Flet Genc Tomori: Dy finale me 180 minuta. Partizani këtu shpreson. Play-off dhe Play-out,ja verdiktet e fundit të sezonit
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” ish-futbollisti e drejtues në FK Partizani, Genc Tomori
Dy finale me 180 minuta. Partizani këtu shpreson
Dy ndeshje para mbylljes së kampionatit në Abissnet Superiore, si e përshkruani situatën e renditjen?
Po ta shohim nga fillimi se çfarë kanë dhënë skuadrat, ka qenë një maratonë e gjatë ku ekipet kanë dhënë më të mirën dhe e meritojnë aty ku janë. Ka edhe ekipe që nuk janë çfarë kanë dhënë, por të tilla ndodhin, aty duket forca e ekipit.
Në fundjavën e kaluar u luajtën ndeshjet e javës së 34-t të Abissnet Superiore. Cilin nga rezultatet veçoni?
Të gjitha rezultatet e asaj jave ishin interesante. Aty u ndeshën mbijetesa, lufta për titullin kampion dhe skuadrat për kupat e Europës. Kështu mendoj se do të jetë edhe në këto dy javë të mbetura, me luftë deri në fund.
Nisur nga rezultatet që u arritën këtë javë, u përcaktua ndonjë pozicion përfundimtar në të gjitha kahjet e renditjes?
Jo, me sa duket ende jo. Nuk ka skuadra jashtë objektivave të tyre, ndaj lufta do vazhdojë deri në fund. Të gjitha skuadrat po luftojnë për synimet e objektivat e tyre dhe besoj se deri në fund do ketë luftë. Kjo situatë e bën më interesante garën.
Me këto rezultate, si e mendoni vazhdimësinë në të dy javët e fundit?
Mendoj se, Partizani pas barazimit me Tiranën, është ende në kërkim të një mundësie për titullin. Kampionati ka edhe 180 minuta për të gjitha skuadrat dhe shpresojmë te curia e këtyre dy ndeshjeve. Partizani nuk lëshon deri në fund.
Si e parashikoni ecurinë e dy skuadrave për titullin kampion në dy ndeshjet e fundit?
Në këto dy ndeshjet e fundit, duke parë se si është ngjeshur renditja e skuadrave, mendoj se do të përcaktohen shumë verdikte: Titulli kampion, cilat skuadra do të shkojnë në Europë dhe dy skuadrat e tjera që do të zbresin nga kategoria.
Enjten luhen ndeshjet e javës së 34-t në Superiore, në cilën sfidë mendoni se do të dalë një skuadër që synon Europën?
E theksova më sipër se të gjitha ndeshjet janë interesante dhe duke qenë se më interson ndeshja Tirana-Bylis që të gabojnë bardheblutë, këtu duhet të përfitojë Partizani. Teuta-Egnatia luhet për Europën dhe Kukësi-Erzeni për mbijetesën.
Erzeni largoi trajnerin Xhevair Kapllani në javën e 33-të, është ky një fenomen me bankinat e Superiores?
Më duket shumë e nxituar kjo lëvizje. Erzeni bëri një kampionat shumë të mirë në fillim dhe duhet të priteshin edhe dy ndeshjet që të merrej vendimi për trajnerin. Në të tilla situata, këto janë vendime të nxituara, që nuk i shërbejnë skuadrës.
Skuadrat po luftojnë për synimet e objektivat e tyre dhe besoj se deri në fund do ketë luftë. Në këto 180 minuta ato do shpresojnë te curia e këtyre dy ndeshjeve, po kështu edhe Partizani që nuk do të lëshojë deri në fund.
ABISSNET SUPERIORE
Ndeshjet-Java e 35-të
Të dielën, datë 21 maj 2023
Kastrioti-Partizani 16:00
Vllaznia-Laçi 16:00
Tirana-Bylis 16:00
Kukësi-Erzeni 16:00
Teuta-Egnatia 16:00
Renditja
Skuadrat Nd Pikë
1.Tirana 34 63
2.Partizani 34 61
3.Egnatia 34 52
4.Vllaznia 34 46
5.Teuta 34 45
6.Laçi 34 44
7.Kukësi 34 41
8.Erzeni 34 39
9.Bylis 34 37
10.Kastrioti 34 35
Dukuria mbi trajnerët
Orges Shehi, bankina e paprekur në Superiore
1 trajner
Vetëm Orges Shehi te Tirana nuk ka lëvizur nga bankina e këtij sezoni.
