhjet tona u forcuan kur ai kryente detyrën e Komisarit të Aviacionit dhe unë Komandant i Gjadrit. Ai ishte një kuadër i devotshëm, që u jepte zgjidhje shumë problemeve delicate, që kishin të bënin me gjendjen morale të gjithë efektivave të Aviacionit. Dhe në fund, përveç se një epror ishte dhe një shok i besueshëm.” Sali Dibra nuk është më mes nesh, por gjurma që la në jetë e bën atë të mbahet mend si një njeri i mirë, soj fisnikësh.