EURO 2020 (2021)/ “Humbje e ëmbël” për Uellsin, Zvicra me një këmbë jashtë Kampionatit Evropian

227
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Kanë startuar ditën e djeshme, ndeshjet e xhiros së tretë, të fazës së grupeve në Kampionatin Evropian të futbollit, ‘Euro 2020’, i cili për shkak të viti pandemik u vendos që të luhet këtë vit. Xhiro e tretë e ndeshjeve në grupe është më vendimtarja për ecurinë e kampionatit, pasi zbulon dhe emrin e 16 ekipeve që do të kalojnë për në fazën tjetër. Ditën e djeshme u zhvilluan sfidat e vlefshmë për grupin A, Itali-Uells dhe Zvicër-Turqi, të cilat sollën rezultate dhe përfundime befasuese.

Itali 1-0 Uells

Me fitoren e arritur ditën e djeshme ndaj Uellsi, ‘të kaltrit’ e Mançinit barazuan rekordin e tyre historik të 30 fitoreve rradhazi, ku 11 të fundit janë pa asnjë gol të pësuar. Një gol vendimtar nga Mateo Pesina i dha italjanëve një fitore minimale por që i vendos përfundimisht ata në vendin e parë të grupit A, me 9 pikë të plota. Nga ana tjetër Uellsi arriti gjithashtu të kualifikohet për në fazën tjetër të kompeticionit, duke përfituar nga diferenca e golave që kishte me Zvicrën.

Uellsianët patë një përballje të vështirë dhe ia arritën të mos pësonin më gol pas atij të Pesinës në minutën e 39’, edhe pse në minutën e 55’ mbrojtësi uellsian Ampadu u largua më herët nga loja pas daljes me kartonin e kuq. Shkak për marrjen e kartonit u bë një ndërhyrje tepër e rrezikshme e Ampadus ndaj Bernardeskit. Në raundin tjetër Uellsi do të ndeshet me vendin e dytë të grupit B, Rusinë ose Finlandën, ndërsa Italia me vendin e dytë të grupit C, Ukrainën ose Austrinë, ekipe këto që do të mësohen ditën e sotme.

Zvicër 3-1 Turqi

Zvicra e udhëhequr nga shqiptari Xherdan Shaqiri siguroi një fitore 3 me 1 përballë turqve, për të mbajftur gjallë shpresat, për të siguruar një biletë të fazës me eleminim direkt. Nga ana tjetër, Turqia pati një nga paraqitjet e saj më të dobëta në kampionatet ndërkombëtare, duke rregjistruar 3 humbje rresht, gjë që nuk ndodhte që prej nëntorit të vitit 2010. Seferoviç nuk arriti dot të impresiononte me paraqitjet e tij, në 2 ndeshjet e para, por në atë të djeshme tregoi një formë tjetër, ku që në minutën e 6’, me një goditje fantastike nga jashtë zone kaloi në avantazh ‘helvetët’. Zvicrianët vazhduan ofensivën e tyre, ku në minutën e 26’ pas një pasimi të Zuber, i cili asistoi dhe golin e parë, mesfushori me origjinë shqiptare Xherdan Shaqiri, dyfishon rezultatin me një goditje fantastike nga jashtë zone.

Me fillimin e pjesës së dytë turqit u hodhën në sulm dhe në minutën e 62’ arritën të gjenin golin e shpresës me Kahveçi, duke ngushtuar rezultatin në 2 me 1 dhe duke shpresuar për një kthim rezultati. Reagimi do të ishte i menjëhershëm nga zvicerianët, ku në minutën e 68’ Zuber dhuron sërish një asist, sërish për Xherdan Shaqirin, me këtë të fundit që në hyrje të zonës lëshon një ‘predhë’ drejt portës turke dhe e çon rezultatin në 3 me 1 duke i dhuruar Zvicrës një fitore më shumë vlera. Ditën e sotme do të zhvillohen ndeshjet e grupeve B dhe C të zbulohen dhe 2 ekipe të tjera të cilat do të kalojnë në fazën tjetër pasi Belgjika dhe Hollanda janë kualifikuar. Ndërkaq, në orën 18:00 do të luhen sfidat e grupit C, Maqedoni e Veriut-Hollandë dhe Ukrainë-Austri, ndërsa në orën 21:00 do të luhen ndeshejt e grupit B, Belgjikë-Finlandë dhe Rusi-Danimarkë.