3 trajnerë
Laçi është skuadra që ka ndërruar tre herë trajnerin në këtë sezon.
Në javën e 33-të të Abissnet Superiore u largua trajneri më i fundit nga bankina. Dhe bëhet fjalë për Xhevair Kapllanin, i cili në 33 javë drejtim të skuadrës së Erzenit, të cilën e renditi në vendin e 8-të me 39 pikë, në zonën e rrezikshme për mbijetesë. Ky sezon shënoi një nga “rekordet” e zakonshme sa i përket lëvizjeve të trajnerëve në kohë të ndryshme, para dhe gjatë aktivitetit. Por, në Abissnet Superiore vetëm Orges Shehi te Tirana qëndron i palëvizshëm në bankinë, ndërkohë që të gjitha skuadrat e tjera i kanë ndërruar trajnerët, madje disa edhe nga dy apo tre herë. Kampion mbetet Laçi me tre lëvizje, ndërsa Vllaznia, Kukësi, Teuta, Kastrioti, Bylisi dhe Egnatia i kanë ndryshuar trajnerët dy herë brenda këtij sezoni. Vllaznia, e së fundmi Erzeni, i ndryshuan vetëm një herë trajnerët, duke e bërë këtë si një nga dukuritë më të veçanta të Superiores 2022-2023.
KATEGORIA E PARË
Play-off dhe Play-out, verdiktet e fundit të sezonit
Ndeshjet Play-off
Të martën, datë 23 maj 2023
Flamurtari-Apolonia / Ora 16:00
Stadiumi “Flamurtari”
Tomori-Korabi / Ora 16:00
Stadiumi “Tomori”
Ndeshjet Play-out
Të martën, datë 23 maj 2023
Lushnja-Valbona / Ora 16:00
Stadiumi “Elbasan Arena”
Të premten, datë 26 maj 2023
Burreli-Pogradeci / Ora 16:00
Stadiumi “Egnatia Arena”
Kategoria e Parë ende nuk i ka mbyllur llogaritë më sezonin 2022-2023. Pas përfundimit të kampionatit ku u përcaktuan të gjitha verdiktet e tij, një pjesë e skuadrave do të jenë në aktivitet. Kështu, katër skuadrat që u renditën në vendet 3, 4, 5 dhe 6 do të luajnë Play-off. Flamurtari-Apolonia dhe Tomori-Korabi, janë dy çiftet që do të ndeshen mes tyre për të përcaktuar çiftin fitues, nga i cili do të dalë një skuadër që do të ndeshet me vendin e 8-të të Superiores, për të qenë pjesë e kësaj kategorie në sezonin e ardhshëm. Ndërkohë, Lushnja-Valbona (23 maj) dhe Burreli-Pogradeci (26 maj), janë dy çiftet Play-out që do të kërkojnë të jenë pjesë në Kategorinë e Parë për sezonin 2023-2024. Lushnja dhe Burreli u renditën në vendet 9 e 10 në Kategorinë e Parë, ndërkohë që Pogradeci e Valbona erdhën si fituese të Paly-off-it në Kategorinë e Dytë. Këto sfida do të nisin nga ora 16:00.
ANALIZË/ Kategoria e Parë me dritëhijet e sezonit në këndvështrimin e Edmond Dalipit
Gjithçka e merituar, zhgënjimet nga menaxhimi e financat
Nga Agron Kaja
Kategoria e Parë i mbylli ndeshjet e 26 javëve të kampionatit duke u përcaktuar të gjitha verdiktet. Por gara ende vazhdon, pasi janë edhe ndeshjet Play-off dhe Play-out ato që do të japin përcaktimet e tjera. Sepse të martën do të luhen dy ndeshje Play-off: Flamurtari-Apolonia dhe Tomori-Korabi, si dhe dy ndeshjet Play-out: Lushnja-Valbona dhe Burreli-Pogradeci. Për gjithçka që kaloi kjo kategori deri në këtë fazë, specialist i futbollit Edmond Dalipi, ish-futbollist i Lushnjës dhe i Dinamos si dhe trajner te këto skuadra, mendon se kjo ishte renditje e merituar për të gjitha skuadrat, duke e quajtur Flamurtarin zhgënjim. “Mendoj se renditja e javës së 26-të ishte e merituar për të gjitha skuadrat, duke përjashtuar këtu vetëm Flamurtarin. Zhgënjim i parë ishte Flamurtari që u largua nga kreu i renditjes. E nisi me një trajner menaxher (Troisi), i cili solli në Vlorë 13 lojtarë të huaj që nuk rezultuan efiçentë. Skuadra tjetër që zhgënjeu ishte Lushnja, e cila edhe pse me financa të shëndosha gaboi shumë rrugës”, kështu e nisi këtë analizë Edmond Kapllani, si një ish i Lushnjes dhe Dinamos. Ndërsa për ekstremet e renditjes, kreun e fundin, Dalipi tregon se më shumë spikati menaxhimi, jo vetëm në fushën e lojës, por edhe në organizim e drejtimin e klubeve respektive. “Rikthimi i dy ekipeve në elitën e futbollit shqiptar, Skënderbeut dhe Dinamos, mendoj se atyre aty u takon të jenë, sepse janë skuadra me histori në elitë. Tani duhet një menaxhim ndryshe prej tyre, kryesisht në formimin e një grupi që të ketë cilësi e karakter për Superioren. Ndërsa për katër skuadrat që zbritën në Kategorinë e Dytë, edhe këto vuajtën menaxhimin e dobët. Duke përjashtuar Tërbunin që rënien e pësoi pas vendimit të Komisionit të Disiplinës, tre skuadrat e tjera kishin menaxhim të dobët, që u solli ngarkesë emocionale në përballimin e situatave brenda garës”. Parashikimet e Edmond Dalipit për skuadrat që kualifikohen në Play-out dhe ato që fitojnë Play-out-in, shkon te skuadrat vendase (fusha ku luhen këto sfida), ndërsa për ndryshimin e formatit tregohet optimist. “Vetë Rregullorja e FSHF-së për Kategorinë e Parë ka përcaktuar disa detaje që në Play-off dhe në Play-out mendoj se do kenë ndikim. Fjala është se të gjitha skuadrat që janë pritëse në një takim të vetëm, ato do jenë favorite për fitore. Flamurtari fiton me Apoloninë, ndërkohë që sfidën në Berat, Tomori-Korabi e shoh pak delikate për vendasit. Ndërkohë që edhe Lushnjen me Burrelin i shoh favoritë për fitore, sepse luajnë me skuadra më inferiore. Duke qenë se në sezonin e ardhshëm do kemi 12 skuadra në Kategorinë e Parë, mendoj se ky format do ta rritë më shumë cilësinë e lojës dhe klubet do të jenë më të përgjegjshëm në organizimin e drejtimin e skuadrave, ku prioritet do të kenë financat”, ishte kjo analiza e Edmond Dalipit për Kategorinë e Parë 2022-2023.
Renditja e javës së 26-të ishte e merituar, duke përjashtuar këtu Flamurtarin dhe Lushnjen. Për katër skuadrat, që zbritën në Kategorinë e Dytë, edhe këto vuajtën menaxhimin e dobët, ndërsa Skënderbeu e Dinamo ishin korrekte gjithë garën.
Renditja përfundimtare
Skuadrat Nd Pikë
1.Skënderbeu 26 48
2.Dinamo 26 47
3.Flamurtari 26 46
4.Tomori 26 43
5.Korabi 26 39
6.Apolonia 26 38
7.Luzi 2008 26 38
8.Besa 26 37
9.Lushnja 26 32
10.Burreli 26 31
11.Oriku 26 30
12.Turbina 26 26
13.Tërbuni 26 24
14.Besëlidhja 26 17
Kategoria e Parë pa trofeun “Këpuca e Artë”
Sulmuesi i Skënderbeut Abdul Temitope, nigerian me pasaportë irlandeze, u shpall golashënuesi më i mirë në Kategorinë e Parë 2022-2023. Në 25 ndeshje ai shënoi 12 gola, në kuotë të barabartë me brazilianin e Dinamos Hoze Denison. Por edhe pse u shpall si kryegolashënuesi më i mirë i kësaj kategorie, nga ana e FSHF-së nuk u dha trofeu tradicional “Këpuca e Artë”. Kështu, Temitope do të fitonte dyfish në këtë sezon: titullin kampion dhe “Këpuca e Artë”. Ende janë të paqarta arsyet e mosdhënies së këtij trofeu nga FSHF-ja.